Astrit Suli ishte vetëm 23 vjeç kur ra për lirinë e Kosovës. I lindur më 13 prill 1976 në Kuçovë, ai kishte emigruar në Greqi për të punuar e për të ndihmuar familjen e tij të madhe, me gjashtë djem dhe dy vajza.
Por pamjet e shqiptarëve që dëboheshin nga Kosova do t’ia ndryshonin jetën. Sipas rrëfimeve për të, Astriti la Greqinë dhe, pa njoftuar familjen, shkoi në qendrën stërvitore të UÇK-së në Burrel, për t’u përgatitur që t’i bashkohej frontit.
Nga Burreli i dërgoi një letër xhaxhait të tij, Misir Sulit. I tregonte se ishte bashkuar me UÇK-në dhe se ishte i gatshëm t’ia kushtonte jetën çlirimit të Kosovës. Përmes asaj letre përshëndeste prindërit, vëllezërit dhe motrat, duke shprehur shpresën se një ditë do të takoheshin në një Kosovë të lirë.
Ai takim nuk u bë kurrë. Më 27 maj 1999, Astriti ra në Malësinë e Gorozhupit, gjatë luftimeve në Zonën Operative të Pashtrikut.
Pas mbeti familja, letra dhe kujtimi i një të riu që la punën e jetën në emigrim për t’iu gjendur pranë shqiptarëve të Kosovës në ditët e tyre më të vështira.
Lavdi kujtimit të Astrit Sulit! 🇦🇱🕊️

