Azem Vllasi, ish kryetar i Komitetit Krahinor të Kosovës, ka folur edhe për vdekjen e Rrahman Morinës.
Vllasi në emisionin “Kojshia Show” thotë se Rrahman Morina sa ka qenë gjallë ka qenë në shërbim të Beogradit.
“Edhe kur ndodhi okupimi klasik nga Serbia, të gjithë shqiptarët ishin në njërën anë, ndërsa ai mbeti në anën e Serbisë pa asnjë shqiptarë rreth veti dhe si i tillë edhe vdiq”, tha ai.
Vllasi thotë se ishte në dijeni për problemet shëndetësore që i kishte Rrahman Morina.
“Në mbledhjen e fundit Konferenca Krahinore e Lidhjes Komuniste të Kosovës synonte që ta ndryshonte emrin në Partia Socialiste e Serbisë për Kosovë dhe Metohi. Me sa e di unë Rrahman Morinës ia kishin përgatitur një vend pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë si shenjë falënderimi që ua ka kryer të gjitha punët e pista në Kosovë. Nga fundi i mbledhjes Rrahman Morina vdiq. Unë privatisht isha në dijeni se ai ka disa probleme shëndetësore me zemrën. Kamera e ka kapur që ai ka mbyllur sytë dhe pas tri-katër orësh është konstatuar vdekja e tij. Nuk ka asnjë mister për vdekjen e tij”, tregon më tej Azem Vllasi.