3.5 C
New York
November 22, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

Çka je frustruar Milaim Rrenci? Unë nuk thash se dy vrasësit që kanë qenë me ty e kanë vra Ahmet Krasniqin

 

Milaim, pasi ti nuk fole për vrasësit me të cilët na vizitove në zyrën tonë në Cyrih, po flas unë.

Ne ishim me zyre në Weinberg strasse 111. Ti Milaim erdhe aty me dy persona. Dëshmitar është edhe stafi i atëhershëm, para të cilëve u shfaqe me atë maskën “kolegiale”.

Ndërsa, në zyrën time, më tregove fuqinë e këtyre dy personave.

Për “rastësi”, erdhe pak pasi për vizitë në zyre e kishim Komandantin Agim Ramadani.

Ai kishte ardhur për pak ditë në Zvicër për ta parë familjen e tij, ndërsa më pas do të kthehej në Koshare për të luftuar.

Agimi më pati kërkuar që t`ia jepja me vete dy gazetarë për në frontin e luftës, më tha se garantonte për jetën e tyre dhe se nevoja për një dritare informimi në ato ditë të errëta të luftës, ishte e madhe.

Por, t`i kthehemi ardhjes tënde me dy vrasësit në zyrë, Milaim.

A të kujtohet, kur u ule përball meje, ndërsa ata të dy rrinin më larg.

Më shikonin ne sy gjatë gjithë kohës, por edhe unë i shikoja e s`më trembej syri aspak!

Kishin shikim të ftohtë prej vrasësi.

Të thash se shokët tu s`po i njoh dhe të pyeta se pse kjo vizitë pa paralajmërim?

Ti më the se, jam i detyruar të ta përcjell një mesazh nga Xhavit Haliti dhe se këta janë dëshmitar për fjalët që po t`i them. Këta, më the ti, janë persona që do ta vërtetojnë nëse ta kam sjellë mesazhin që më kanë porositur.

Pastaj, vazhdove… Më the se tash është gjendje e jashtëzakonshme për shqiptarët dhe në gazetë duhet t`i referohesh vetëm të dhënave nga Shtabi i Përgjithshëm, Xhavit Haliti e LPK-ja.

Më the se s`ka më me e qitë në gazetë Ibrahim Rugovën, Tahir Zemën, “tre përqindëshin” e Agim Ramadanin, ka vetëm LPK dhe Shtab të Përgjithshëm.

Kur mi the këto fjalë, njërin prej shoqëruesve e sugjerove të dalë jashtë dhe të shikojë se mos po sillej dikush andej. Ai shoqëruesi tjetër u largua më larg.

Pastaj, më the: Xhevdet me më ndëgju mua, bëj çka po them se këta (dy vrasësit) kanë vra njerëz për Xhavit Halitin e për Shtabin e Përgjithshëm.

Prandaj ditë më parë të pyeta se a janë gjallë, se keni mundur t`ua humbni gjurmët për t`i mbuluar dëshmitë.

Milaim zeza, sa i përket firmave, se me para të kujt e kam bërë Botën sot, unë po të them se e kam bërë me paratë e mija!

Për firmën që po thua ti se e kam krijuar me Behgjet Sallahun e JAT-it, (se ty po të djeg shumë fjala JAT), t`i paskan dhënë informacionet gabim. Kurrë në jetën time nuk kam pasur punë me Behgjet Sallahun.

Duket se ta paskan ngatërruar me Behgjet Pacollin me të cilin kam bashkëpunuar.

Edhe diçka sa i përket kësaj: Behgjet Sallahu ka punuar me JAT-in dhe kjo ka qenë e ditur botërisht.

Ai nuk ishte azilant politik, për dallim prej teje!

Ti Milaim si patriot i madh ç`punë pate me JAT-in e Millosheviçit?

Vazhdojmë…Sa për dijeni tënden Milaim, që nga viti 1990 deri më 1995, unë Xhevdet Mazrekaj, në Zvicër i kam pasur tri firma.

Pra, kam pasur kapital e qarkullim 100 milionë CHF para formimit të “Botës sot”. Kjo është gjë që vërtetohet, se mbi të gjitha jetoj në një shtet si Zvicra e një qytetar i Zvicrës qëndron pas fjalëve e veprave të veta!

Kam qenë aksionar në firmën Turist Ag, shoqatë aksionare.

Aty, 33% të aksioneve kanë qenë në emrin tim, 33 % në emër të Behgjet Pacollit e 33% në emër të Hajdin Sejdisë.

Kjo firmë u hap me një koktej glamuroz, ku mori pjesë edhe Ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë në Vjenë, si dhe aktori i madh Bekim Fehmiu.

Madje, Bekim Fehmiu, atë mbrëmje më dha një kompliment, se po dukesh si aktor Holliwood-i.

Nuk e kam princip të lavdërohem, por po e përmendi këtë që të të bëj nervoz ty Milaim.

Nga ana tjetër, të gjitha firmat e medieve shqiptare në Zvicër kanë qenë të mijat.

Milaim, megjithëse e di që e din, por po ta rikujtoj se edhe zëri ku ke thënë se ke punuar ti, ka qenë në emrin tim.

Bile, kur ka ardhur Teki Dervishi në Zvicër, e kam bërë kryeredaktor të Zërit në vend të Agim Males.

Se Agim Mala nuk na përshtatej me orientimin tonë redaksional! Ne e përkrahnim Ibrahim Rugovën, e ai Rexhep Qosjen e Adem Demaçin.

Për këtë arsye, e lash të merrej me një rubrikë të lehtë, siç ishte “Këndi i njoftimeve”.

Pra, Milaim, nëse ti po mendon se të ka paguar Agimi, atëherë po të them që edhe nëse të ka paguar, atëherë paratë kanë qenë të firmës time.

Tek në vitin 1997 e kam shitur Zërin, në diasporë.

Milaim, edhe për granatën me të cilën është sulmuar “Bota sot”, ke bërë propagandë duke e quajtur inskenim, se kinse ne ia kemi gjuajtur bombën vetes.

Për fat të mirë, Zvicra e zbuloi terroristin e bombës dhe po del se granata është dërguar prej vendit ku e kanë pasur zyrën Kadri Veseli, Hashim Thaçi e Xhavit Haliti. Bomba ka ardhur nga posta e Oerlikonit.

Edhe ti bashkë me dy vrasësit, keni ardhur në zyrën time pikërisht nga Oerlikoni i Zvicrës.

Edhe diçka: Nuk e di se çfarë krijese je ti Milaim, që bën shpifje aq të ultë dhe merresh me vdekjen e motrës time. Kjo tregon se sa i pështirë je!

Po e konteston edhe raportin e mjekëve dhe shtetit zviceran për vetëvrasjen e saj.

A thua more Milaim, edhe shteti i Zvicrës, paska qenë i “involvuar” në UDB?!

Shumë absurde dhe e tmerrshme ajo që ke thënë.

Pikat tjera do t`ia jap gjyqit.

Unë e di që je frikacak Milaim. E di se nëse Xhaviti, Kadriu apo Hashimi të thonë mbylle gojën, ti do ta mbyllësh. E Momentalisht të paskan ndërsyer…

Related posts

Matoshi: Të majtët dhe kolona e pestë brenda LDK’së duan ndarjen e kësaj partie

dardanianews

Tronditë avokati Halilaj: Dosjet e Speciales që shkuan në zyrat e OVL-UÇK-së, u blenë nga ish-prokurorët serbë, ja sa milionë kushtuan ato?

dardanianews

Vuçiç përplaset fizikisht me Jeremiçin, shkak Kosova dhe Shqipëria

dardanianews