Përmes dekreteve për mobilizim total dhe ndryshimeve në doktrinën ushtarake, Erdogani po orienton Turqinë drejt një konfrontimi të mundshëm ushtarak me Izraelin. Me kontrollin absolut mbi ushtrinë dhe infrastrukturën civile, Ankaraja po eliminon çdo pengesë institucionale për operacione në territorin sirian…
Një seri masash të fundit të miratuara nga qeveria e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan tregon se vendi po përgatitet për një skenar lufte, të karakterizuar nga ndryshime rrënjësore në rregullat e mobilizimit ushtarak dhe civil, zgjerimin e sistemeve të furnizimit logjistik dhe një shtysë agresive për të çuar përpara aftësitë e raketave dhe dronëve.
Megjithëse Ankaraja nuk ka identifikuar shprehimisht një kundërshtar specifik, provat në rritje sugjerojnë se qeveria Erdogan po e drejton Turqinë drejt një konfrontimi të mundshëm ushtarak me Izraelin, ndoshta në territorin sirian.
Ky shqetësim përforcohet nga retorika gjithnjë e më luftarake e zyrtarëve të lartë dhe një ndryshim i dukshëm në doktrinën strategjike të Turqisë, në të cilën shteti hebre tani cilësohet si një kërcënim themelor për sigurinë kombëtare.
Erdogan është përpjekur edhe më parë ta shtyjë Turqinë drejt një përplasjeje të tillë. Në vitin 2010, pas incidentit vdekjeprurës të Mavi Marmara në Mesdheun Lindor, ai kërkoi një përgjigje ushtarake kundër Izraelit, por u bllokua nga rezistenca e gjeneralëve të lartë turq.
Tani kjo institucionale tashmë është shpërbërë plotësisht. Gjatë dekadës së fundit, Erdogan e ka konsoliduar në mënyrë sistematike pushtetin dhe e ka rikompozuar aparatin shtetëror.
Në vitin 2014, ai mbylli një hetim të gjatë nga antiterrori mbi një rrjet të lidhur me Forcat Quds të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, duke i hapur rrugën figurave pro-iraniane që të ngjiteshin në shërbimet e inteligjencës, policisë, ushtrisë dhe diplomacisë.
Pas tentativës për grusht shteti të vitit 2016, Erdogan kreu spastrime masive që larguan dhjetëra mijëra oficerë, përfshirë pjesën më të madhe të udhëheqjes pro-NATO-s brenda forcave të armatosura. Ai emëroi Adnan Tanrıverdi, themeluesin e grupit paramilitar SADAT, si këshilltarin e tij kryesor ushtarak dhe konsolidoi kompetencat e tij ekzekutive pas referendumit të vitit 2018.
Nën udhëheqjen e tij, Turqia e ka zgjeruar praninë ushtarake jashtë vendit, duke armatosur grupe islamiste në Siri e Libi dhe duke ngritur baza nga Somalia në Katar. Po ashtu Ankaraja ka thelluar lidhjet me Hamasin, duke u ofruar operativëve strehim, financim dhe madje shtetësinë turke.
Në të njëjtën kohë, shërbimi sekret turk ka përshkallëzuar goditjet ndaj rrjeteve izraelite, ndërkohë që ka anashkaluar praninë e xhihadistëve dhe inteligjencës iraniane në territorin turk.
Shenja më e qartë e këtij përgatitjeje u pa më 22 maj 2024, kur Erdogan nxori një dekret presidencial që prezantoi Rregulloren e re të Mobilizimit dhe Gjendjes së Luftës. Kjo rregullore e zgjeron në mënyrë dramatike autoritetin e qeverisë për të mobilizuar të gjithë infrastrukturën civile, ekonomike dhe institucionale për skenarë konflikti.
Duke zëvendësuar kornizat e vjetra, ajo vendos një sistem të krijuar për të kaluar vendin me shpejtësi në gjendje lufte, madje edhe pa një deklaratë formale. Në thelbin e saj, është koncepti i gatishmërisë së vazhdueshme në periudha “tensioni” dhe “krize”.
Këto kategori janë qëllimisht të paqarta, duke përfshirë trazira të brendshme ose kërcënime të perceptuara, duke e ulur ndjeshëm pragun për përdorimin e kompetencave të jashtëzakonshme.
Rregullorja prezanton doktrinën e “mbrojtjes tërësore kombëtare”, ku mund të sekuestrohen institucionet publike, kompanitë private dhe asetet e transportit si anijet e avionët. Civilët me aftësi të specializuara mund të caktohen në role mbështetëse ushtarake, ndërsa kompanitë mund të detyrohen që të prodhojnë mallra ushtarake. Rezervistët duhet të paraqiten brenda 48 orëve, ndërsa pronarët e mjeteve civile brenda 6 orëve. Autoriteti është konsoliduar tërësisht te presidenti, i cili mund të vendosë institucionet civile nën kontrollin operacional ushtarak dhe të rregullojë procedurat e evakuimit.
Ndonëse vendimet duhet t’i paraqiten formalisht parlamentit, dekreti lejon zbatimin e menjëhershëm. Sistemi mbështetet në mbledhjen e gjerë të të dhënave mbi burimet kombëtare, të ruajtura në sisteme elektronike të centralizuara.
Autoritetet gëzojnë kompetenca për të inspektuar entitetet private dhe siguruar pajtueshmërinë e tyre me planet e mobilizimit. Personeli i Inteligjencës Kombëtare (MIT) mbetet nën autoritetin e agjencisë së tyre, duke nënvizuar rëndësinë e operacioneve sekrete.
Mekanizmat ekonomikë janë gjithashtu pjesë e kornizës, me buxhete të planifikuara për emergjenca dhe grumbullim të mallrave jetikë në rast lufte. Shteti mund të detyrojë ofrimin e shërbimeve kur burimet financiare janë të pamjaftueshme. Rregullorja e vitit 2024, ndryshon rrënjësisht nga ajo e vitit 1990, e cila ishte më e ngurtë dhe mbështetej në kabinetin qeveritar. Modeli i ri është proaktiv dhe centralizon vendimmarrjen te Erdogan pa asnjë kufizim institucional.
Sektori privat është integruar thellë në planifikimin ushtarak përmes protokolleve paraprake. Zhvillime të tjera, si rregulloret për vendstrehimet në ndërtesa dhe blerja e sistemeve të transportit të karburantit, e përforcojnë më tej idenë e përgatitjes për një konflikt të gjatë.
Edhe pse Turqia ka infrastrukturë të karburantit të integruar në NATO, autoritetet po shtojnë kapacitete të pavarura logjistike. Retorika armiqësore ndaj Izraelit dhe lëvdatat për Hamasin si “mbrojtës i interesave të Turqisë” nuk janë më thjesht fjalë, por po formësojnë politikat e agjencive shtetërore.
Adnan Tanrıverdi, arkitekti i spastrimeve në ushtri, luajti një rol kyç në zëvendësimin e oficerëve laikë dhe me përvojë me besnikë islamikë. Gjatë krizës së vitit 2010, gjeneralët paralajmëruan rreziqet e një përplasjeje direkte, duke e parandaluar përshkallëzimin.
Të njëjtën gjë bënë edhe në fillimet e konfliktit sirian. Por pas vitit 2016, ky ekuilibër u prish. Më shumë se 2/3 e gjeneralëve u eliminuan dhe ushtria u ristrukturua mbi baza ideologjike. Sot, ushtria turke dominohet nga elementë neo-nacionalistë dhe pro-iranianë.Pa kontrollet institucionale të së kaluarës, nuk ka mbetur asnjë forcë e brendshme që të sfidojë vendimet strategjike të Erdoganit. Nëse ai zgjedh luftën me Izraelin, rruga është ligjërisht dhe operacionalisht e hapur.Ky transformim tregon se Turqia po kalon në një formë qeverisjeje ushtarake të dominuar nga lart, ku jeta civile, aktiviteti ekonomik dhe institucionet shtetërore, janë bërë pjesë e pandashme e makinerisë ushtarake.Duke zhdukur kufijtë mes kohës së paqes dhe emergjencës, regjimi aktual ka krijuar një mjedis ku burimet e vendit mund të kanalizohen menjëherë drejt një lufte që dikur dukej e paimagjinueshme, por që sot është pjesë e planeve zyrtare të Ankarasë./Pamfleti nga “Nordic Monitor”

