Ganimete Musliu e PDK-së tha se Mihali “ka prejardhje greke” dhe se “nuk ia do të mirën Kosovës”, derisa kërkoi themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e saj.
Tetë ditë më vonë, pretendimet e Musliut i vërteton një dokument të cilin e ka siguruar ekskluzivisht Paparaci.
Dejona Mihali, një nga eksponentët më të pushtetshëm brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Portretizohet si një një nga njerëzit që kontrollon shumicën e deputetëve dhe disa ministra të LVV-së.
Kjo funksionare e partisë në pushtet është vajza e një nënshtetasi shqiptar me kombësi greke, tregojnë të dhënat nga regjistri i gjendjes civile në Tiranë, Shqipëri.
Të dhënat e Regjistrit të Gjendjes Civile në Shqipëri, të cilat i ka siguruar Paparaci, tregojnë se Aleksandër Mihali, babai i Dejona Mihalit, është i deklaruar me kombësi greke pranë autoriteteve shqiptare.
I lindur në Tiranë, Aleksandër Mihali është i deklaruar si pjesëtar i komunitetit grek në Shqipëri, tregon dokumenti. Emri i gjyshit të Dejona Mihalit, bazuar në dokument, figuron të jetë Leonidha. Emri i gjyshës: Figalia.
Nëna e Dejona Mihalit quhet Lindita Mihali. Ajo, pranë Regjistrit të Gjendjes Civile në Shqipëri është e deklaruar me kombësi shqiptare.
Njëjtë është deklaruar edhe Dejona Mihali, koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo është deklaruar me kombësi shqiptare, tregojnë të dhënat pranë Regjistrit të Gjendjes Civile në Shqipëri.
Një dokument tjetër të cilin e ka publikuar Paparaci rreth dy javë më parë, ngrit dyshime mbi dokumentin identifikues të Mihalit në Kosovë.
Në letërnjoftimin e Dejona Mihalit, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, nuk janë të deklaruara vendlindja dhe nacionaliteti i saj. Nuk është i ditur as qyteti i saj i lindjes.
Në këtë dokument, Mihali ka vendlindje “të panjohur”, qytet të lindjes “të panjohur” dhe një zbrazëtirë te “nacionaliteti”.
Dejona Mihali është pjesë e të ashtuquajturit “Grup i Tiranës” në Lëvizjen Vetëvendosje. Pjesë e këtij grupi janë eksponentë në zë në LVV, të cilat kanë prejardhje nga Shqipëria. Aty bëjnë pjesë këshilltarët e kryeministrit Albin Kurti: Elvis Hoxha dhe Hysamedin Feraj.
“Grupi i Tiranës” ka tërhequr shpeshherë vëmendjen e opozitës në Kosovë, sidomos të atyre me prirje ideologjike kosovocentrike. Njëri prej tyre, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka cilësuar “të papranueshme” komentet e tyre politike ndaj aleatëve të Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se Mihali dhe pjesa tjetër e “Grupit të Tiranës” kanë tendenca kundër Republikës së Kosovës dhe aleatëve të vendit.
“Si është e mundur, që sot të më duhet të mbroj trupat e KFOR-it në Kosovë, që janë trupa në anën e Kosovës dhe popullit të saj, si mund me kaq lehtësi të sulmojmë publikisht sjelljen e aleatëve tanë kryesorë. Është e papranueshme, s’e pranon as LDK as qytetarët e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku, në një intervistë për RTK-në disa muaj më parë.