Pas dy javë rënie të numrit të rasteve pozitive me koronavirus , mbrëmë në Kosovë u konfirmuan 14 raste të reja, ndërsa u shëruan vetëm dy të infektuar.
Rezultatet e sotme ngriten dyshimet se ky mund të jetë sinjal i një vale të dytë të COVID-19 në vend, por sipas infektologut të QKUK-së, Valbon Krasniqi, rritje dhe rënie të numrit të të infektuarve mund të shohim edhe gjatë ditëve në vazhdim.
“Asnjë pandemi nuk ndalet në mënyrë të përnjëhershme. Oscilime të numrit të rasteve – herë më shumë e herë më pak, mund të shohim edhe ditëve në vazhdim”, tha Krasniqi
Sipas tij, rastet e reja janë sinjal që qytetarët duhet të vazhdojnë respektimin e masave parandaluese edhe më tutje.
Në radhë të parë të mbulojnë hundën dhe gojën me maskë, të kujdesen për higjienën personale, të mbajnë distancën fizike-sociale dhe të shmangen kontaktet me persona jashtë familjes dhe natyrisht për grumbullimin e njerëzve as që bëhet fjalë”, tha infektologu Krasniqi.