Me rastin e 26-vjetorit të rënies së akademik Fehmi Aganit, dje në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës u hap ekspozita tematike me titull: “Kontributi atdhetar, intelektual dhe politik i Akademik Fehmi Aganit”, realizuar nga PhD. Besnik Rraci dhe Dr. Sadik Krasniqi.

Ekspozita u realizua nga Muzeu Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me mbështetje financiare nga Shoqata “Sali Çekaj” në Zvicër, të cilën e përfaqësuan dhe na nderuan me praninë e tyre z. Shefqet Salihaj dhe z. Din Gashi.

Akademik Fehmi Agani ishte një nga figurat kyçe të viteve ’90 në Kosovë, i angazhuar ngushtë në procesin e konsolidimit të pluralizmit politik dhe në artikulimin e aspiratave të popullit për liri, pavarësi dhe demokraci. Në bashkëpunim të ngushtë me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova dhe intelektualë të tjerë të kohës, ai luajti rol udhëheqës në lëvizjen paqësore shqiptare, duke përçuar me profesionalizëm dhe thellësi mendimi çështjen e Kosovës edhe në qarqet më të rezervuara ndërkombëtare.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar rreth 300 fotografi, që dokumentojnë jetën dhe veprimtarinë shumëdimensionale të Akademik Aganit – nga formimi i tij intelektual deri te roli i tij i jashtëzakonshëm politik. Po ashtu, ekspozita përfshinë objekte autentike si syzet, stilolapsi, sakoja personale dhe busti i tij në miniaturë, si dhe botimet shkencore dhe dorëshkrimet origjinale që reflektojnë metodologjinë e tij akademike.

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 19 maj 2025 (ditë e hënë), në sallën e Akademisë. /Kosova.info/