8.8 C
New York
March 29, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

Flet ushtaraku, tregon pse u rishfaq Florim Ejupi – ky është skenari i frikshëm ndaj LDK-së

I përmendur në vrasjen e kolonel Tahir Zemaj, Florim Ejupi është rishfaqur pas shumë vitesh, ku ndër tjerash ka folur edhe për vrasjen e Tahir Zemajt, duke aluduar se personat që e vranë Zemajn janë brenda LDK-së.

“Nuk është në interesin e Armend Zemaj ta zbulojë kush e vrau Tahir Zemajn sepse i dalin njerëzit e tij. Nuk po them njerëzit shumë afër tij, por larg nuk shkon. E kam fjalën për njerëzit e partisë së vet”, tha Ejupi.

E këtë paraqitje të Ejupit pas ka shumë vitesh, ushtaraku dhe bashkëluftëtari i Tahir Zemajt, Saim Tahiraj nuk e quan të rastësishme, por me disa qëllime.

“Paraqitja publike e Florim Ejupit, për herë të parë pas shumë e shumë viteve nuk është rastësi. Asgjë në këtë botë nuk është rastësi, çdo gjë që ndodhë, ndodhë për një arsye dhe për një qëllim! Intervista e parë e Florim Ejupit ishte arsyet dhe qëllimet e veta. Arsyeja e parë ishte se u realizua pikërisht në këto momente ku ka filluar një zhurmë e madhe propagandistike kundër LDK-së”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, qëllimi kryesor ishte goditja ndaj LDK-së.

Image

Saim Tahiraj

FOTO GALERI

“Qëllimi kryesorë ishte goditja e LDK- së, me akuzën e turpshme se gjëja vrasja e kolonel Tahir Zemaj është bërë nga brenda LDK -së. Asgjë nuk duhet të na çuditë sepse është e njëjta luftë propagandistike si para lufte, në luftë dhe pas saj. Skenari dhe regjia e njëjtë. Nga i njëjti burim, në Kosovë i quajtur LPK ndërsa në Shqipëri i quajtur PS. Sulmet më të ashpra dhe më të pamoralshme po vijnë nga VV. Kjo po ndodhë sepse aty është barrikaduar një pjesë e shtabit të LPK-së, madje do thoja pjesa më e rëndësishme e tij”, thekson Tahiraj.

“Një pjesë e atij shtabi po sulmon nga PDK, edhe pse më i dobësuar për shkak të arrestimeve që bëri Gjykata Speciale! Kurse nga AAK sulmojnë herë pas here dhe tërhiqen për arsye se duan ta ruajnë këtë grimë pushtet që kanë dhe janë nën ethet e arrestimeve të mundshme nga Gjykata Speciale. Gjithashtu edhe sulme të ashpra dhe jashtë çdo norme morali, kanë filluar dhe po vazhdojnë nga qendra kryesore e atij shtabi në PS në Tiranë. Figurat kryesore të shtetit shqiptar dhe PS, kanë në shënjestër drejtuesit e PD-së, aleatit kryesorë të LDK –së”, shton ushtaraku Saim Tahiraj.

Më tej, ai thotë se paraqitja e tanishme e Florim Ejupit, është në koordinim me Shtabin e LPK-së.

“Paraqitja e këtij farë “qengji të butë ” në TV, është në koordinim të plotë me këtë shtab. Intervista e tij la të kuptohet se ky far “Melaqi ” ishte pjesë shumë e rrezikshme e operativës, i cili me të tjerët zbatoi urdhrat pikë për pikë të këtij shtabi! Vetëm emrat që përmendi mbrëmë e vërtetuan këtë. E gjithë kjo dramë tragjike që po ndodhë në Kosovë, që nga fillimi i rezistencës së armatosur nga viti 1991 e gjerë më sot, po ndodhë për disa arsye”, shprehet më tej Tahiraj për “Bota sot”.

“Njëra ndër arsyet kryesore është sepse ende askush në Kosovë nuk po dinë apo nuk po guxon ta bëjë dallimin esencial në mesë të UÇK -së dhe LPK –së. Fatkeqësisht as historianët tanë nuk po guxojnë ta trajtojnë këtë temë tabu, me përjashtim të Buxhovit. Kjo e ka sjellë gjithë këtë amulli, shtabi i LPK -së konsiderohet shtabi i UÇK -së dhe se fatkeqësisht, shumë padrejtësisht shtabi i LPK -së u bë pronar i luftës duke i mohuar dhe eliminuar të gjitha organizimet institucionale që nga 91 -ta e gjerë në përfundimin e luftës. UÇK nuk ishte vetëm e LPK-së! UÇK ishte i tërë populli i Kosovës në fronte lufte që veproi dhe ndihmoi forma të ndryshme, ishte edhe logjistika nga shtetet e Evropës dhe nga Amerika, pa të cilën as që mundë të imagjinohej zhvillimi i luftës”, thotë Saim Tahiraj.

Sipas tij, personat që u arrestuan nga Gjykata Speciale nuk janë nga shtabi i UÇK-së, por nga shtabi i LPK-së.

“UÇK si njëra ndër katër elementet që përbënin FARK -un, ishte ushtri edhe e gjithë atyre oficerëve dhe ushtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes të komanduar nga ministri Ahmet Krasniqi. Ky puq ushtarak nga LPK, që ndodhi në luftë, ky izolim kaq i pandershëm që ju bë dhe po vazhdon t’i bëhet UÇK -së, duke e paraqitur si pronë private e një organizate politike, është dëmi më i madh historik që po i bëhet luftës çlirimtare dhe vetë UÇK -së. UÇK nuk është pronë private e askujt, e asnjë organizate apo partie politike. UÇK është pronë e popullit dhe shtetit të Kosovës. Këta persona që u arrestuan nga Gjykata Speciale nuk janë nga shtabi i UÇK-së por nga shtabi i LPK-së”, nënvizon Tahiraj.

Ai thotë se askush nuk mundë të fshihet pas emrit të UÇK-së, pasi UÇK është emër shumë i madh gjithëpërfshirës.

Secili në mënyrë parciale duhet të përgjigjët për veprimet e veta. Askush nuk ka nevojë ta mbron UÇK-në sepse atë e mbron lufta e shenjtë për liri dhe pavarësi, secili duhet ta mbrojë vetëm veten e tij! Fshehja prapa emrit të UÇK-së është ligesi, atë mund ta bëjnë vetë individët me karakter të dobët! Slogani që po qarkullon gjithandej “LIRIA KA EMËR ” dhe duke e përsonifikuar vetëm me këta persona është gabim shumë i madh. Liria nuk është pronë e askujt dhe askush nuk guxon të identifikohet me të si pronar i saj. Liria është pronë e popullit dhe shtetit të Kosovës. Ajo erdhi si rezultat i gjithë asaj lufte titanike nga shumë breza. Atë e sollën heronjtë dhe dëshmorët e popullit tonë, atë e sollën mbi 1432 fëmijë të vrarë dhe masakruar. Atë e sollën rreth 400 masakra, atë e sollën aleatët tanë me NATO-n, të udhëhequr nga SHBA. Askush nuk guxon ta privatizoj lirinë dhe burgosi së bashku me disa persona. Liria është në çdo vend, në mbarë territorin e Kosovës, ajo është vetë frymëmarrja e popullit të Kosovës. Të gjitha televizionet në Kosovë duhet që sa më parë ta ndërpresin luftën propagandistike kundër Gjykatës Speciale, sepse ajo është gjykatë e Kosovës dhe punon në bazë të ligjeve të Kosovës”.

Ushtaraku Tahiraj bën thirrje që të mos pengohet puna e Gjykatës Speciale, pasi pa vendosjen e drejtësisë nuk do të ketë shtet funksional në Kosovë.

“Lëreni të qetë të punojë dhe drejtësia të vihet në vendin e vetë që i takon, mos paragjykoni verdiktin final sepse vetëm ajo gjykatë e ka të drejtën me vendosë. Pa vendosjen e drejtësisë, në Kosovë kurrë nuk do të kemi shtet funksional. Ndërpriteni këtë luftë të çmendur propagandistike kundër LDK-së, sepse pa LDK-në, kurrë nuk do kemi shtet të fortë dhe funksional. LDK është vetë shteti i Kosovës . Strukturat udhëheqëse të LDK-së dhe deputetët e saj, duhet të jenë shumë më aktiv, më të zëshëm kundër kësaj propagande shfrenuese dhe të mbrojë vlerat e saj”, deklaron Tahiraj.

Për fund, ushtaraku Tahiraj shprehet se në situatën e tanishme, sjellja e kryeministrit, Avdullah Hoti duhet të merret shembull.

“Deklaratat shumë të dëmshme të kryetarit të LDK-së duhet të ndërpriten dhe mos të përsëritën më. Shembulli më i mirë në gjithë këtë përzierje të keqe është Kryeministri Hoti dhe ministrat e LDK -së. Deklaratat e tij shumë të matura dhe qëndrimi neutral ndaj drejtësisë janë elemente shumë të rëndësishme që tregojnë se kemi një Kryeministër tamam burrështetas të kalibrit botëror. Ky është fati më i mirë që i ka ndodhur Kosovës , andaj ta mbështesim fuqishëm në mënyrë që Kosova të ecë përpara”, përfundon për gazetën “Bota sot”, ushtaraku Saim Tahiraj.

 

Related posts

Paralajmëroi se do të flasë me Vuçiqin për Kosovën, në pikëpyetje vizita e Lavrovit në Beograd

dardanianews

“Shqiponja me dy koka” që “çmend” serbët, kapen me përfaqësuesen e Shqipërisë në Eurovision

dardanianews

Sveçla i publikon pamjet brenda Manastirit, thotë se aty shihet Milan Radojçiqi

dardanianews