Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari ka arsyetuar punësimin e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në ndërmarrjet publike.Në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, Hajdari thotë se Mentor Hyseni dhe Dërmaku, nuk kanë asnjë post brenda Lëvizjes Vetëvendosje, ani pse të dy këta kanë qenë kandidatë për deputet të Kuvendit nga partia e Albin Kurtit.Hajdari shton se brenda gjashtë muajsh do të zgjidhen bordet me mandat të plotë.
Dje në mbledhjen e Qeverisë kemi shkarkuar bordet ekzistuese e më pas kemi emëruar bordet e përkohshme për Postën e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës – Infrakos dhe KRU “Prishtina”. Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët. Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike. Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash. Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LVV. Bordi i ri me mandat të plotë përzgjidhet përmes një procedure të hapur dhe transparente të konkurrimit jo më larg se gjashtë muaj prej tani.