10.8 C
New York
April 18, 2021
DardaniaNews
Featured Histori Lajme

Historiani i njohur tregon detajet: Ky ishte roli i Adem Jasharit me marrëveshjen e Ramiz Alisë me Ibrahim Rugovën

Me rastin e fillimit të Epopesë së UÇK-së, historiani Jusuf Buxhovi, përmes një shkrimi në facebook ka shkruar për komandantin legjendar, Adem Jashari dhe rolin e tij.

Sipas Buxhovit, Adem Jashari dhe familja Jasharin kanë qene të angazhuar në LDK.

“Adem Jashari, Hamzë Jashari dhe e gjithë familja Jashari që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta ka qenë e angazhuar në procesin politik të shtetndërtimit, të cilës i ka prirë LDK-ja. Madje në këtë angazhim shtetndërtues kjo familje është dalluar për seriozitetin e angazhimit, qoftë kur është fjala për organizimet e aktivitetit në nivel politik, por edhe në nivele të tjera, siç është kontributi i Rifat Jasharit rreth Fondit të Republikës së Kosovës, i cili më vonë në mënyrë pezhorative u quajt si “Fondi i Tre përqindëshit”, që realisht i mbante gjallë segmentet kryesore të jetës institucionale në Kosovën e atëhershme”, shkruan Buxhovi, përcjellë “Bota sot”.

Buxhovi ka treguar edhe rolin e Adem Jasharit në marrëveshjen mes Ramiz Alisë dhe Ibrahim Rugovës.

“LDK-ja madje që vitet e hershme e kishte të ashtuquajturin planin “B”, domethënë organizimin ushtarak. Opinionit tonë nuk i është shumë e njohur një marrëveshje midis dy shteteve, atij shqiptar me atë kosovar për një bashkëpunim ushtarak, problematikë kjo që shtrohet te vepra “Kosova” në pesë vëllime si dhe në botimin anglisht. Prandaj Adem Jashari është ndër prijatarët e zbatimit të marrëveshjes mes dy presidentëve, Ramiz Alisë dhe dr. Ibrahim Rugovës, për përgatitjen e formacioneve ushtarake dhe shndërrimin e tyre në formacione operative që në rrethana të caktuara do të futen në territorin e Kosovës dhe do të merren me organizimin e luftës në të gjitha nivelet”, shkruan ndër tjerash Jusuf Buxhovi, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

ADEM JASHARI NË KOSOVËN E PASLUFTËS

Nga Jusuf BUXHOVI

Opinioni kosovar sot është i mbërthyer brenda kllapave: presidenti historik dhe komandanti legjendar. Realiteti brenda të cilave sot jeton qytetari ynë në vazhdimësi bën trysni mbi ndërgjegjen e tij historike sa epitetet e tilla duken si eufemizma që mbulojnë një gjendje irracionale të jetës shoqërore të këtij aktualiteti tonë. Sa më shumë kohë që shkon dhe sa më shumë që konsolidohet një proces historik gjithnjë e më shumë vjen duke u kristalizuar ndërgjegjja historike, e cila shtron shumë imperativë jo vetëm nga individë dhe grupime shoqërore, por edhe nga qytetari i zakonshëm, të bëjë një ridimensionim të këtij procesi historik.

Kush është në të vërtetë komandanti legjendar Adem Jashari në këtë kostelacion të ndryshueshëm mental, cila është përmasa e tij reale dhe vendi në këtë proces historik?

Dy janë pozicionet reale:

a)Madhështia e sakrificës, dhe

b)Roli i tij në formacionet së pari politike e së fundi ushtarake.

Adem Jashari, si prijatar i gjithë familjes Jashari, së bashku më të vëllain, Hamzën, për shkak të një sakrifice të jashtëzakonshme, që tejkalon modelin e Oso Kukës, ofron shembullin e sakrificës sublime për një ide, idenë e shtetit të Kosovës dhe lirisë së popullit të Kosovës. Në këtë sakrificë kaq të dhembshme sa është shndërruar në një metaforë që përfshin sakrificën kolektive pa çmim, për një ideal. Përmasa e kësaj sakrifice ka bërë që emri i Adem Jasharit, që nënkupton të gjithë familjen, të marrë një referencialitet jo vetëm politik, por edhe shpirtëror. Nuk është i rastit lindja edhe sloganit të njohur, me rastin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur: “Bac, u krye!”, e cila më vonë pëson modifikime të ndryshme, por gjithnjë duke ruajtur në thelb atë mesazhin kryesor se sakrifica është me vend apo edhe se ajo po shpërdoret. Mirëpo, esenca e mesazhit mbetet e pandryshuar: ideali për të cilin u bë sakrifica duhet të jetë i përhershëm dhe se është figura e tij duke u mitizuar është ngritur në piedestalin e lirisë prej nga sheh gjithçka dhe që na qorton.

 

Mirëpo, figura e Adem Jasharit, duke qenë se është reale, se ka një histori, e cila ka pësuar transformime të ndryshme, na detyron ta trajtojmë këtë histori të personalitetit brenda një kornize reale aq sa edhe historike.

Adem Jashari, Hamzë Jashari dhe e gjithë familja Jashari që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta ka qenë e angazhuar në procesin politik të shtetndërtimit, të cilës i ka prirë LDK-ja. Madje në këtë angazhim shtetndërtues kjo familje është dalluar për seriozitetin e angazhimit, qoftë kur është fjala për organizimet e aktivitetit në nivel politik, por edhe në nivele të tjera, siç është kontributi i Rifat Jasharit rreth Fondit të Republikës së Kosovës, i cili më vonë në mënyrë pezhorative u quajt si “Fondi i Tre përqindëshit”, që realisht i mbante gjallë segmentet kryesore të jetës institucionale në Kosovën e atëhershme. Mirëpo, aktiviteti i tij nuk përmbyllet vetëm në aktivitetet rreth përditshmërisë politike në jetësimin e një projekti ideal, sepse përfundimi i këtij procesi kërkonte edhe angazhime të formave të tjera.

U pa qartë se pa një veprim ushtarak nuk mund të jetësohet deri në fund projekti historik i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Me kohë, duke evoluar proceset, edhe lëvizja shqiptare në Kosovë për pavarësi ndryshoi modalitetet e veprimit, duke e hetuar qartazi se pavarësia nuk mund të realizohet vetëm me metoda paqësore.

LDK-ja madje që vitet e hershme e kishte të ashtuquajturin planin “B”, domethënë organizimin ushtarak. Opinionit tonë nuk i është shumë e njohur një marrëveshje midis dy shteteve, atij shqiptar me atë kosovar për një bashkëpunim ushtarak, problematikë kjo që shtrohet te vepra “Kosova” në pesë vëllime si dhe në botimin anglisht. Prandaj Adem Jashari është ndër prijatarët e zbatimit të marrëveshjes mes dy presidentëve, Ramiz Alisë dhe dr. Ibrahim Rugovës, për përgatitjen e formacioneve ushtarake dhe shndërrimin e tyre në formacione operative që në rrethana të caktuara do të futen në territorin e Kosovës dhe do të merren me organizimin e luftës në të gjitha nivelet.

Të gjithë e dimë përbërjen e formacionit të djemve të rinj që ushtruan në Surrel, midis të cilëve shquhen Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti dhe shume emra të tjerë që me të drejtë trajtohen si nismëtarë të organizmit ushtarak në territorin e Kosovës.

Cili ka qenë roli i Adem Jasharit dhe i këtij formacioni ushtarak mbetet që më vonë të trajtohet nga historiografia ushtarake, e cila do të merret me shqyrtimin e strategjive dhe doktrinave ushtarake që do të zbatoheshin në rast të fillimit të luftës në Kosovë, gjë që e cila edhe ndodhi. Mirëpo, një gjë është e qartë: lufta në Kosovë momentin e vet të fillimit e ka në sulmin e policisë dhe ushtrisë serbe mbi familjen Jashari dhe me sakrificën e Jasharajve.

 

 

 

Related posts

LAJMI I FUNDIT: LDK nesër e mbledh Kryesinë në ora 10:00, në mesin e këtyre emrave e vendos kandidatin për kryeministër

dardanianews

Megjithatë Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë Qeverinë Hoti

dardanianews

Italia merr frymë nga koronavirusi? Kjo foto të bën optimist

dardanianews