Një inspektor në Prishtinë është kapur me 12 mijë euro ryshfet në dorë. Si duket ai i përket kampit të të majtëve. U raportua se ai është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, më pas në grupe të VV-së thanë se është i Partisë Socialdemokrate. Nga kjo parti thonë për Express se Gafurr Rexha kurrë s’ka qenë pjesë e saj. Ndërsa në profilin e tij në Facebook, inspektori i arrestuar ka pasur fotografi në përkrahje të Kurtit në ditën e zgjedhjeve.
Inspektori i Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Gafurr Rexha, u arrestua dy ditë më parë nga Policia e Kosovës pasi u zu në flagrancë duke i marrë 12 mijë euro nga pronari i një kompanie ndërtimi.
Por, sipas Gazetës Metro ai është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i pikës në Rimanishtë të Prishtinës.
Mbrëmë, Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook, e ka demantuar lajmin se Gafurr Rexha është anëtar i VV-së, duke thënë se ai është larguar nga kjo parti dhe i është bashkuar PSD-së.
Por, zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, për Gazetën Express tha se ai asnjëherë nuk ka qenë anëtar i PSD-së.
”Personi në fjalë s‘ka qenë asnjëherë në PSD. Kjo temë nuk ka të bëjë me PSD-në, andaj nuk ishim përfshirë në këtë diskutim”, tha Kuçi për Gazetën Express.
Megjithatë, asnjëra prej partive nuk e pranon se ai është pjesë e ndonjërës prej tyre.
Por, inspektori Gafurr Rexha dhe gruaja e tij, Dafina Berisha, me anë të disa fotografive të postuara në rrjetet sociale, kanë përkrahur haptazi kryetarin e VV-së, Albin Kurti.