11.8 C
New York
April 25, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

Rreziku nga formimi i komunave serbe në – ja me çfarë mund të përballet Kosova

Kur kanë mbetur edhe pak javë deri në rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, çështja e Asociacionit te komunave serbe, ka marrë sërish një vëmendje të madhe.

Kjo konsiderohet si një nga temat më të ndjeshme dhe më vështirë e dialogueshme në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

Krerët shtetëror të Kosovës nuk po pranojnë formimin e një asociacioni të tillë. Në Kosovë, të hënën erdhën për vizitë Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ata zhvilluan takime me krerët më të lartë të institucioneve të vendit, si me kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani, ku kërkesa bazike e tyre ishte dakordimi me Serbinë për çështjen e asociacionit.

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të formohet ashtu si merren vesh palët.

“Forma sesi duhet të bëhet Asociacioni është forma sesi do të dakordohen palët”, u shpreh Palmer.

Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak theksoi se marrëveshjet ndërkombëtare që arrihen mes palëve duhet të futen në legjislacionin e shtetit dhe kjo është çfarë ai ka thënë lidhur me ndryshimin e kushtetutave.

“Është një lloj tradite e mirë që më vendoset në gojë diçka që nuk kam thënë, ajo çfarë kam thënë është se kur arrihet një marrëveshje ndërkombëtare atëherë duhet të futet në legjislacionin shtetëror. Kjo është për çka palët mund të merren vesh në negociata”, u shpreh Lajçak.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të formohet Asociacioni një-etnik.

Njohësit e çështjeve kushtetuese dhe juridike në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” e vlerësuan si të rrezikshëm formimin e asociacionit dhe u shpreh skeptik se në fund mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje, kishte edhe një kërkesë jo shumë të dëgjuar më parë, mbi formimin e një asociacioni shqiptar në Luginën e Preshevës dhe rëndësinë e këtij asociacioni.

Burjani: Amerika dhe Bashkimi Evropian duket se ua kanë lënë Kosovës dhe Serbisë, që ta zgjedhin çështjen e asociacionit!

Image

Blerim Burjani

FOTO GALERI

Juristi, Blerim Burjani ka komentuar kërkesën e Mathew Palmer dhe Miroslav Lajçak, drejtuar Kosovës dhe Serbisë për të u marrë vesh për formimin e asociacionit të komunave serbe.

Burjani u shpreh se me këtë qasje të diplomatëve ndërkombëtar, duket se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, vështirë se do të arrihet.

“Qasja që po vendoset nga emisari ndërkombëtar ka një kuptim diplomatik, nëse doni merreni vesh, nëse nuk doni rrini kështu si jeni me problem dhe konflikte, tash duket se arritja e marrëveshjes nuk duket fare, fjalët politike dhe gjuha diplomatike që po përdoret nuk është inkurajuese aspak”, deklaroi juristi.

Sipas tij, Amerika dhe Bashkimi Evropian duket se ua kanë lënë Kosovës dhe Serbisë, që ta zgjedhin çështjen e asociacionit, nëse ato dëshirojnë të integrohen në BE, përndryshe mund të mbesin jashtë, kështu siç janë tani.

“Serbia dhe Kosova me këtë qasje mbeten në konflikt të ngrirë, tash palëve duket se ua kanë lënë këtë çështje po qe se dëshirojnë dhe kanë vullnet të ecin përpara dhe të integrohen në BE, duhet të gjejnë zgjidhje, nëse nuk dëshirojnë do të mbesin kështu si janë, Kosova dhe Serbia pa zgjidhje dhe pa integrime.

BE po tenton me i lutë edhe një kohë për zgjidhje, rreziku është me mbet pa zgjidhje me konflikt dhe pa paqe në Ballkan, pra të mbetet status quo, kjo është e dëmshme shumë dhe jo stabil për rajonin”, theksoi ai.

Burjani vlerësoi se qëndrimi i Palmerit është neutral dhe se diplomati amerikan ua ka lënë temën e asociacionit palëve negociuese.

“Plamer duket shumë neutral dhe ua la palëve temën për të cilën kurrë s’kanë pas marrëveshje as për asociacionin, e as për gjëra tjera. Po qe se dëshirojnë palët, nëse kjo mbetet qëndrim i Palmerit, atëherë s’do të ketë fare zgjidhje”, potencoi ai.

Në fund, juristi tha se më së lehti është që kjo çështje të lihet pa zgjidhje, pasi për asnjërën palë nuk po ka zgjidhje të favorshme

“Kosova nuk e zbaton marrëveshjen siç kërkon Serbia, në anën tjetër, s’ka as propozime e as kreativitet e as vullnet për zgjidhje nga Kosova e as nga Serbia. Më së lehti është me e lënë kështu si është pa zgjidhje, se nuk ka zgjidhje të favorshme për asnjërën palë”, përmbylli Blerim Burjani.

Kelmendi: Populli shqiptar nuk është popull i dorës së dytë!

Image

Muhamet Kelmendi

FOTO GALERI

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” tha se tani është faza kur para rifillimit të dialogut, po merren mendimet e palëve dialoguese, për tema të caktuara.

“Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë këtë muaj në Bruksel. Tash janë duke u marrë mendimet e palëve dhe në tavolinë do të jenë disa çështje të dëmshme për Kosovën.”, deklaroi ai.

Sipas Kelmendit, disa nga temat me të dëmshme për Kosovën që do të paraqiten në dialog janë, asociacioni si një autonomi e zgjeruar për minoritetin serb në Kosovë, manastiret dhe kishat serbe, si dhe kërkesa për përfshirjen e disa komunave jo serbe në asociacion.

“Përveç çështjeve të zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash, si energjia elektrike, qarkullimi i mallrave dhe njerëzve, sikundër edhe marrëveshjet tjera, do te paraqiten disa tema: Së pari, është asociacioni me një kombinim të kompetencave që në fund është një autonomi e zgjeruar për minoritetin serb në Kosovë. Se dyti, manastiret dhe kishat serbe do te paraqiten për diskutim, për të fituar gjerësi të kompetencave. Se treti, në asociacion do të kërkohet të futen edhe komuna jo serbe, si Mamusha dhe disa komuna serbe, brenda Kosovës”, theksoi ai.

Në vazhdimi, njohësi i çështjeve kushtetuese beson që në këto tema do të insistoj Bashkimi Evropian, ku madje e ka marrë edhe pajtimin nga Serbia.

Kurse, Kelmendi hodhi dyshime mbi kërkesat e Kosovës, pasi që nga Qeveria nuk u deklaruan për diskutimet e zhvilluara me Palmer dhe Lajçak.

“Me këto tema do të insiston UE, për këto çështje e ka marrë edhe pajtimin UE nga Serbia, ndërsa nga Kosova nuk ka të dhëna se çka është kërkuar që të dialogohet si tema kryesore. Është theksuar gjetja e të zhdukurve, reparacioni dhe dëmshpërblimi, rikthimi i mjeteve të plaçkitura dhe përgjegjësia penale për dhunë dhe gjenocid. Sa do të mbahen këto nuk dihet. As dje dhe as sot nuk u deklaruan nga Qeveria çështjet që u diskutuan me z.Palmer dhe z. Lajçak në Prishtinë”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, profesori kërkoi që kundrejt asociacionit serb, të futet me çdo kusht edhe asociacioni shqiptar në Luginën e Preshevës. Sipas tij, në këtë mënyrë do të bëhej edhe barazimi në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mirëpo, në dialogim, nëse quhet kështu, do të dalin temat e dëmshme. Kundër kësaj është dhe duhet të futet në reciprocitet si parim në marrëdhëniet. Kundruall, asociacioni serb kërkohet të futet domosdo asociacionin shqiptar në Luginë. Është e domosdoshme të bëhet ky barazim, në të kundërtën dalin çështjet imponuese dhe tepër të pabarabarta midis Kosovës dhe Serbisë. Thjeshtë dalin shqiptarët në popull të parëndësishëm dhe të cilin duhet shtypur, mos edhe asimiluar”, potencoi ai.

Tutje, Kelmendi konsideroi se me formimin e asociacionit shqiptar në Luginë, Kosova do ta kishte mundësinë të ndalet pabarazitë dhe veprimet e dëmshme të serbëve ndaj shqiptarëve në këtë pjesë.

“Kosova e ka mundësinë për të ndaluar këtë pabarazi dhe veprimtari të dëmshme. Nuk duhet lejuar që shqiptarët nën Serbi të humbin me dhunë vendet e veta dhe ato të asimilohen, ndërsa serbët në Kosovë të favorizohen si popull i zotit. Kjo nuk shkon, kërkohet ndalim dhe futje në veprim”, u shpreh ai.

Juristi tha se nëse nuk arrihet një gjë e tillë, atëherë trojet shqiptare në Luginën e Preshevës, veç do të serbizohen.

“Serbia e do asociacionin serb dhe Kosova duhet ta do asociacionin shqiptar në Luginë, me të njëjtat kompetenca dhe të drejta, asgjë kundër barazisë. Në të kundërtën do të jetë shumë rëndë dhe trojet shqiptare në Luginën e Preshevës, veç do të serbizohen, këtë nuk duhet lejuar”, deklaroi ai.

Në fund, Kelmendi tha se asociacioni është çështje shumë e rëndë për Republikën dhe kombin, dhe rruga e vetme për ruajtjen e vendit, është formimi i një asociacioni shqiptar në Preshevë.

Pasi, sipas tij populli shqiptar nuk është popull i pavlerë dhe i dorës së dytë.

“Mos futja e këtij parimi ndërkombëtar në marrëdhëniet bilaterale Kosove-Serbi, është çështje shumë e rëndë për Republikën dhe kombin, rrugë tjetër nuk ka për të ruajtur vendin. Gjithashtu, është anomali të shkohet dhe të diskutohet për qarkullim dhe energji, ndërsa mos të diskutohet për reparacione dhe dëmet e luftës, sikundër edhe për përdhunimet dhe dhunën e bërë gjenocidiale nga shteti serb. Populli shqiptar nuk është popull i pavlerë dhe i dorës së dytë”, përfundoi Muhamet Kelmendi, përcjell “Bota sot”.

Related posts

Dedektivja shqiptare nuk kursehet: Këto vajza të famshme të ekranit janë dashnoret e politikanëve

dardanianews

“Unë jam infermierja që i heq ventilatorin pacientëve… jam përgjegjëse për vdekjen e tyre”

dardanianews

Serbia shpall konkurs për pranimin e mjekëve në Kosovë

dardanianews