15.7 C
New York
June 24, 2021
DardaniaNews
Featured Lajme

Jo më deputet dhe profesor, pezullimi i 11 profesorëve nga UP, mundësi për kuadrot e reja

Qeveria Kurti po vazhdon qeverisjen e saj në mënyrën më të duhur të mundur, duke arritur të përmbush hapë pas hapi edhe premtimet që ai kishte bërë.

Kurti ka theksuar gjithmonë që ekonomia e vendit është në gjendje të rëndë dhe ka kritikuar personat që mbajnë nga dy vende pune, pasi që kështu ata i zënë vendin personave të tjerë, shkruan “Bota sot”.

E së fundmi, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka marrë vendim që të pezullojë punën e profesorëve që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e fundit në vend.

Vendimi është marrë për gjithsej 11 profesorë.

Profesorët për të cilët është marrë vendimi, vijnë nga të gjitha partitë shqiptare parlamentare, ndërsa kanë ligjëruar në fakultete të ndryshme të UP-së.

Ndër ta është edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ish-kryeministri Avdullah Hoti, prof.dr. Enver Hoxhaj, (Fakulteti Filozofik), prof.ass.dr.Ardian Kastrati, (Fakulteti Filozofik), prof.ass.dr. Ardian Gola, (Fakulteti Filozofik), ass.dr.Fitim Uka, (Fakulteti Filozofik),prof.dr. Kujtim Shala, (Fakulteti Filologjik), prof.dr. Avdullah Hoti, (Fakulteti Ekonomik), pof.ass.dr. Hikmete Bajrami, (Fakulteti Ekonomik), ass. Eliza Hoxha, (Fakulteti i Arkitekturës), prof.asoc.dr. Ferat Shala, (Fakulteti Inxhinierisë Mekanike), prof.asoc.dr. Shemsedin Dreshaj, (Fakulteti i Mjekësisë) dhe prof.ass.dr.Albena Reshitaj, (Fakulteti i Mjekësisë).

Kujtojmë që ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme kishte dhënë një opinion ligjor në drejtim të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në të cilën është kërkuar që 11 profesorët që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, të pezullojnë punën e tyre në UP.

“Në rast se nëpunësi i shërbimit publik zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë rastin e tij Ligji Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik në nenin 22, paragrafi 6 e ka përcaktuar kësisoj: “Në rastin e zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit, deri në përfundim të mandatit përkatës, në pozitë ekuivalente”, thuhet në opinionin ligjor.

Bytyçi: Në qeverinë Kurti s’ka dy vende pune

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se në qeveritë e mëhershme politikanët kanë pasur mundësi t’i mbajnë nga dy vende të punës, mirëpo e njëjta nuk do të vazhdojë me qeverinë Kurti.

“Në të kaluarën qeveritë kanë qenë më shumë politike se sa popullore. Politike në kuptimin sepse politika ka vendosur që të njëjtit politikanë t’i mbajnë dy a më shumë vende pune, ani pse numri i të papunëve ka qenë dhe është enormë në vendin tonë. Ka mjaftuar të jesh deputet dhe profesor fakulteti apo Ministër dhe deputet dhe të punosh në dy vende pune, të kesh dy apo me shumë rroga, duke llogaritur edhe mëditje të majme në udhëtime zyrtare dhe pjesëmarrje në komisione të ndryshme Parlamentare. Pra, politika ka vendosur për gjithçka kush ku mund të punojë, sa i përket punësimit ligji ka ekzistuar formalisht”, është shprehur ai.

Analisti ka cekur dy pasoja që kanë arritur të sjellë punësimi i të njëjtit politikan në dy vende, që sipas tij është rritja e numrit të papunëve dhe dëmtimi i nevojave të buxhetit të shtetit.

“Nuk diskutohet se punësimi i të njëjtit politikan në dy apo më shumë vende pune ka shkaktuar dy pasoja në të njëjtën kohë: 1) Rritjen e numrit të papunëve edhe ashtu shumë të lartë dhe 2) Dëmtimin pa nevojë të buxhetit të shtetit. Qeveria aktuale Kurti e ka ndërmarrë një vendim shumë racional dhe human: Nuk ka që i njëjti politikan apo kushdo tjetër të punojnë në dy vende pune, e tjetri qytetar të bredh rrugës pa punë”, ka vlerësuar ai.

Bytyçi shprehet i lumtur për vendimin që qeveria Kurti ka dhënë, pasi që sipas tij kjo do të ju lë hapësirë kuadrove të reja të punojnë.

Sipas tij, nëse në të njëjtën formë do të punonin edhe qeveritë e kaluara, atëherë numri i papunëve do të ishte më i reduktuar.

“Sipas të dhënave të sigurta më se 11 (njëmbëdhjetë) politikanë profesorë fakultetesh të cilët kanë marrë rroga edhe nga politika edhe nga fakultetet, janë detyruar t’i lënë rrogat në fakultete për t’ua lëshuar vendin kuadrove tjera të papunë dhe vet të kënaqën me rrogën e deputetit, të Ministrit, Kryetarit të partisë, përkatësisht të cilitdo vendi tjetër të punës. Sikur të vepronin edhe qeveritë pararendëse si Qeveria aktuale Kurti, pa asnjë fije dyshimi buxhetit të shtetit do t’i kurseheshin milionat, ndoshta edhe më shumë dhe me siguri se numri i të papunëve do të ishte reduktuar. Me të drejtë mund të parashtrohet pyetja: A thua sulmet aq të ashpra ndaj qeverisë Kurti nga disa politikanë të opozitës, të cilëve iu është ndaluar të punojnë në dy vende pune dhe t’i marrinë nga dy rroga, e kanë burimin në një vendim të tillë të qeverisë”, ka deklaruar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

Mehmeti: Një profesor të jetë vetëm në një fakultet dhe jo më shumë

Në anën tjetër, analisti politik Faton Mehmeti në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, është shprehur skeptik për largimin e disa deputetëve nga vendi i punës si profesor.

Mehmeti mendon se kjo mund ta dëmtojë Universitetin, derisa sipas tij ndoshta më mirë do të ishte që një profesor të jetë vetëm në një fakultet e jo më shumë.

“Mendoj se është gabim që Universiteti të largojë dikë nga puna vetëm pse është zgjedhur deputet, por jo më shumë se një vend punë, siç ka ndodhur në të kaluarën. Kështu që, besoj se është e drejtë që një deputet të jetë edhe profesor, por jo të jetë në disa fakultet, por vetëm në një”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, nuk duhet të humbet një profesor për post të deputetit dhe se UP duhet njëkohësisht të konsultohet edhe me studentët e saj para se të merr ndonjë vendim.

“Nuk kemi pse të humbasim një profesor të mirë për një post deputeti, kështu që duhet pasur shumë kujdes në këto vendime, e të cilat duhet së pari të kenë synim studentët, të shihet cila është zgjidhja më e mirë për ta. Çdo vendim duhet të jetë në përputhje me interesat e studentëve, e tek pastaj të merren këto vendime, të cilat mund të ndikojnë negativisht. UP duhet që të konsultohet edhe me studentët për vendimet e saja, jo të merr ato ad hoc”, ka deklaruar analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Related posts

Çka ndodhi me ish-punëtorin që i denoncoi Ramush e Daut Haradinajn për rrahje

dardanianews

A DO TË KETË PROTESTË NGA VV MË 4 MAJ – FLET ALBIN KURTI

dardanianews

I dashur Albin, pranoji kushtet e Isa Mustafës, ‘zbutu’ menjëherë, sepse veç njerëzit e jashtëzakonshëm lëshojnë pe

dardanianews