14.2 C
New York
December 11, 2024
DardaniaNews
FeaturedShëndetësi

Kosova drejt fitores së ‘luftës’ me koronavirus

Vetëm një person ka rezultuar pozitiv me COVID-19, nga 229 mostra të testuara të enjten në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Ndërkaq edhe njëzet e tetë persona janë shëruar, sipas njoftimit të IKSHPK-së.

Rasti i vetëm pozitiv, ishte një rast kontakti nga komuna e Kamenicës me vendbanim në fshatin Poliçkë.

“Sot më 07 maj 2020 janë testuar gjithsej 229 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, është diagnostikuar 1 rast. Rasti pozitiv është rast kontakti nga: komuna e Kamenicës 1 rast (sipas vendbanimit: 1 rast Poliçkë). Sot më 07 maj 2020, janë shëruar 28 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 561 raste”, thuhet në njoftim.

Kurse, të enjten u raportua edhe një rast i vdekjes, e gjinisë femër me moshë 63 vjeç nga Plavë-Dragash, e konfirmuar me COVID-19 me datë 24.04.2020, e cila kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Deri më tani nga data 08 shkurt deri më 07 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 9.314 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 861 raste, me 27 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Lajme të mira vijnë edhe nga Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku sot janë të shtrirë vetëm 12 pacientë, prej të cilëve tre pritet të lirohen në shtëpi pasi janë shëruar nga COVID-19.

Infektologu, Valbon Krasniqi ka folur për situatën në Klinikë dhe ka thënë se nga nëntë pacientët që janë të shtrirë, katër kanë dalë negativ në testimin e parë, të cilët nëse edhe në testin e sotëm do të rezultojnë negativ, atëherë do të lirohen për në shtëpi.

Krasniqi po ashtu bëri të ditur se një i moshuar është duke u trajtuar në repartin intensiv të Klinikës Infektive dhe është në gjendje kritike.

“I kemi 12 pacientë të shtrirë në Klinikë, tre do t’i lirojmë sot, kështu që do të kemi 9 pacientë që janë në duke u trajtuar aty. Nga këta 9, i kemi katër pacientë që për herë të parë kanë rezultuar negativ, nëse edhe sot ata rezultojnë negativ, do të kemi në fund të ditës me 4 ose 5 pacientë në klinikë, nëse nuk vijnë ndonjë i ri gjatë ditës. Megjithatë, ende vazhdojmë ta kemi në gjendje shumë të rëndë një të moshuar 77 vjeçar, që është në repartin intensiv të klinikës sonë dhe që përveç COVID-19, ai është edhe në dializë të rregulltë kronike, me vite të tëra dhe gjendja e tij vazhdon të jetë jashtëzakonisht kritike”, tha infektologu Krasniqi.

Ndryshe, komuna e Ferizajt, e cila pati më së shumti raste të të infektuarve, tanimë numëron vetëm nënte pacientë aktiv me COVID-19.

Nga 98 raste të përgjithshme sa kishte të prekur me COVID-19 në këtëë komunë, vetëm nëntë janë ende aktiv, ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Bekim Ademi, pas rezultatetev të së enjtes ku nga Ferizaj ishin shëruar pesë pacientë.

“Numri i të shëruarve ka shkuar në 87 nga 98 raste sa kanë qenë të prekur me COVID-19. Dy persona nga Ferizaj tashmë kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit me COVID”, tha Ademi në RTV Dukagjini.

Edhe fshati Llugagji i Pejës tashmë është larguar nga lista e vendeve që ka banorë të prekur me COVID-19.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci në RTV Dukagjini thotë se është lajm i mirë që në mesin e të shëruarve janë edhe tri gra shtatzëna që më parë ishin të prekur me COVID-19.

“Ato gra tashmë gëzojnë shëndet të plotë dhe iu urojmë shtatzëni të mbarë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Edhe në kryeqytet gjendja po vazhdonë të përmirësohet sa i përket rasteve me COVID-19.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë mbrëmë se tashmë janë shëruar nëntë pacientë me COVID-19, dhe se tani në kryeqytet janë vetëm pesë raste aktive.

Ahmeti gjithashtu ka apeluar të qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi

“Edhe sot asnjë rast në Prishtinë, e 9 të shëruara. Pra, prej sot kemi vetëm pesë raste aktive në Prishtinë. Por sot lajm edhe më i mirë është që kemi vetëm një rast shtesë në krejt Kosovën nga 194 testime. #rriNshpi”, ka shkruar ai në Facebook.

Në Kosovë, janë bërë deri më tani mbi 9 mijë testime për COVID-19, prej të cilëve 861 teste kanë rezultuar pozitive.

Gjendja ditëve të fundit ka filluar dukshëm të përmirësohet, duke qenë se tani ka shumë më shumë pacientë të shëruar nga kjo sëmundje, dhe ka vetëm 273 raste që janë ende aktive. Fatkeqësisht janë raportuar 27 persona të vdekur, të cilët ishin të prekur me COVID-19, por që te gjithë ata kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese. kurse, të shëruar janë 561 pacientëë deri më tani.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 07 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 3.874.350 raste të COVID-19 dhe 267.921 raste të vdekjes.

 

 

Related posts

Zyrtare: Bllokohen pikat kufitare në Bërnjak, Jarinjë dhe Merdarë

dardanianews

Lëvizjet dramatike të Edi Ramës në Maqedoni, Burojë e Prishtinë”/ Ja alarmi nga bashkëluftëtari i Sali Çekajt

dardanianews

Prezantohet nesër/ Kaq pritet të jetë vlera e koeficientit të pagave

dardanianews