Gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, presidenti serb ka akuzuar gazetarët për shpifje, në lidhje me fjalimin që mbajti në një qytet kroat në vitin 1995 dhe foli për Serbinë e Madhe. Edhe Zyra e Presidentit të Kroacisë u kishte kërkuar gazetarëve të mos bënin pyetje në lidhje me fjalimin në Glinë.
Shoqata e gazetarëve kroatë reagoi ndaj akuzave të presidentit. “Politikani që bën këtë ushtron presion mbi gazetarët dhe median, gjë që është e palejueshme në çdo shoqëri të civilizuar”, thuhet në njoftimin e Shoqatës Kroate, raporton KTV.
Gazetarët kroatë kanë dënuar gjithashtu thirrjen e kabinetit të presidentes kroate që homologut të saj serb të mos i bëhen pyetje në lidhje me fjalimin e vitit 1995, derisa ekzistenca e kësaj kërkese është konfirmuar nga dy televizione, RTL dhe N1.
Nga ana tjetër, pyetja në lidhje me fjalimin e luftës së Vuçiç në Glinë është në funksion të përballjes së tij me të kaluarën. Lidhur me të kaluarën, Vuçiç tha në Kroaci se kroatët dhe serbët kanë pikëpamje të ndryshme për atë që ndodhi, por kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të jetojnë dhe të flasin së bashku.

