Kryeministri në detyrë Albin Kurti u pyet nga Adi Krasta në Syri TV për ndjesitë që përjetoi kur pa pamjet e shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë të cilat, sipas tij, janë përjetuar shumë keq edhe në Kosovë dhe jo vetëm.
Sipas Kurtit, neoliberalizmi është më i egër ndaj publikes krahasuar edhe me ideologjitë diktatoriale.
“Teatri Kombëtar për ne është skena kryesore dhe njëkohësisht historia e kulturës sonë. Aty janë dhënë aq shumë shfaqje dhe drama që janë të paharrueshme për kujtesën tonë. Për ne ishte shumë e rëndë. Duket që në shikim të parë, neo-liberalizmi është disi më shkatërraq se fashizmi kur vjen puna te publikja. Neoliberalizmi e sulmon shtetin më shumë se ideologjitë e tjera diktatoriale, sepse është shteti kundër tregut. Shumë herët në mëngjes, në kohë të vështira të pandemisë, të papara për popullin tonë nuk kishte nevojë për një aksion të tillë”.
Por, a foli Albin Kurti me homologun e tij Edi Rama?
“Kur mora vesh lajmin ishte tepër vonë. Ishte një ndërmarrje pushteti që nuk donte diskutim. Nuk ke çfarë të diskutosh kur gjithçka është shembur, prandaj reagova dhe nuk i kam shkruar asnjë zyrtari në Shqipëri. Jemi të prekur nga një veprim i tillë i natës”.
Kurti u pyet edhe mbi atë se çfarë do të ndodhë me Vetëvendosjen në Tiranë.
“Përgjigja jonë është të organizohemi më parë. Aspekti elektoral nuk është pikënisja, pra duhet shumë organizim dhe punë të dendur. Degët e Vetëvendosjes janë të shtrira në rrethe, por në Shqipëri e ka shumë të lartë autonominë”.