Prokuroria Themelore në Gjilan, të mërkurën, ka ndaluar për 48 orë një të dyshuar, nën dyshimin për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Siç mëson gazeta fjala është për një mjek popullor nga Gjilani, i cili përmes rrjeteve sociale ka prezantuar një ilaç, me të cilin pretendonte se shëron koronavirusin.
Mjeku i arrestuar, Kadrush Abazi, bashkë me ilaçin që pretendonte se shëron koronavirusin ka postuar në rrjetet sociale edhe vendimet e Ministrisë së Tregtisë, me të cilat atij i njihet patenta për një ilaç bimor, që shëron bajamet, kështu duke munduar të jetë më i besueshëm edhe për barin që pretendonte se shëron koronavirusin, shkruan “Zëri.info”.
I njeti publikisht kishte kërkuar vullnetare, të cilët tashmë janë të infektuar me COVID-19, për ta provuar ilaçin e tij.
Përveç arrestimit të tij, Policia ka konfiskuar edhe barin dhe do të dërgohet për analizë në Institutin Bujqësor të Kosovës.
Kujtojmë se dje Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka bërë arrestimin e të dyshuarit, nën dyshimin e konsumimit të veprës penale ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’ neni 260 KPRK-së.
Policia e Kosovës siç ka njoftuar ka pranuar informatën se i dyshuari: K.A., viti i lindjes 1965, mashkull-kosovar, ka publikuar në rrjetin social Facebook një shkrim ku kërkon vullnetarë që janë prekur nga virusi COVID 19, e të cilët dëshirojnë të përdorin një bari ‘me bazë bimore’, të cilin e prodhon veta ai, pa pasur licence për prodhim të një ilaçi të tillë, shkruan FaktePlus.
E pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit policor, kanë njoftuar prokurorin kompetent, nga i njëjti është marrë autorizimi për veprime të nevojshme hetimore.
“Sot,më 15.04.2020, rreth orës 11.00, policia, në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik dhe Inspektorët Shëndetësorë ka kryer një kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një sasi alkooli dhe mostra të barit”, është thënë dje nga Policia.
I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.
Tashmë në llogarinë e rrjetit social të personit të dyshuar është fshirë shkrimi , i cili edhe e çoi në burg./FaktePlus