Vendimi që pritej nuk erdhi, ndërsa tash beteja për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvendoset në Gjykatën e Apelit. Avokati Skender Musa thotë se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara është në kundërshtim me ligjin penal të aplikueshëm dhe se mbrojtja duhet ta godasë atë në të gjitha bazat ligjore. Sipas tij, Apeli ka mundësi ta ndryshojë vendimin, madje edhe t’i shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së.
Musa në një intervistë për Ekonomia Online, tha se Gjykata ka pasur të drejtë të shqiptojë dënim maksimal deri 15 vite.
“Së pari, dua ta sqaroj se vendimi i Dhomave të Specializuara është në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm në kohën e kryerjes së veprave penale, për shkak se ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale është Ligji Penal i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe ai ligj parasheh dënim maksimal 15 vite ose dënim me pushkatim, apo vdekje. Gjykata ka qenë e obliguar ta zbatojë atë ligj dhe nuk ka pasur të drejtë të shqiptojë dënim 25 vite dhe as 18 vite. Kështu që, në këtë rast kemi shkelje të ligjit penal”, ka deklaruar Musa.
Ai ka ngritur kritika edhe ndaj mënyrës se si, ka funksionuar deri më tani procesi gjyqësor në Hagë.“Ajo që më ka rënë në sy gjatë aktivitetit, punës së kësaj gjykate është se deri tash asnjë të akuzuar nuk e ka shpallur të pafajshëm. Është e pamundshme që të gjithë të akuzuarit që akuzohen nga prokuroritë e ndryshme të jenë fajtorë. Kjo tregon që kemi të bëjmë me një gjykatë politike, të padrejtë dhe që ka mision me i dënuar ushtarët e UÇK-së, duke përfshirë edhe katërshen që veç i shpalli fajtorë dhe i dënoi”, është shprehur ai.Sa i përket hapave të ardhshëm, Musa ka thënë se pas pranimit të aktgjykimit nga palët, nis përgatitja e ankesave dhe se procesi në shkallën e dytë, sipas tij, mund të zgjasë rreth një vit, me mundësi që të ketë edhe zgjatje për shkak të kompleksitetit të dosjes.Zakonisht pas pranimit të aktgjykimit nga palët në procedurë, prokurori special, avokatët dhe vetë të akuzuarit përgatitin ankesat, dorëzohen brenda një afati 30 ditor ose 60 ditor për shkak të vëllimit të madh të lëndëve, varësisht sa do të jenë këshilla juridike në aktgjykim, dhe ashtu siç parashihet me ligjin e veçantë që e ka Dhoma e Specializuar, zakonisht sipas praktikës kjo gjykatë vendos për 12 muaj. Në këtë rast mund të shtyhet pak, ndoshta edhe 6 muaj më tepër për shkak se është një numër i madh i shkresave të lëndës, një numër i madh i seancave, i dëshmitarëve të dëgjuar e kështu me radhë. Mirëpo, apeli nuk merr afat shumë”, ka thënë Musa.Avokati ka theksuar se, sipas tij, mbrojtja duhet ta kundërshtojë aktgjykimin në disa baza, duke përfshirë pretendimet për shkelje të procedurës penale, mungesën e një gjykimi të drejtë dhe kundërthëniet që ekzistojnë ndërmjet pjesëve të ndryshme të aktgjykimit.Natyrisht që mbrojtja, por edhe institucionet e Kosovës do të veprojnë. Fuqishëm është edhe do të punojnë edhe si ekip edhe institucionet e Kosovës sepse në këtë rast dënimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk nënkupton që po dënohen në mënyrë individuale. Vepra që është konstatuar se është kryer në bazë të trupit gjykues është ndërmarrja e përbashkët kriminale. Ndërmarrja e përbashkët kriminale lë hapësirë për ta përfshirë komplet Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe emrin e saj. Edhe pse këtë e kanë theksuar që UÇK-ja nuk është e paligjshme, po kjo është vetëm një vendim. Ndërkaq në kuadër të veprës ndërmarrja e përbashkët kriminale përfshihet ushtria Çlirimtare e Kosovës, prandaj është e rëndësishme që edhe institucionet e Kosovës të përgatiten dhe ta ndihmojnë mbrojtjen sepse bëhet fjalë për interesat e shtetit dhe të kombit shqiptar”, shtoi Musa.Gjykata Speciale i ka dënuar me 81 vjet burgim në total 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Ai u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.Dhe Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim. Trupi gjykues e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme

