14.7 C
New York
October 9, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

LDK, PDK, AAK e NISMA i përgjigjen Agim Bahtirit, deklaratën ku përmendet vëllavrasja ia faturojnë Vetëvendosjes

Situata në vend, si pasojë e përhapjes së koronavirusit nuk po i ndal përplasjet politike. Pas mocionit, e paralajmërimit se mund të krijohet qeveri e re pa shkuar në zgjedhje, Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës e anëtar i LVV’së kërcënoi me vëllavrasje. Këto deklarata të tij i kanë dënuar nga partitë tjera politike, që duke folur për Gazetën Express vëllavrasjen ia kanë faturuar Vetëvendosjes

Kosova ka mbetur me qeveri në detyrë, në kohën e përhapjes së koronavirusit. Megjithatë, kjo situatë, që në disa vende të botës është bërë e papërballueshme, nuk po i ndal përplasjet politike në vend, që dy javët e fundit kanë shkuar vetëm duke u acaruar.

Është Vetëvendosje që nuk po pajtohet që të krijohet një qeveri e re, pa shkuar në zgjedhje. Me mendim ndryshe ndërkaq janë partitë tjera.

Sot gjatë ditës, duke kundërshtuar këtë skenar, kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri që në zgjedhjet e fundit iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje kërcënoi me vëllavrasje.

Derisa në partinë e Albin Kurtit janë distancuar nga këto deklarata, këtë qëndrim të Bahtirit e kanë dënuar partitë tjera politike në vend.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë për Gazetën Express se termi vëllavrasje nuk duhet që të lejohet të përmendet, e lëre më të ndodhë.

Ai thotë se në vend është koha për fjalë të urta dhe solidaritet, e se politika nuk duhet të helmojë qytetarin me thirrje të tilla.

“Shqiptarët nuk kanë lejuar dhe nuk lejojnë as termin vëllavrasje me përmend, e leje më me ndodhë. Ogurzeza dhe të dëshpruar kanë me mbetë nga durimi e pjekuria politike e shqiptarëve të Kosovës. Koha për fjalë të urta e solidaritet qytetar! Politika nuk guxon me helmu qytetarin me thirrje të tilla. Për Republikën e qytetarëve!”, ka deklaruar Haziri.

Atë se cka tha Bahtiri e kanë cilësuar si të papërgjegjshme në partinë e ish’kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj ka thënë në një përgjigje për Gazetën Express se në rast se LVV’ja ka ndonjë ankesë, duhet që të drejtohet në Gjykatë Kushtetuese.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ua rikujton të gjithë akterëve politik se duhet të besojnë në institucionet e Republikës së Kosovës. Thirrje të tilla si ajo e Agim Bahtirit janë të papërgjegjshme sidomoms në këto kohë kur të gjithë do të duhej të ishim të bashkuar në luftimin e COVID 19. Zoti Bahtiri dhe LVV për cdo ankesë që ata mendojnë se nuk është e bazuar në dispozita kushtetuese, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Të mos mendojë askush se mund t’i përdorë qytetarët e Kosovës si mish për top”, ka thënë deputeti Lekaj.

Në Nismën Socialdemokrate ndërkaq, shefi i grupit parlamentar, Haxhi Shala ka thënë për Gazetën Express se deklarata e Bahtirit është pjesë e doktrinës së Vetëvendosjes e një shqetësim shumë i madh për vendin.

“Çdo zyrtar politik që është fytyrë publike, deputet, ministër a kryetar komune, është zyrtar publik dhe duhet të ketë kujdes në deklarata. Kjo deklaratë më shqetëson shumë është një deklaratë e keqe në kohën më të vështirë të Kosovës dhe nuk i nevojitet 21 pas luftës te kemi deklarata vëlla vrasje, Kjo është doktrina e VV. ai nuk ka thënë asgjë pos asaj që e bëjnë LVV është një pjesë e doktrinë së LVV dhe një shqetësim shumë i madh për vendin”, deklaroi Shala.

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate nisur për media kanë deklaruar se kjo gjuhë e përdorur nga Bahtiri është duke nxitur një konflikt shoqëror në vend.

Ata kanë përmendur se edhe kreu i Qeverisë tashmë në detyrë, Albin Kurti e kishte përmendur në seancë gjakderdhjen, e njejtë kishte deklaruar edhe anëtari i LVV’së nga Shqipëria, Boiken Abazi.

“Ato filluan me Albin Kurtin në Kuvendin e Kosovës, i cili gjatë seancës paralajmëroi trazira, për t’u përshkallëzur me deklarata kërcënuese të Agim Bahtirit, Bojken Abazit, Artan Abrashit e përfaqësuesve të tjerë të LVV-së të cilët kanë folur për dhunë, anarki e vëllavrasje”, thuhet në reagim.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur pas mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

Në anën tjetër, kreu i LDK’së, Isa Mustafa ka paralajmëruar se mund të bashkohen në koalicion me AAK’në dhe Nismën për të krijuar qeverinë e re./GazetaExpress/

Related posts

Autobusi nga Kosova me 80 turistë përplaset në Vlorë

dardanianews

Deputeti kanadez me urim të ngrohtë në shqip për përvjetorin e pavarësisë: Tregon edhe lidhjet që ka në Kosovë

dardanianews

Degradon tërësisht debati: Tomë Gashi e quan Milaim Zekën idiot, monstrum dhe kondom për shumë përdorime

dardanianews