Reagime të shumta ka nxitur deklarata e përfaqësuesit të BE-së, Josep Borell, se mund të ketë një marrëveshje Kosovë-Serbi për korrigjim të kufijve, nëse pajtohen të dyja palët.
Kundër kësaj ideje kanë reaguar kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, AAK dhe LDK.
Ndërsa lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo varet nga të dyja shtetet, nëse ato pajtohen.
“Kjo varet nga të dy shtetet pra Kosova dhe Serbia, siç e dini një kohë të gjatë spekulohet, e debatohet për ndryshim të kufijve për të ardhur deri te një marrëveshje. E vërteta është se një zgjidhje duhet të gjendet, tash çfarë është ajo, kjo u lë palëve të vendosin për Borellin dhe SHBA një zgjidhje duhet të ndodhë, ata do të respektojnë palët në vendimet e tyre për një zgjidhje. Kjo po ndodhë. Të gjithë ata që kanë qëndrime të prera politike nuk e kanë mirë ose e kanë keq ose frikësohen, por në Kosovë flitet shumë për trimëri e patriotizëm, por me këtë retorikë fjalorësh politik nuk ka zgjidhje, Kosova dhe Serbia nuk mund të hynë në BE e askund, pa gjetur një zgjidhja”, është shprehur ai.
Sipas Burjanit, marrëveshja përfundimtare duhet të jetë që të pajtojë të dyja shtetet dhe të ndalen armiqësitë shekullore.
“Zgjidhja duhet t’i pajtojë të dyja palët, pra marrëveshje dypalëshe e pranueshme, ku ata në fund të kësaj marrëveshje njihen reciprokisht dhe ndalin armiqësinë shekullore. Pra lehtë është për të folur dhe për të bërë debate, por bashkësia ndërkombëtare kërkon zgjidhje e retorikë fjalësh. Tash ndodhë ajo që duan palët, nëse kanë pajtueshmëri për marrëveshje”, ka vlerësuar Burjani.
Ai thotë se se të gjitha opsionet janë të hapura, duke shtuar se është në duart e klasës politike që të vendosë.
“Të gjithë ata që thonë se kjo nuk është zgjidhja, as kjo, pra nuk pajtohen me asnjë, atëherë le të dalin e të thonë se cila është e pranueshme për të dyja palët, e jo të flasin çka të duan. Të gjitha opsionet janë të hapura, palët e kanë vendimin, çfarë të duan le të përcaktohen, kështu mendon unë, është në duart e kësaj klase politike të vendosin e kanë mandatin e popullit, ky mandat ju jep atyre kredibilitet për vendimmarrje”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.