8.6 C
New York
December 10, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

Merreni si shembull Ibrahim Rugovën

Nga Enver Robeli:

Nga politikanët e Kosovës Ibrahim Rugova ka qenë ndër të rrallët që ka mbajtur qëndrim korrekt në raport me zhvillimet politike në Shqipëri. Shumë politikanë kosovarë besojnë se protagonizmi politik në Tiranë i bën patriotë në Prishtinë. Fakti që jo pak politikanë të Shqipërisë me ambicie dëmshkaktuese përzihen në politikën e Kosovës e bën situatën edhe më të ndërlikuar. Rezultati është ky që po e shohim: mes qeverive aktuale të Kosovës dhe Shqipërisë komunikimi është afër zeros, ndërsa polemikat nga distanca pothuaj të përnatshme. Por ky nuk është zhvillim i ri, është vetëm epilog i pritshëm i keqkuptimeve shumëvjeçare. Mjafton të shikohet raporti mes Sali Berishës dhe Hashim Thaçit. E hapën tunelin e Kalimashit duke lavdëruar njëri-tjetrin si patriotë, ndërsa sot e quajnë shoqi-shoqin shërbëtor të Serbisë.

Prej politikanëve të Kosovës mbase vetëm Ibrahim Rugova ka ditur të mbajë qëndrim korrekt ndaj skenës politike të Shqipërisë. Nuk ka ndërhyrë në moçalin e atjeshëm politik dhe nuk është bërë palë e njërit apo tjetrit kamp politik në Tiranë. Më 1997, kur Shqipëria gati u hodh në ajër si pasojë e krizës së piramidave financiare dhe kur shumë kosovarë (mes tyre edhe zëra publikë si profesorë e publicistë mendjelehtë) nguteshin të pozicionoheshin o me Sali Berishën, o me “banditët e jugut”, Rugova lëshoi një deklaratë të matur që afërsisht tingëllonte kështu: ne në Kosovë po i përcjellim me shumë shqetësim zhvillimet në Shqipëri, shpresojmë që partitë do të gjejnë gjuhë të përbashkët për qetësimin e situatës. Paramendojeni Rugovën më 1997 nëpër studio televizive duke bërë thirrje për demonstrata të “berishistëve” kundër të djegurve nga rrënimi i piramidave financiare. Nuk mund ta paramendoni! Në atë kohë jo vetëm një pjesë e madhe e elektoratit të LDK-së, partisë së Rugovës, por edhe pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kosovës nuk kishin fare mirëkuptim për kryengritjen e armatosur të atyre që kishin humbur paratë në aventura financiare dhe tani po shndërroheshin në ushtri ilegale të Partisë Socialiste për të kapur pushtetin, të cilin – për hir të së vërtetës – Berisha e kishte keqpërdorur rëndë. Përballë këtij ballafaqimi ekstrem, Rugova nuk pranoi të acarojë situatën duke mbajtur anë në Tiranë. Një fushatë populliste kundër socialistëve dhe në favor të demokratëve gjithsesi do të ndezte masat në Kosovë. Por ky nuk ishte opsion për Rugovën.
Kur presidenti Sali Berisha më 1997 u përpoq ta eklipsojë krizën piramidale në vendin e tij duke iu bërë thirrje shqiptarëve të Kosovës t’i bashkohen protestave të opozitës serbe për zgjedhje të lira në Serbinë e Sllobodan Millosheviqit, Rugova nuk e dëgjoi dhe mori një vendim: nuk e takoi kurrë më Berishën, por as nuk tha fjalë të rënda kundër tij në opinionin publik. E injoroi. (Kjo qe e mundur edhe për shkak se nga viti 1997 deri më 2005 Berisha ishte në opozitë dhe nuk kishte mundësi të interferojë ndjeshëm në Kosovë. Por nuk ka asnjë deklaratë të Rugovës ku thotë se nuk do të bashkëpunojë me pushtetet legjitime në Tiranë).
Më 1997 Kosova kishte halle të tjera dhe aleanca me opozitën serbe, siç e kërkonte Berisha, me shpresën se kështu do të rrëzohet Millosheviqi, nuk ishte kauzë që do t’i ndihmonte Kosovës, sepse qëndrimet e opozitës politike serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, me ndonjë përjashtim, nuk dallonin prej atyre të despotit serb. Më vonë Rugova nuk e atakoi as kryeministrin Fatos Nano, kur ky i fundit në shtypin gjerman tha se pavarësia e Kosovës nuk është zgjidhje moderne e konfliktit. Natyrisht që Rugova nuk pajtohej me qëndrimin e Nanos, por nuk e shihte të udhës të hidhte benzinë në zjarr, të hapte fronte mes politikanëve shqiptarë në Ballkan, sepse e dinte se nga këto ballafaqime do të pësonin shqiptarët.
Njëherë, megjithatë, edhe Rugova është keqpërdorur: më 1994 Berisha deshi të bëhej sundimtar duke ndërruar Kushtetutën dhe në mitingje për referendumin e joshi për pjesëmarrje edhe Rugovën. Shumica e shqiptarëve votoi kundër planeve të Berishës. Rugova e kuptoi se ishte përdorur për beteja të brendshme politike të Shqipërisë dhe nuk toleroi kurrë më diçka të tillë. Atëbotë një artist kryengritës me emrin Edi Rama u shpreh i gëzuar që humbi Berisha, por edhe “presidenti i tij kosovar” (Ibrahim Rugova). Pastaj socialistët krijuan mitin që Rugova ishte ithtar dhe përkrahës i Berishës. Zhvillimet e mëvonshme politike treguan se nuk ishte. Por kjo nuk domethënë se Rugova e pëlqente stilin politik të socialistëve. Me një fjalë, qëndrimi i tij ishte ky: sa më larg polarizimeve në Tiranë, aq më mirë për shqiptarët në rajon. Po bashkëpunimit të ngushtë, larg konfrontimeve politike.
Rugova qëndroi larg edhe nga debatet shterpe, nga politika ditore, nga ngacmimet e fyerjet e ndërsjella, siç i praktikojnë politikanët shqiptarë andej e këndej kufirit. Rugova mbajti një distancë higjienike ndaj shumë gazetarëve të Tiranës që atëbotë bëheshin si disidentë dhe për të luftuar Berishën s’përtonin të sajonin lajme se presidenti shqiptar po provokon situatën në Ballkan duke dërguar “tanke në drejtim të veriut të vendit” (domethënë drejt Kosovës). Thua se nuk ekzistonte Serbia që kishte ndezur tri lufta dhe po bëhej gati për të katërtën. Kishte edhe tekste në gazetat e Tiranës të asaj kohe ku përkrahej ndarja e Kosovës apo një autonomi brenda “Jugosllavisë” (së përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi).

Rugova dëshironte ta bënte Kosovën të pavarur jo vetëm nga Serbia, por në kuptimin politik edhe nga Shqipëria e polarizuar thellësisht. Ishte kundër që Prishtina të eksportojë krizat e saja politike në Tiranë dhe anasjelltas. Ky qëndrim në retrospektivë e bën politikan edhe më vizionar, sidomos sot kur shohim grindjet dhe hidhërimet mes bajraktarëve të Prishtinës dhe Tiranës. Kryeministri paraprak i Kosovës komunikonte me presidentin e Shqipërisë dhe ankohej se po e injoron kryeministri Edi Rama, presidenti i Kosovës takohej me kryeministrin e Shqipërisë dhe bojkotonte drekat e presidentit të Shqipërisë. Kryeministri aktual i Kosovës u ankua këto ditë se homologu i tij në Tiranë po refuzon komunikimin.
Rugova angazhohej për bashkëpunim të ngushtë mes Prishtinës dhe Tiranës. E kishte dëshmuar këtë duke shkruar që në fillim të viteve 1980-të për shkrimtaren Musine Kokalari, të burgosurën e njohur të regjimit komunist shqiptar, duke përmendur e vlerësuar Faik Konicën dhe personalitete të tjera të rëndësishme të kulturës shqiptare, emrat e të cilëve ishin të ndaluar në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Kur në vitet 1990-të Rugova tha se do vijë dita kur kosovarët do të shkojnë për kafe në Durrës, sepse duhet të ketë një autostradë që do ta lidhë me bregdetin shqiptar jo vetëm Kosovën, por edhe veriun shqiptar të lënë në harresë, shumë njerëz e përqeshën, më së shumti rivalët e tij politikë. Në disa intervista në fillim të viteve 1990-të Rugova shprehet se qëllim përfundimtar i lëvizjes politike në Kosovës është bashkimi me Shqipërinë. Kur e vërejti se ky ishte iluzion i madh për shkak të gjendjes së rëndë të shtetit shqiptar dhe rrethanave të pafavorshme gjeostrategjike, ai iu përkushtua idesë së pavarësisë së Kosovës.
Për dallim nga Rugova shumë politikanë kosovarë besojnë se protagonizmi politik në Tiranë i bën patriotë në Prishtinë. Fakti që jo pak politikanë të Shqipërisë me ambicie dëmshkaktuese përzihen në politikën e Kosovës, natyrisht, e bën situatën edhe më të ndërlikuar. Rezultati është ky që po e shohim: mes qeverive aktuale të Kosovës dhe Shqipërisë komunikimi është afër zeros. Por ky nuk është zhvillim i ri, është vetëm epilog i pritshëm i keqkuptimeve shumëvjeçare. Mjafton të shikohet raporti mes Sali Berishës dhe Hashim Thaçit. E hapën së bashku tunelin e Kalimashit duke lavdëruar njëri-tjetrin si patriotë, ndërsa sot e quajnë shoqi-shoqin shërbëtor të Serbisë.
Para disa vitesh kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku mes personaliteteve historike kosovare nuk e përmendi Ibrahim Rugovën. U shkaktua një skandal në Kuvend, LDK braktisi sallën. Gabimin Rama u mundua ta korrigjojë duke vrapuar te varri i Rugovës. Tani konfliktin në Prishtinë Rama e ka me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën Rama e pati quajtur pasuri kombëtare. Nuk është se Kurtit nuk i pëlqen konflikti me Ramën. Mediat kundër Ramës në Tiranë nuk përtojnë t’ia përkëdhelin egon Kurtit duke e përshkruar si antipod të Ramës dhe duke e ftuar orë e çast në intervista. Rama nuk ngurron të kundërgodasë ku t’i jepet rasti.
Por sa janë të dobishme këto ballafaqime? Nuk kanë asnjë dobi. Sepse politikanët nuk janë publicistë, ata kanë mandate të marra nga qytetarët, nga votuesit, për të qeverisur, krijuar ura bashkëpunimi dhe koordinimi. Publicistët mund të grinden. Politikanët po ashtu, por jo politikanët e dy shteteve të ndryshme. Përkundër të gjitha përbashkësive, Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete. Interferimi i dyanshëm në politika ditore vetëm sa thellon keqkuptimet dhe ngrit tensionet.
Në Prishtinë ka politikanë që akuzojnë Edi Ramën se mbështet idetë e kryetarit të Kosovës dhe atij të Serbisë për prishjen e kufijve të Kosovës. Rama përpiqet të demantojë, por e ka vështirë të gjejë njerëz në Kosovë që i besojnë. Në Tiranë jo pak socialistë të rrethit të Ramës e shohin Lëvizjen Vetëvendosje si palë që shkakton turbullira politike në Shqipëri. A kanë ndonjë përfitim shqiptarët në rajon nga kjo kacafytje? Jo. Vetëvendosje nuk mund të bëjë ndryshime politike në Tiranë, fryma e ndryshimeve duhet të jetë burimore. Por po ashtu asnjë pushtetar i Tiranës nuk ka fuqi të ndryshojë raportin e forcave politike në Kosovë.

Mund të ketë njerëz që besojnë se debatet (sado të helmuara) mes politikanëve të Prishtinës dhe Tiranës janë dëshmi se hapësira politike shqiptare po integrohet. Në të vërtetë integrimi i kësaj politike të pistë shqiptare nuk duhet të ndodhë. Sepse nuk zgjidh probleme, vetëm i thellon problemet. Do të integrohet dhe bëhet e përbashkët për interesa gjeostrategjike të shqiptarëve në Ballkan vetëm ajo klasë politike që flet dhe punon për zhvillim të shpejtë ekonomik, për hapje të vendeve të punës, për ndaljen e ikjes së njerëzve në Europën Perëndimore, për sundim të ligjit, për administratë efikase. Këto janë parakushte për mirëqenie në të dy shtetet shqiptare në Ballkan. Meqë në këtë drejtim mendohet pak ose fare, politikanët në Tiranë dhe Prishtinë e kanë zbuluar një sport të ri: si t’ia turbullojmë ujin njëri-tjetrit. Edhe kështu bëhet politikë. Por jo për shumicën e qytetarëve të të dyja vendeve, të cilët gjithnjë e më shumë mendojnë të braktisin atdheun. /koha.net/

 

 

 

 

 

Related posts

Zyrtari i LDK-së thotë se ka udhëtuar për të dëshmuar në Hagë

dardanianews

Video: Putin sulmon NATO’n në sy të presidentit francez për sulmet ndaj Serbisë në vitin 1999

dardanianews

Milaim Zeka: Albin Kurti po përgatit trazira në Kosovë

dardanianews