Ndryshimi i motit vjen këtë fundjavë, megjithatë mbetet ende ngrohtë.
Përpos intervale kohore me diell priten rrebeshe lokale shiu të shoqëruara edhe me vetëtima dhe bubullimë. Vende-vende priten rrebeshe intensive, por të karakterit lokal.
Reshje të dendura dhe gjithëpërfshirëse vijnë të hënën si rezultat i zhvendosjes dhe zhvillimit të një cikloni gjigand në Evropën juglindore.
Vranësirat do të vijnë nga jugu, pra reshjet do të nisen që nga Greqia, përmes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të arrijnë edhe në Kosovë duke u intensifikuar orëve të pasdites ose mbrëmjes së të hënës.
Me ardhjen e reshjeve të dendura do të fillojnë të fryjnë erëra të ftohta nga veriu dhe verilindja dhe ka gjasa që të fillojnë reshje të dendura bore në shumë pjesë të Republikës së Kosovës, shkruan Meteoballkan.
Ekzistojnë shanse reale që reshje bore të ketë në gati të gjitha ultësirat e Republikës së Kosovës, por tani modelet numerike-kompjuterike janë në fazën e fundit të përpunimit të trajektores së saktë të ciklonit, sasisë dhe llojit të të reshurave.