8.1 C
New York
April 26, 2024
DardaniaNews
Lajme

Në kujtim të jetës dhe veprës së Veli Krasniqit

Sot me datën 30.05.2017, behën plot tri vite që ka ndërruar jetë Veli Krasniqi.

Veli Krasniqi, sikurse shumë shqiptarë të Kosovës, emigruan në Perëndim (Gjermani), të shtyrë nga gjendja e rëndë ekonomike që e kishte kapluar popullin shqiptar nga okupimi, e tëra kjo vinte si refleksion i rrethanave politike. Veli Krasniqi, përgjatë 40 vjetëve sa punoi dhe veproi në Gjermanisë, për asnjë moment nuk e harroi familjen, farefisin dhe Kosovën, për të cilat dha një kontribut të çmueshëm në të gjitha fushat. Veli Krasniqi me bashkëshorten e tij Mihrije Xhyliqi-Krasniqi, u martuan në vitin 1961 dhe kishin gjithsej shtatë fëmijë. Babë Veliu, dhe nënë Mihrija përveç që u munduan ta ruanin traditën e të parëve, ata me çdo kusht përpiqëshin që në forma të ndryshme familjen e tyre ta çonin përpara, drejt ardhmërisë dhe përparimit. Sidomos në atë të shkollimit, edukimit dhe kultivimit të çështjes kombëtare.

 

Dy fjalë për librin me titull:

“GURBETQARI (Dialog me Veli Krasniqin, mërgimtari i vitëve të 70-ta)”, të autorit Pajazit Krasniqi

 

Ambicia për të gjetur një jetë më të begatshme, kudo në tokën e gjerë, rëndom është një veçori mbarëbotërore. Njerëzimi gjithmonë është në kërkim të asaj që ia lehtëson jetën dhe që është në koherencë me dinjitetin e tij. Deri këtu, zhvendosja nga vendlindja ka natyrshmërinë e kërkimit dhe aventurave jetësore të cilat variojnë nga shtegtimet me kënaqësi e deri tek sfidat dhe peripecitë e vështira. Libri “Gurbetçari” ka poashtu si protagonist jetëshkrimin e një njeriu që largohet nga vendlindja e tij dhe emigron në Gjermani. Por, autori Pajazit Krasniqi na ka sjellur në librin e tij jetëshkrimin e një njeriu që asnjëherë nuk e kishte dëshirë emigrimin dhe dashuria e këtij protagonisti për vendlindjen i kapërcente të gjitha ambiciet personale. Emigrimi i tij bëhet ikje e dhimbshme sepse është në kërkim të mbijetesës kolektive. Është ky gurbetçari Veli Krasniqi, protagonist i këtij libri, tani një plak, që jeta i ka mësuar shumë urti. Në këtë libër ai rrëfen kohën si fëmijë, adoloshent dhe si burrë dhe plak i pjekur. Ai rrëfen copëza jete të pajetuara për të cilat rrethanat e kohës e kishin bërë që vetëm t’i shikonte si fragmente ëndërruese. Bacë Veliu hesht aty ku fjala nuk mund të depërtojë për të dhënë tablonë e plotë të kuptimit. Bacë Veliu evokon kujtime e kujtime të dhimbshme që iu falën sakrificës për mbijetesë, për familje dhe atdhe.

Largimi  nga vendlindja ishte një ikje e pavullnetshme!  

Nostalgjia për të kaluarën, e cila, rëndom te çdo njeri zgjon ndjenja infantile, me plot ngjarje të paharruara, e shtyn ketë gurbetçar që edhe më tej t’i ndrydh ndjenjat, t’i plagosë ato. Është një ikje, madje, një barktisje e dhunshme që nuk vjen si zgjidhje e vullnetshme, por, si ofertë për t’u sakrifikuar. Është pikërisht kjo ndjenjë e sakrificës që e mban zgjuar një ideal tejet fisnik, që kujtohet e përkujtohet çdo herë, që mbahet brenda shpirtërores dhe herë herë shpërthen në sytë dhe zemrën e gurgetçarit që rrah fortë, që rrudh vijat e fytyrës tek reflekton mall dhe nostalgji. Është si një ikje në shkretëtirë jo pse nuk ka njerëz dhe jetë, por është ajo zonë që s’ngroh dot as me dritë e as me ngrohtësi, është, një dënim ndjenjash të pafajshme, dhe, kulmi:  e vështirë të jesh fitues ndaj këtij realiteti! Teksa nxjerrim në dritë këtë monografi jetëshkrimi të mërgimtarit Veli Krasniqi dhe njëherit baba i dëshmorit Naser Krasniqi, ne, në fakt, hedhim dritë mbi peripecitë e gjithë popullit shqiptar të cilin sfida e gurbetit e shoqëroi në të gjitha epokat e rritjes së kombit. E shoqëroi edhe atëherë kur ishte në paqe edhe atëherë kur ishte në luftë, atëherë kur ishte i lirë dhe i okupuar. Ishte sfidë  e shpresës për mbijetesë por ishte edhe sprovë burrërie që e shtynte ndjenjën njerëzore gjer në kufijtë e durimit, urtësisë dhe qëndrueshmërisë. Ne vetëm sa po nxjerrim në pah një shkëndijë të asaj zjarrmie që ndizej përbrenda popullit tonë dhe reflektonte dritë nga jashtë. Lexuesi në këtë monografi, do t’i shohë të dy anët e jetës së një mërgimtari, zjarrminë e brendshme, që e kaloi me durim e maturi dhe reflektimin e jashtëm që ndriti shpresë për pasardhësit, fisin dhe atdheun.

 

 

Arkiv i trashëgimisë shpirtërore tradicionale

Rrëfenja që paraqet Veli Krasniqi në këtë bashkëbisedim është një lloj arkivi në miniaturë që shfaqet në muzeun e letrave përmes këtij libri. Është dëshmia e një jete të jetuar që nga fëmijëria nëpër flakët e vështirësive e që vëzhgohen me kujdes ngjarjet e mëdha që shoqërojnë njeriun shqiptar në përgjithësi. Këtu, jeta e bacë Veliut na del si një mostër e gjithë atyre jetëve të mbushura me dhembshuri. Kështu Veli Krasniqi, që si fëmijë, do të dëgjojë për vrasjet dhe torturimet e paraardhësëve të tij nga pushtuesit sllav, pastaj, i përjeton këto edhe gjatë jetës së vet dhe përskaj kësaj e vë modelin tradicional të mënyrës së jetesës së shqiptarit në kohët e tij. Familja e madhe është bërthamë e kombit që mban fuqishëm lidhjet e rezistencës dhe edukimit nëpër sfidat e kohës, që Veliu e quan “kohë pa kohë”. Urtësia e kullave, që protagonisti i librit i quan “parlamente burrash” që në vend të deputetëve ka pleqnarë, pastaj, mikpritja e besa, dëgjueshmëria ndaj të zotit të shtëpisë dhe të moshuarëve, e bëjnë këtë libër që të bartë me vete një thesar shpirtëror që kombi ynë e ka në gjenezën e tij. Është kjo një trashëgimi kolektive me të cilën kombi kishte marrë formë, i rezistonte armikut dhe rritej nëpër egërsitë e pushtimeve.

Morali rezistues

Teksa rikthehet në vitet e hershme protagonisti i librit na rikthen tek vlerat më të mëdha të kombit. Ai i mbetet besnik përfytyrimit që shoqëria kishte klasifikuar të ndershmen, humanen dhe solidaritetin në njërën anë, dhe, jonjerëzoren në anën tjetër. Veli Krasniqi rrëfen edhe për vlerat fetare myslimane që e kishin mëshiruar dhe forcuar moralin familjar shqiptar, apo siç shprehet ai, se nëse njeriu do të bëjë “marre” në moralin e tij, atëherë atë  “pikë të zezë” s’mund ta lajë as Drini. Përsosja e moralit kapërcen edhe kufijtë mitikë, teksa rrëfehet mikpritja e mikut ku edhe pse në skajin e varfërisë, për atë gjithmonë ruhej një bukë gruri, ndryshe nga ushqimi i familjarëve që kishin vetëm bukë misri. Madje, atë pak miell gruri që e fshehnin nga armiku, pasi, që dhuna e tij shkonte përtej imagjinatës së matshme njerëzore: Familjeve shqiptare ua merrte miellin e grurit edhe nga magjet dhe, siç shprehet bacë Veliu, e fshienin magjen me “krahë qure”.  Një jetë e jetuar me izolim nga pushteti jugosllav, me tortura e vrasje, por që gjithmonë kishte gjetur rrugët, ndonëse të mundimshme, për të mos u nënshtruar asnjëherë. Nataliteti në rritje i familjes së Veli Krasniqit, që ai e quan  “familje e madhe me shumë meshkuj” dhe fama që gëzonte familja e tij nga rrethi, i kishin dhënë shoqërisë atë që pritej nga një familje fisnike, imamë të xhamisë, djem punëtorë, dëshmorë, kullë që mirëpriste mysafirë çdoherë dhe mbante kuvende në shërbim të kombit. Veli Krasniqi në këtë libër rrëfen entuziazmin, kur pas një punë të mundimshme me plot lodhje, familja e gjerë gjen rimëkëmbjen ekonomike, dhe, e gjithë sakrifica e tij mbetën nën hijen e asaj hareje familjare, mbetet, një rrëfim i patreguar dhe që s’mund të tregohet ndryshe përveçse me gjuhën e shpirtit. Veliu përtej lodhjes dhe mallëngjimit për fëmijët dhe familjen e gjerë, përtej vetmisë dhe punës në gurbet, shihte rimëkëmbjen dhe rezistencën që familja e tij bëjnë kundër pushtuesit. Gjithnjë teksa kthehet në kohët e kaluara, dimensioni kohë-hapësirë merr ngjyrime tepër emocionale sepse aty fjalët marrin akull dhe flakë. I fshehur në përndritjen e shpresave që u jepte të tjerëve, ky gurbetçar, me vetëdije të plotë dhe me moralin fisnik, fillon dhe mbaron misionin duke e mbushur jetën e vet me zjarrminë e sakrificës, punës së palodhshme dhe durimit të pamatshëm. Madje, mbetet i palëkundur gjer në fund se mundi ia kishte vlejtur dhe se “gurbeti është i ftohtë akull” por puna në të ishte punë për traditën dhe kombin e vet. Rrëfimi i tij e tërheq lexuesin deri tek rezistenca kulmore shpirtërore që përjeton  kur Veliu merr lajmin se pas rezistencës ndaj armikut, bie dëshmorë djali i tij, Naseri. Cila do të ishte fjala e fundit për të birin? Cili do të ishte ngushëllimi? Lexuesi do të pyesë dhe përgjigjen mund ta marrë edhe në fillim të rrëfimit, kur, familja e Naserit, dhe më vonë edhe vet Naseri, tashmë dëshmor i kombit, bëjnë vepra lirie, por, edhe në fund, kur ai bëhet vetë pjesë e lirisë. Tani, babai i dëshmorit, për rënien e Naserit shprehet: “…po e shoh në lirinë e Kosovës”. Kështu, në këtë mënyrë rrëfehet jeta e një kurbet-çari që kësaj rruge ia fillon me porosinë e të parëve të tij, që atë grosh që do ta fitojë të jetë me djersë “e jo haram”, -siç e kishte porositur babai i tij. Pastaj, atë traditë kombëtare e kishte marrë me vete edhe në skajet më të largëta të urbanizmit dhe kulturave të shumëllojta vetëm e vetëm që të realizoj tek pasardhësit ato ambicie që për vete e kishte vetëm në ëndrra, pa mundësinë për t’a jetuar: Jetën në liri me atdheun e bashkuar.

Redaktuar nga Imer Pantina

 

 

 

 

 

 

Veli Krasniqi në moshën 20 vjeçare

 

Veli Krasniqi, në moshë të mesme

 

Smail Hoxha me dy bijtë, Veli dhe Qerim Krasniqi

Veli Krasniqi, në foto me të birin Naser Krasniqi në Munih të Gjermanisë

Mihrije Krasniqi, bashkëshortja dhe Nurije Krasniqi, vajza e Veli Krasniqit

Veli Krasniqi, me të birin Sadik Krasniqi dhe autori i librit, Pajazit Krasniqi

Pamje gjatë varrimit të Veli Krasniqit me 31.05.2017, në Ratkoc

Related posts

Lajmi i fundit: Marrëveshja e dakorduar – të mos flasë askush për media

dardanianews

Sa para duhet t’i keni në xhep për të hyrë në shtetet e zonës Schengen?

dardanianews

Ftesa e hapur e Vuçiqit për luftëra të reja ballkanike” – paralajmërohen qeveritë shqiptare

dardanianews