Çdo 31 tetor, në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, rrugët mbushen me njerëz të maskuar, drita, dekorime të frikshme dhe festime që shënojnë Halloween-in. Kjo festë, që sot shihet si një ngjarje argëtuese për fëmijët dhe të rinjtë, në fakt ka rrënjë shumë më të thella dhe më të errëta në historinë e njerëzimit. Halloween-i e ka origjinën në festën e lashtë kelte të Samhain-it, që shënonte fundin e verës dhe fillimin e dimrit, periudhë që për keltët simbolizonte kalimin midis jetës dhe vdekjes.
Ata besonin se më 31 tetor, vija që ndante botën e të gjallëve nga ajo e të vdekurve dobësohej, duke lejuar shpirtrat të ktheheshin përkohësisht në Tokë. Më vonë, me përhapjen e krishterimit në Evropë, Kisha tentoi ta zëvendësonte këtë festë pagane me një festë fetare: Dita e Shenjtorëve, që më vonë u shndërrua në “Halloween”. Megjithatë, shumë nga simbolet dhe elementet pagane mbetën të pranishme në formën moderne të saj.
Disa grupe të krishtera e konsiderojnë këtë festë si një mbetje të ritualeve okulte dhe të adhurimit të shpirtrave, që bie ndesh me mësimet biblike. Në një analizë të botuar nga Christian Broadcasting Network, theksohet se shumë të krishterë shmangin pjesëmarrjen në Halloween për shkak se nxit përqafimin e simboleve të vdekjes, demonëve dhe forcave të errëta. Ata paralajmërojnë se, edhe pse në dukje e pafajshme, kjo festë mund të ndikojë në mënyrën se si të rinjtë e perceptojnë të mbinatyrshmen, duke e bërë frikën dhe errësirën të duken argëtuese. Sipas këtyre pikëpamjeve, festa zhvendos vëmendjen nga drita, dashuria dhe shpresa, që janë vlera thelbësore të besimit të krishterë, duke e zëvendësuar me elemente që promovojnë kaosin, frikën dhe misterin e botës së padukshme. Edhe besimi islam mban një qëndrim të qartë ndaj Halloween-it. Sipas faqes fetare Islam Question & Answer, Halloween-i bie ndesh me mësimet e Kuranit që nxisin shmangien e çdo akti që lidhet me adhurimin e shpirtrave apo krijesave të tjera përveç Zotit. Për myslimanët, përfshirja në një festë me origjinë pagane shihet si imitim i zakoneve joislame dhe si rrezik për përzierjen e besimeve që mund të dëmtojnë pastërtinë pastërtinë shpirtërore të besimtarit.

