Zyra për shtyp e Parlamentit Evropian, i cili po ashtu në rrethanat e krizës së pandemisë punon me kapacitete shumë të kufizuara, ka shpërndarë një komunikatë me të cilën shprehet kënaqësi për vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me tarifat 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Këtë e kanë quajtur hap të rëndësishëm, i cili mund të çojë drejt rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.Shefi i delegacionit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Romeo Franz, dhe raportuesja Viola Von Crammon-Taubadel, kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës. Kanë kërkuar që BE-ja tash të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh krizën politike, shkruan KOHA.
“Jemi shumë të lumtur për këtë vendim të miratuar nga Qeveria në detyrë për t’i hequr tarifat prej 100 për qind. Ky është një sinjal i rëndësishëm për bashkëpunim politik në rajon dhe hap kyç, i cili shpresoj se do të çojë drejt rifillimit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që raportet mes Beogradit dhe Prishtinës të mund të normalizohen”, ka thënë Viola Von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian.
dërkaq, Romeo Franz, shef i delegacionit ndërparlamentar për Kosovën, ka thënë se tash pret nga BE-ja që të veprojë në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe t’i heqë vizat.“Ne llogarisim në shtetet anëtare të BE-së që të përmbushin premtimin e tyre dhe të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur, pa marrë parasysh situatën politike. Kjo do të ishte një shenjë e rëndësishme solidariteti, sidomos për të rinjtë në Kosovë dhe për përkushtimin e vendit drejt së ardhmes evropiane”.
arlamenti Evropian ka qenë deri më tash pa dyshim institucioni i BE-së, i cili më së shumti ka mbështetur Kosovën edhe në forcimin e shtetësisë së saj, edhe në liberalizimin e vizave. Që nga periudha para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Parlamenti kishte nisur të bëjë thirrje për njohje të pavarësisë. Edhe më vonë ka vazhduar të bëjë thirrje për pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë. Ndër të parët, Parlamenti Evropian ka dhënë edhe pëlqimin për liberalizimin e vizave dhe ka vazhduar trysni ndaj shteteve anëtare që sa më parë t’i liberalizojnë vizat për Kosovën.Institucionet e tjera të BE-së, Këshilli dhe Komisioni, Kosovën nuk e trajtojnë si shtet sovran dhe të pavarur, por kanë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Kjo për shkak se në Parlamentin Evropian raportet dhe rezolutat miratohen me shumicë, ndërsa në Këshill me konsensus të të gjitha shteteve anëtare. Dhe kur ka shtete që janë kundër, atëherë as shumica e madhe që njeh Kosovën si shtet nuk mund ta detyrojë BE-në që ta trajtojë Kosovën si të tillë.