Sipërmarrësit kalabrez Antonio Gallo, i arrestuar si pjesë e grupit mafioz italian Ndragheta, i janë sekuestruar të dielën të gjitha paratë cash që kishte në shtëpi, sipas medieve italiane. Ato bëjnë me dije se ende nuk kanë mbaruar numërimin e parave të tij të shumta, por ato kapin vlerën e qindra milionë eurove.
Prokurori Nicola Gratteri tha se i janë gjetur dhe sekuestruar makina luksoze e ora Rolex me vlerë qindra milionë euro.
“Ky hetim është sinteza e asaj që kemi thënë për dekada me radhë”, tha prokurori i operacionit, Nicola Gratteri.
Në lidhje me operacionin ai tha se grupi mafioz Ndragheta ka filluar ‘të qëllojë më pak me armë’, por të ketë më shumë marrëdhënie me biznesin dhe me politikën.
Figura kryesore e Ndraghetas është Antonio Gallo, i njohur dhe me nofkën ‘Princi’. Ai ishte personi që kishte krijuar kontakte të ngushta në fushën e ligjit dhe politikës. Dhe, kësisoj Ndrangheta ka zgjeruar veprimtarinë e saj sipërmarrëse pa masë.
Ai ishte një sipërmarrës mesatar, por kjo dëshirë për t’u rritur më tej e çoi atë në rajonin italian ‘Reggio Calabria’, për t’i kërkuar familjeve të Ndranghetas për të organizuar fushatën elektorale të Talarico-s. Franco Talarico ishte këshilltar rajonal në Reggio Calabria, i cili përfundoi në arrest shtëpie në 21 janar.
E gjithë skema e pastrimit të parave të mafias italiane në Shqipëri dyshohet se kap vlerën e 250 milionë eurove.
Dosja e plotë e përgjimeve është mbi 1000 faqe dhe pritet që në ditët në vijim të publikohen pjesë të tjera të saj./EXIT