Zyrtari i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Alexey Polischcuk ka dhënë sinjale se Rusia po kërkon derën që të dalë nga katrahura që e ka shkaktuar në Ukrainë. Ai ka folur për rikthimin e paqes në Donbass dhe në të gjithë Ukrainën.
Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, Polishchuk është deklaruar për luftën e deritanishme në Ukrainë, duke thënë se shpreson që nga negociatat së shpejti të rikthehet paqja në Donbass dhe si rrjedhojë në të gjithë Ukrainën.
Presim që negociatat të mbahet në një mënyrë konstruktive dhe të sjellin paqen në Donbass dhe rikthimin e një jete paqësore dhe të drejtë për të gjithë Ukrainën”, ka thënë ai.
Sipas diplomatit, Moska shpreson që rundi i tretë i negociatave të mbahet në të ardhmen e afërt. Për kohën e mbajtjes së negociatave, tashmë është raportuar se do të zhvillohen të hënën e ardhshme, transmeton Gazeta Express.
Është e pamundur të thuash se sa runde negociatash do të mbahen. Ne nuk po humbim optimizmin”, ka deklaruar ai.
Polischchuk ka thënë se kërkesë e Rusisë në negociata është që Ukraina të demilitarizohet dhe denazifikohet, që populli i Donbassit të mbrohet dhe që çdo kërcënim ushtarak nga territori ukrainas ndaj Rusisë, të eliminohet.
“Bisedimet s’kanë qenë të lehta. Megjithatë, gjëja kryesore deri tani, është që delegacionet janë pajtuar në krijimin e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve dhe për një armëpushim të mundshëm në zonat ku do të lëvizin këta civilë”, ka deklaruar diplomati rus.
Me 28 shkurt, u mbajt rundi i parë i negociatave, që zgjati pesë orë. I dyti më 3 mars, ku u arritën disa marrëveshje dhe u vlerësua se është bërë një progres. Megjithatë, pala ukrainase është ankuar që Rusia nuk i ka përfillur e as respektuar marrëveshjet e arritura në tavolinë.