3.6 C
New York
November 22, 2024
DardaniaNews
EkonomiLajme

Shkëlqim Devolli i ‘Artmotion’ synon monopolin edhe në telekomunikime – shumë afër blerjes së IPKO’s, marrëveshja 152 milionëshe pritet të mbyllet brenda pak ditësh

Biznesmeni nga Peja, i lidhur ngushtë me politiken dhe pushtetet, Shkelqim Devolli, më 152 milionë Euro ia ka mësyrë ta bëjë në pronësi të tij kompaninë e telekomunikimeve “IPKO”, që tash e sa kohë e ka nxjerrë në shitje ‘Telekomi Slloven’.


Gazeta Online ‘Reporteri.net’, përmes burimeve të afërta me procesin në fjalë, mëson se tashmë është arritur në parim një pajtueshmëri që “Telekomi Slloven” të kalojë IPKO’n në pronësi, qoftë të plotë apo si hisedar, tek oligarku kosovar Shkëlqim Devolli.

Vlera që ka ofertuar drejtuesi i korporatës kosovare të lidhur ngushtë me politiken, ‘Devolli Corporation’, është 152 milionë Euro. Ndonëse, në deklarimin zyrtarë në ARBK, korporata e tij ka të deklaruar si kapital vetëm 1 milionë e 30,000 Euro.

Gjithçka, siç mëson Reporteri.net pritet të mbyllet brenda pak ditësh. Detaje tjera rreth procesit, dhe mënyrës së si ‘Devolli Corporation’ po e siguron blerjen e IPKO’s, që duket proces i dyshimtë, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ do t’i sjellë gjatë ditëve në vazhdim.

Ndërkohë që, Reporteri.net, prej javës së shkuar, është duke tentuar që të marrë përgjigje nga ‘Devolli Corporation’ në lidhje me këtë proces të shitblerjes së operatorit të telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë, IPKO, por të njëjti nuk janë përgjigjur në asnjë nga pyetjet e dërguara me e-mail.

Për procesin e shitjes as IPKO nuk është deklaruar për Reporteri.net. E sipas Afrika Zyferit e angazhuar për PR-in e kësaj kompanie, në lidhje me shitjen e kompanisë mund të deklarohet vetëm “Telekomi Slloven” që aktualisht ka në pronësi të plotë telefoninë IPKO, që veprimtarinë e saj e ka të shtrirë edhe në rrjetin e internetit dhe televizionit kabllorë. Njëkohësisht, llogaritet si kompania më e shtirë në vend me këto shërbime.

Ndërkaq, një zyrtare e PR-it në ‘Telekom Slovenije’, të martën i tha Gazetës Online ‘Reporteri.net’ se “pasi IPKO është akoma në procesin e shitjes, nuk mund t’ju japim ndonjë koment ose informacion shtesë në lidhje me të”.

“Telekom Slovenije është e shënuar në Bursën e Lubjanës. Kompania do të informojë palët e interesuara për veprimet e mëtejshme në lidhje me këtë çështje sipas kërkesave përkatëse të legjislacionit përmes sistemit në internet të Bursës së Lubjanës”, ka shtuar nder tjera Katarina Prešeren, drejtuese e PR’it në ‘Telekom Sllovenia”.

Vlera e kapitalit të IPKO’s, siç e ka deklaruar në ARBK, ‘Telekom Slovenije’, aktualisht si aksionar i 100% të aksioneve, e kalon 65 milionë Euro, gjë që tregon se kapitali i saj është dhjetëra fish më i madh se sa kapitali i korporatës së blerësit potencial nga Peja.

Por, Shkëlqim Devolli që tash po synon ta ketë në pronësi IPKO’n, aktualisht me korporatën e tij “Devolli” ka në pronësi një kompani të telekomunikimeve, pa përfshi shërbimin e telefonisë mobile dhe asaj fikse.

Fjala është për ‘Artmotion’, që ofron shërbime interneti e televizioni kabllorë, e njohur për çmimet për toke që ka ofruar kompania, jashtë rregullave të tregut të konkurrencës, vetëm për të depërtuar në treg pasi Shkelqim Devolli e kishte blerë, vite më parë.

Në ARBK, si drejtor i kësaj kompanie figuron Valon Shala derisa kapitalin e deklaruar e ka vetëm 470 mijë Euro. I njëjti emër figuron si pronar dhe kryetar i Bordit edhe në kompaninë “EUROLAB SH.P.K.”, që botërisht dihet se prapa saj qëndron Shkelqim Devolli e që shteti për vite të tëra po e favorizon në krijimin e monopolit në homologim të veturave. Për këtë, edhe kapitali i deklaruar i kësaj kompanie është shumë herë më i lartë se sa i kompanive tjera në pronësi të Shkelqim Devollit – arrin në 20,230,000.00 Euro.

Në pronësi të tij janë edhe Devolli Prince Caffe, Comodita dhe televizioni Klan Kosova. Kjo e fundit, sipas ARBK-së ka kapital vetëm 1000 Euro.

Ndryshe, proceduralisht, “Telekomi Slloven” ofertat për ta shitur IPKO’n pret t’i dorëzohen nga të interesuarit deri më 23 shtator të këtij viti.

Në garë për ta blerë “IPKO’n” është edhe Telekomi Serb, i cili aktualisht ka bërë ofertën më të lartë në Euro për t’a marrë në pronësi. Shitje tek ‘Telekomi Serb’ është duke u kundërshtuar me të madhe në Kosovë, pasi nder tjera vlerësohet edhe e rrëzikshme për sigurinë kombëtare.

Operatori shtetëror telefonik Serbisë raportohet se ka ofertuar 155 milionë Euro për ta blerë IPKO’n. Derisa në garë është edhe një investitor financiar, që ka ofertuar 140 milionë Euro.

Nga ana tjetër, pas rrjedhjes në publik të informacioneve se Telekomi i Serbisë po synon ta blejë pronëisne e IPKO’s Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) e ka bërë të qartë se subjektet e huaja nuk mund të bartin aksionet e kompanive telekomunikuese në Kosovë pa miratimin e tyre.

Pas kësaj, në media është raportuar se në pazar për blerjen e IPKO-s ka hyrë një kompani tjetër e dyshimtë, aksionari kryesor i së cilës është një oligark bullgar me bazë në Londër.
Bëhet fjalë për kompaninë “Albania Telecom Invest AD”, aksionet e së cilës i ndajnë investitori bullgar, i njohur si “oligarku i krahut të djathtë” politik në Bullgari, Spas Roussev me 51 për qind dhe biznesmeni shqiptaro-bullgar Elvin Guri me 49 për qind.

Ndryshe, “IPKO” aktualisht në pronësi të Telekomit slloven, bazuar tek raporti vjetor i ‘Telekom Slovenije’, në vitin 2019, realizoi 60,2 milionë euro të ardhura, nga 71,3 milionë euro në vitin 2018.

Kompania zotëron 43,8% të të ardhurave në tregun kosovar të shërbimeve celulare, si dhe 31,4% në brezin e gjerë fiks në tremujorin e katërt të 2019, duke qenë kështu lider i tregut në sektorin e fundit. /Reporteri.net/.

 

 

 

 

 

Related posts

Eskalon” Milaim Zeka: “Po të tregoj që Qeveria e re do të bëhet, leji ti këta analistët e nevojtorëve”

dardanianews

​Hoti tregon nëse Vjosa Osmani do të largohet nga LDK

dardanianews

Çfarë postonte në Tik Tok shqiptari para se të vriste 27 vjecaren italiane

dardanianews