13.4 C
New York
October 17, 2026
DardaniaNews
LajmeLajmi i fundit

“Të dua shumë, por më ke lënduar” – Fjalët e fundit të Altin Allmuçës për vajzën para ngjarjes së rëndë

Detaje dhe dëshmi të reja janë publikuar në mediat greke lidhur me ngjarjen e rëndë në Athinë, ku 45-vjeçarja Lulieta Obzova humbi jetën, ndërsa më pas edhe 50-vjeçari Altin Allmuça i dha fund jetës së tij.

Sipas raportimeve të mediave greke, persona nga rrethi familjar i dy palëve kanë folur për ditët që i paraprinë ngjarjes, duke dhënë detaje për marrëdhënien mes tyre dhe sjelljen e 50-vjeçarit pas përfundimit të lidhjes.

Një nga dëshmitë më të rënda është ajo që lidhet me takimin e fundit të Allmuçës me vajzën e tij 19-vjeçare.

Sipas një miku të afërt të 50-vjeçarit, pak para ngjarjes Allmuça ishte takuar me vajzën dhe i kishte folur në një mënyrë që, sipas dëshmisë, krijonte përshtypjen se po i jepte lamtumirën.

“Ai takoi vajzën e tij dhe i tha: ‘Të dua shumë. Ti je jeta ime. Por ti më ke lënduar sepse nuk më ke mbështetur. Doja që të ishe pranë meje dhe mund të mos më shohësh më. Do të jetë hera e fundit që më sheh’”, ka treguar miku i tij.

Pas këtij takimi, sipas të njëjtit rrëfim, 50-vjeçari ishte kthyer në shtëpinë ku jetonte me familjen.

“Ai u kthye në shtëpi rreth orës katër. Zgjoi gruan, i la disa para dhe i tha të kujdesej për fëmijën”, ka deklaruar miku.

Mediat greke raportojnë se më pas Allmuça dyshohet se shkoi pranë pallatit ku banonte 45-vjeçarja dhe priti daljen e saj.

Sipas raportimeve për ngjarjen, aty ndodhi përballja që përfundoi me humbjen e jetës së gruas, ndërsa më pas 50-vjeçari i dha fund edhe jetës së tij.

Por dëshmitë e publikuara pas ngjarjes pretendojnë se problemet mes tyre kishin filluar më herët.

Persona të afërt me 45-vjeçaren kanë deklaruar se ajo kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies pasi kishte mësuar se Allmuça ishte i martuar dhe kishte një vajzë 19-vjeçare.

Sipas këtyre dëshmive, pas përfundimit të lidhjes, 50-vjeçari dyshohet se nuk e kishte pranuar ndarjen dhe sjellja e tij ndaj gruas ishte bërë gjithnjë e më shqetësuese.

“Kohët e fundit, kudo që shkonte dhe çfarëdo që bënte, ai e gjente përpara saj”, ka deklaruar një familjare e 45-vjeçares.

Familjarja ka pretenduar gjithashtu se Allmuça i kishte dërguar gruas një fotografi ku shfaqej me armë, të shoqëruar me një mesazh kërcënues.

“Ai i kishte dërguar një foto me një armë në kokë, ku i thoshte: ‘Do të vras veten dhe do të të vras ty’”, ka deklaruar ajo.

Këto pretendime janë pjesë e dëshmive të publikuara nga mediat greke dhe paraqesin versionin e personave të afërt me gruan.

Sipas familjarëve, shqetësimi kishte arritur deri në atë pikë sa të afërmit e kishin këshilluar 45-vjeçaren që rastin ta raportonte në polici.

Raportohet gjithashtu se ajo kishte ndërmarrë disa masa për t’u ndier më e sigurt, përfshirë edhe ndërrimin e bravave të banesës.

Një dëshmi e rëndësishme është dhënë edhe nga vajza e Lulieta Obzovës.

Ajo u ka thënë autoriteteve se ishte në dijeni për lidhjen e nënës së saj me 50-vjeçarin dhe se e ëma i kishte treguar se marrëdhënia kishte përfunduar në fund të muajit shkurt.

“E dija që mamaja ime kishte qenë në një lidhje kohët e fundit. Ajo më kishte thënë se ishte ndarë në fund të shkurtit. Ishte e shqetësuar për sjelljen e këtij burri, sepse ai i shkaktonte vazhdimisht probleme. Më kishte thënë se ishte jashtëzakonisht xheloz”, ka dëshmuar ajo.

Dëshmitë e publikuara përshkruajnë kështu një marrëdhënie që, sipas familjarëve, ishte përkeqësuar ndjeshëm pas ndarjes.

Edhe një banor i zonës ku ndodhi ngjarja ka treguar se çfarë kishte dëgjuar atë ditë.

“Fillimisht dëgjova një britmë gruaje dhe më pas një tjetër të shtënë. Në total ishin katër të shtëna. E katërta u dëgjua shumë fort pranë derës sime”, ka deklaruar ai.

Banori ka treguar se më pas kishte zbritur poshtë dhe kishte parë 45-vjeçaren të shtrirë në tokë.

Një prej dëshmive më emocionale pas gjithë ngjarjes ka ardhur nga vajza e Altin Allmuçës.

Ajo ka deklaruar se është e tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe se e ka të vështirë ta besojë se babai i saj ishte përgjegjës për një ngjarje të tillë.

“Jam e shokuar nga i gjithë ky incident. Nuk mund ta besoj që babai im e bëri këtë. Ai është babai im dhe do të më mungojë. E humba babain tim, por nga ana tjetër nuk mund ta injoroj faktin që ai ka bërë keq, që është bërë vrasës. Ai i mori jetën një gruaje dhe nënës së një vajze të moshës sime”, ka deklaruar ajo.

Në deklaratën e saj, 19-vjeçarja ka shprehur gjithashtu solidaritet me vajzën e 45-vjeçares, duke thënë se të dyja po përballen me pasojat e një ngjarjeje për të cilën nuk mbajnë përgjegjësi.

“Jam shumë e shqetësuar psikologjikisht për gjithë këtë situatë. Nuk jam përgjegjëse për asgjë dhe simpatizoj dhimbjen e vajzës tjetër. Në thelb, ne jemi viktimat”, ka thënë ajo.

Vajza e Allmuçës ka kërkuar që familjet të lejohen të përballojnë dhimbjen e tyre larg presionit të mëtejshëm publik.

“Do të doja shumë që e gjithë kjo histori të mbaronte këtu, që të qetësoheshim dhe të respektonim dhimbjen tonë, duke vajtuar secili njerëzit që do”, ka shtuar ajo.

Dëshmitë e reja kanë vendosur në qendër të vëmendjes veçanërisht ditët dhe orët e fundit para ngjarjes, përfshirë pretendimet për kërcënimet ndaj 45-vjeçares dhe fjalët që Allmuça thuhet se ia kishte thënë vajzës së tij gjatë takimit të fundit.

“Të dua shumë. Ti je jeta ime”, ishin ndër fjalët që, sipas mikut të tij, 50-vjeçari ia tha vajzës, përpara se t’i thoshte se mund të ishte hera e fundit që ajo do ta shihte.

Ngjarja ka lënë pas dy vajza dhe familje të tronditura, ndërsa dëshmitë e publikuara në Greqi po japin një tablo më të plotë të tensioneve që, sipas të afërmve, kishin ekzistuar përpara asaj që ndodhi në Athinë.

Related posts

Të hënën rinis Reforma Zgjedhore/ PS fton PD dhe LSI të ulen përballë në Këshillin Politik

dardanianews

ALARMANTE: 963 raste të reja e 13 viktima nga Covid 19 në Kosovë

dardanianews

Gazetari shqiptar: Shkova në një klub në Paris, atje shkëmbenin gratë me njëri-tjetrin

dardanianews