Nga Daniel B.Shapiro “Atlantic Council”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Duke folur para gazetarëve këtë javë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e përshkroi të ardhmen që ai sheh për vendin e tij në terma të pazakontë, si “një Izrael të madh”. Shpresat për një shtet “absolutisht liberal” janë zhdukur, tha ai, duke u zëvendësuar nga realiteti i mundshëm i forcave të mbrojtjes që patrullojnë nëpër kinema dhe supermarkete.
Besoj se siguria do të jetë çështja nr.1 gjatë 10 viteve të ardhshme”- shtoi Zelenskyy. Ndërsa forcat ruse janë tërhequr nga rajoni i Kievit, gjë që sugjeron se Ukraina e zmbrapsi me sukses fazën e parë të pushtimit rus, është koha e duhur që Zelenskyy të mendojë se si të përgatitet për fazën tjetër të këtij konflikti, dhe potencialisht për shumë më gjatë.
Por çfarë do të thotë ai me “një Izrael të madh”? Me një popullsi më shumë se 4 herë më të vogël dhe shumë më pak territor, shteti hebre mund të mos duket si krahasimi më i përshtatshëm. Por nëse merrni parasysh kërcënimet e sigurisë rajonale me të cilat përballet, si dhe popullsinë e saj shumë të mobilizuar, del se të dyja vendet kanë më shumë të përbashkëta nga sa mund të mendoni.
Atëherë, nëse Zelenskyy e ka vërtet Izraelin në mendje si një model për Ukrainën, cilat janë disa nga karakteristikat kryesore që mund të marrë në konsideratë (disa prej të cilave janë tashmë të zbatueshme që sot):
Siguria në radhë të parë
Çdo qeveri izraelite premton, para së gjithash, se do të garantojë sigurinë, dhe e di se do të gjykohet sipas këtij zotimi. Qytetarët e zakonshëm, dhe jo vetëm politikanët, i kushtojnë vëmendje kërcënimeve të sigurisë, si nga përtej kufijve, ashtu edhe nga brenda, dhe shumica e publikut zgjedh me votë bazuar kryesisht tek ky tregues.
E gjithë popullata luan një rol
Modeli izraelit, shkon më tej sesa vizioni i Zelenskyy për shërbimet e sigurisë të vendosura në hapësirat civile. Shumica e të rinjve izraelitë shërbejnë në ushtri, dhe shumë të tjerë janë të punësuar në profesione të lidhura me sigurinë e vendit.
Një qëllim i përbashkët bashkon qytetarët, duke i bërë ata të gatshëm të durojnë sakrificat e përbashkëta. Civilët e njohin përgjegjësinë e tyre për të ndjekur protokollet e sigurisë, dhe për të kontribuar në kauzën kombëtare.
Madje disa armatosen për ta bërë këtë. Mobilizimi i gjerë i shoqërisë ukrainase në mbrojtjen kolektive, sugjeron se ky vend e ka këtë potencial. Në komentet e tij, Zelenskyy e pasqyroi këtë realitet kur tha se siguria “do të vinte nga forca e çdo shtëpie, çdo ndërtese, dhe çdo personi”.
Vetëmbrojtja është mënyra e vetme
Në rast se ka ndonjë parim të vetëm që e karakterizon doktrinën izraelitë të sigurisë, është ajo sipas të cilës Izraeli do të mbrohet vetë, dhe nuk do të mbështetet tek asnjë vend tjetër për të zhvilluar betejat e tij. Tragjeditë e historisë hebreje, e kanë ngulitur këtë leksion thellë në shpirtin e këtij kombi. Trauma e vetë Ukrainës, e detyruar të luftojë e vetme kundër një agresori më të madh, e çon në një përfundim të ngjashëm:Mos u varni nga të tjerët për garancitë e ruajtjes së sovranitetit.
Por ruhen partneritete aktive në fushën e mbrojtjes
Vetëmbrojtja nuk nënkupton një izolim total. Izraeli ka partneritete aktive në fushën e mbrojtjes, kryesisht me Shtetet e Bashkuara, të cilat i ofrojnë shumë ndihma ushtarake, por edhe me vende të tjera me të cilat ndan të dhënat e inteligjencës, teknologjinë dhe trajnimet.
Ndërsa Ukraina mund të mos i bashkohet së shpejti NATO-s, ajo mund të thellojë partneritetet e sigurisë me anëtarët e aleancës dhe të marrë ndihma, armatime, inteligjencë dhe trajnime për ta forcuar vetëmbrojtjen e saj.
Dominimi i shërbimeve të inteligjencës
Që në fillimet e tij si shtet, Izraeli ka investuar shumë në aftësitë e tij të inteligjencës, për të siguruar mjetet për zbulimin dhe pengimin e armiqve të tij, dhe kur është e nevojshme për
T’i goditur ata. Ukraina duhet të përmirësojë shërbimet e saj të inteligjencës për të konkurruar me aftësitë e palës ruse, dhe për të qenë e përgatitur për të parandaluar dhe zmbrapsur sulmet e Moskës
Teknologjia luan një rol kyç
Edhe pse mbështetet shumë tek ndihma e SHBA-së, Izraeli preferon edhe zgjidhjet që ofron teknologjia vendase, për shumë nga sfidat e tij më të mëdha. Sistemet e mbrojtjet raketore, ato kundër dronëve, dhe teknologjia e zbulimit të tuneleve nëntokësore, janë vetëm shembuj të fundit.
Ukraina – ku jetojnë tashmë disa nga mendjet më të ndritura në fushën e teknologjisë – do të dijë se me çfarë kërcënimesh përballet. Ndaj investimi në zgjidhjet e veta do t’i japë asaj mundësinë që të jetë më e përgjegjshme, dhe t’i përshtatet ndaj kërcënimeve të reja.
Ndërtimi i një ekosistemi të inovacioneve
Trajnimi që marrin shumë izraelitë për inovacionin e teknologjisë së lartë në ushtri, sjell një ekosistem civil inovativ, që nga ana tjetër promovon zhvillimin e teknologjive të reja të sigurisë. Ukraina nuk ka mungesë të koduesve dhe inxhinierëve të talentuar (shumë prej të cilëve janë të punësuar nga startup-et izraelite). Inkurajimi i fluksit së lirë të talenteve dhe ideve ndërmjet hapësirave civile dhe të inovacionit të sigurisë, do të sjellë përfitime për sigurinë afatgjatë, por edhe për ekonominë në tërësi.
Ruajtja e institucioneve demokratike
Izraeli vazhdon të përballet me sfidën e dhënies fund të konfliktit të tij me palestinezët, në mënyra që të garantojnë sigurinë e tij por edhe vetëvendosjen e palestinezëve. Por brenda vetë Izraelit, një fokus i vazhdueshëm tek siguria nuk e ka penguar mbështetjen e institucioneve dhe praktikave thelbësore demokratike.
Zelenskyy duket i vetëdijshëm për këtë tension, i cili do të kërkojë një mirëmbajtje të vazhdueshme, por gjithashtu edhe për faktin që demokracia është një parakusht. “Një shtet autoritar është i pamundur në Ukrainë”- tha ai.
Ashtu si Izraeli në luftërat e tij të hershme, Ukraina duket se ka shmangur një kërcënim ekzistencial akut. Por lufta është ende larg fundit të saj. Duke përshtatur mentalitetin e vendit të tyre për të pasqyruar aspektet e qasjes së Izraelit ndaj sfidave kronike të sigurisë, zyrtarët ukrainas mund të trajtojnë me besim sfidat më jetike të sigurisë kombëtare, dhe të ndërtojnë një shtet të ngjashëm po aq të qëndrueshëm sa ai i Izraelit. /abcnews.al