Nga: Ahmet Xhavit Delvina (fragment nga libri Enigma e një epoke)
Enver Hoxha ishte një sadist i paimagjinueshëm, një vampir i paskrupullt që tallej e zbavitej me vartësit e tij, apo bashkëpunëtorët e zellshëm “revolucionarë” që punonin me të, për t’i ndërruar faqen këtij vendi, d.m.th., për ta bërë Shqipërinë “Parajsë të vërtetë”. Ai, pas një periudhe kohore, këtyre bashkëpunëtorëve iu merrte jetën në mënyrat më të turpshme e më ç’njerëzore! Por, populli asnjëherë nuk është njohur me bëmat e tij, apo poshtërimet që ai iu bënte këtyre bashkëpunëtorëve udhëheqës. Ai, nëpërmjet kongreseve, plenumeve, gjyqeve, shtypit, historisë, deri edhe letërsisë artistike, figurat e tyre i trajtonte si të kishte qejf. Ai këta i paraqiste si burracakë, injorantë, imoralë dhe iu vinte shumë emërtesa të tjera, ashtu si t’i interesonte atij, në asnjë rast nuk u pasqyrua e vërteta për ta, kështu që populli këtë taktikë të tijën, nuk e zbërtheu kurrë dhe nuk e mësoi asnjëherë të vërtetën.
Unë, siç e kam trajtuar rreth këtyre bëmave të Enver Hoxhës, kam patur biseda konfidenciale me daiun tim Esat Dishnica, i cili ishte lidhur me të që në Liceun e Korçës e deri në fund të jetës. Esati ka qenë krye miku unikal i tij, apo më mirë, “si vëllezër binjakë”, dhe këtë nuk e them vetëm unë, apo ne si familjarë, por edhe të gjithë ata që kanë patur dijeni rreth marrëdhënieve të tyre reciproke. Ata nuk u ndanë për asnjë rast. Kjo ishte një çudi shumë e veçantë apo, siç thoshte babai im për këtë miqësi: “Eksepsion unikal”.
Enveri, për ta përjashtuar edhe ruajtur Esatin nga rregulli i asgjësimit të planifikuar dhe periodik, që nuk përjashtonte as edhe një lloj shoku, vetëm Esatin e mbajti me poste “speciale”, biles edhe gjatë Luftës “Nacional-Çlirimtare”, si antar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm “Nacional-Çlirimtar”, ose me pozita relativisht të larta në Shtabin e Përgjithshëm, ose e caktoi organizator të çetës së Dumresë etj. Pas “çlirimit” të vendit, e bëri dy herë deputet të Korçës në Kuvendin Popullor, pastaj e ruajti në hije dhe e emëroi drejtor të Shtëpive të Pushimit në Pogradec dhe më vonë drejtor të Shoqërisë-Komisionare.
Kaq ishin detyrat për Esatin aq sa jetoi. Trajtimi ekonomik i tij ishte i privilegjuar, hynte e dilte dhe drekonte tek Enveri, pa asnjë lloj audience, kalonin pushimet verore, gjithnjë bashkë, sidomos në Pogradec. Përfundimisht mund të them se e ruajti intimitetin shoqëror deri në fund të jetës së tij. Ky qe rasti më unikal në historikun e Partisë Komuniste Shqiptare dhe personalisht i Enver Hoxhës.
Ja ç’më tregonte daiu im Esati për Enver Hoxhën
Në bisedat që bënim, daiu im Esati thoshte se nga Enver Hoxha historikisht dridheshin të gjithë, apo siç thuhet shqip (popullorçe) “dh… në brek”. Çdokush që kish takim me të, mendonte gjithë natën se si do ta ndërtonte diskutimin, që ky të ishte i sigurt që ai do ta pëlqente. Ky ishte preokupimi më i madh i këtyre udhëheqësve qyqarë. Në të gjithë historinë që Enveri ka qenë në krye, vetëm dy persona e kanë kundërshtuar ballë për ballë atë. Ky qe një rast shumë i veçantë, ishte me të vërtet çudi, sidomos për “udhëheqësit trima”.
Këta të dy ishin, Pilo Peristeri dhe Ramadan Çitaku. Ky i dyti (Çitaku), i ka thënë Enver Hoxhës tekstualisht: “Mjaft më me llafet e tua, të dëgjojmë edhe të tjerët”. Kjo ndodhi kur u prishëm me Jugosllavinë, në një mbledhje të Komitetit Qendror. Po kështu foli edhe Pilo Peristeri kur u prishëm me Bashkimin Sovjetik; “Dale o Enver, se ata rusët na e mësuan se ç’është komunizma”! Për këto dy raste, Enveri bëri dy tolerime të pashpjegueshme për natyrën e tij.
Për Ramadan Çitakun, nuk u mor ndonjë masë ekstreme “siç ishte zakon”, sepse gjoja Enveri i kërkoi Komitetit Qendror, që nëse “ishte e mundur”, të mos ia vinte re “Bacës” se ishte njeri i mirë, por i trashë, “kosovar hesapi”, ndërsa për Pilo Peristerin, po kështu foli në Komitetin Qendror, që edhe këtij mos ia vinin re, sepse këto lojë gafash apo lajthitjesh, si të thuash, janë në natyrën e Pilos, se ai për mungesë kulture të lartë politike, shprehet proletarçe, siç thotë edhe ai, por të jeni të sigurt se i ka pa qëllim të keq.
Komiteti Qendror i “mori parasysh” kërkesat e Enverit dhe mori për të dy masa simbolike. “Bacën” e çoi drejtor Qendror te Sigurimet Shoqërore, ndërsa Pilon, drejtor në Uzinën Mekanike në Qytetin Stalin, meqë i shkonte për racë se kishte prejardhje hekurpunuesi. Pilon e fali shumë shpejt, pasi ia kishte nevojën, sepse ky ishte “ciceroni” personal i tij dhe i shërbente me zell për të evidentuar aktivitetin revolucionar të Enver Hoxhës, sidomos në 16 tetor të çdo viti, atë e çonte nëpër radio, televizion, institucione të ndryshme, shkolla, reparte ushtarake e kudo nëpër republikë për të propaganduar veprën e tij, sakrificën, aftësitë e tij “të veçanta” organizative, ushtarake, politike e çdo gjë tjetër.
“Mos fol po deshe”! Pilua, shokun Enver e vinte në vendin e njeriut të rënë nga qielli, kaluar edhe një profeti. Ai thoshte se shoku Enver ishte babai i vërtetë dhe mësuesi i këtij populli, që e gjeti Shqipërinë pa asnjë dije, për të mos thënë popull plotësisht injorant në politikë, pale në filozofi dhe pa asnjë traditë revolucionare. Pikërisht puna e tij, mësimet, sakrificat e tij nga më të paimagjinueshme na prunë “aty ku jemi sot” dhe që na e ka lakmi e gjithë bota. Natyrisht “leksionet” e Pilos ishin të parapërgatitura në “fabrikën” e Nexhmije Hoxhës. Kjo “fabrikë”, në gjuhën zyrtare quhej Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste.
nëpërmjet informacioneve të sakta merrte vesh shkallën e kolaboracionizmit të tyre me qeveritë e kaluara, ky informacion ishte një avantazh për të, sepse e dinte që ata do të ishin më të gatshmit për t’u futur në çdo punë të pisët, apo krime të çdo lloji, vetëm për të mbuluar të kaluarën e tyre të kompromentuar. Po përmend disa nga këta elementë të ulët që punuan me shumë devocion për atë sistem dhe në fund shumë prej tyre i përpiu mekanizmi i famshëm auto-vrasës i partisë së tyre:
– Dr. Omer Nishani, ka qenë përfaqësues i lartë i Dhomës Koorporative Fashiste dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit.
– Ramiz Alia, me kombësi boshnjake, ka qenë anëtar i Rinisë Fashiste, i veshur me këmishë të zezë. Partia dispononte fotografi origjinale dhe regjistra fashiste, ku kishte prej tyre edhe me firmën e tij origjinale.
– Gjeneral Qazim Kondi, në shtator të vitit 1941 ishte oficer fashist; për merita ndaj fashizmit, në janar të 1943, emërohet nënprefekt i Kurveleshit
– Gjon Banushi, rreshter i kuesturës në Vlorë dhe punonjës i strukturave të “SIMIT” (Shërbimi i Fshehtë Britanik) deri në fillim të vitit 1943.
Pa përmendur të tjerë si: Spiro Moisiu, Shefqet Peçi, Bedri Spahiu, Et’hem Berhani etj. Përmenda vetëm disa nga këta të niveleve nga më të lartat e deri te më të ulëtat. Ai me këta tipa luante si të donte, prandaj kishte arritur rezultate të larta në krime, duke përdorur këtë lloj llumi apo elementi dhe për këta mund të flasësh sa të duash, por fatkeqësisht në agjenturat e Sigurimit të Shtetit, kishte të kompromentuar edhe nga radhët tona.
Kjo e keqe ndodhi dhe u bë fakt edhe sepse kishte nga tanët që nuk mundën tu rezistonin terrorit dhe torturave për kohë të gjatë e që u shtrinë deri te familjarët e këtyre “qyqarëve” fatkeqë. Ky ishte një fakt i papritur dhe i paimagjinueshëm, prandaj këtë fatkeqësi të turpshme duhet ta pranojmë ashtu siç ishte realiteti. Kështu që edhe “hienat” komuniste duke penetruar edhe ndërmjet nesh, shkaktuan dëme të pa llogaritura. /Memorie.al/

