Një rast i rëndë ndodhi mbrëmë në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë, ku një person u ther me thikë për vdekje. Gazeta Sinjali raportoi se i ndjeri Arsim Hamiti, 41-vjeçar nuk arriti të mbijetojë dhe fatkeqësisht u dërgua në Emergjencë pa shenja jete. Ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen e tij, teksa hetimet kanë nisur.
Rasti ka ndodhur rreth orës 21:40, kur viktima u sulmua me thikë dhe pësoi lëndime të rënda trupore. Ai u gjet i shtrirë në tokë nga Policia dhe më pas u dërgua menjëherë në Emergjencë. Në spital vetëm u konstatua vdekja e tij, kurse trupi i pajetë u tërhoq për t’u dërguar në IML për obduksion.
Në vendin e ngjarjen janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme, ndërsa akoma s’dihen motivet e incidentit e as personi apo personat që dyshohen për rastin.
Për vdekjen e tij ka njoftuar edhe familja Hamiti, ndërsa akoma nuk janë bërë të ditura detajet e ceremonisë së varrimit.
“Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjarë, miq e dashamirë, ju njoftojmë që sot ndërroi jetë më i dashuri ynë vellau Arsim Sejdi Hamiti”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
”Rreth orës 22:00 policia ka marrë informatën për një lëndim të rëndë trupor, në rrugën “Pjetër Budi”, në Fushë Kosovë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore“, ka thënë ajo.
”Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga një mjet i mprehtë, lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, mashkull, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arritë të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë“.
”Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar në ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje“, ka deklaruar Ahmeti.
Sinjali do të iu mbajë të informuar.