Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se shkarkimi i Kurtit nga pozita e kryeministrit erdhi për shkak se ky i fundit nuk guxoi të ballafaqohej me problemet politike të vendit.
Sipas Molliqajt, Grenell, Palmer dhe Kosnett një zëri demantuan Kurtin në pretendimin e tij për një marrëveshje sekrete dhe të dëmshme.
Mes tjerash, ish-bashkëpunëtori i dikurshëm i kryeministrit në detyrë, e ka quajtur Kurtin një manipulues dhe gënjeshtar.
“Tash që u bë e qartë se është çështje ditësh krijimi i qeverisë së re, realiteti paralel përsëri sajon një tregim tjetër për zgjedhje e fitore të reja me Kurtin kryeministër. Me gjasë Kurtin e nxen brenda vetes vetëm një realitet i maniplueshëm, i krijuar enkas për të: e vërteta e Kurtit rrenë”, ka shkruar mes tjerash Molliqaj.
Ja shkrimi i tij:
Ditët e fundit të qeverisë Kurti
Aftësia e Kurtit për t’i përkthyer faktet dhe realitetin sipas nevojës që ka është saktësisht mënyra sesi ai përballet me situaten: mohim – manipulim. Pavarësisht a pajtohemi ose jo, Grenell shquhet për qartësi brutale, pa nënkuptime. Grenell, Palmer dhe Kosnett një zëri demantuan Kurtin në pretendimin e tij për një marrëveshje sekrete dhe të dëmshme. Ndërsa Kurti nga ana tjetër rezonon çuditshëm. Realiteti paralel i Kurti e përkthen në mbështetje për veten.
Një ngjarje para kësaj ishte shkarkimi i Kurtit nga pozita e Kryeministrit për shkak se nuk guxoi të ballafaqohej me problemet politike të vendit. Realiteti i tij paralel e cilëson si “puç të butë” ndaj liderit revolucionar i cili imponon rregullat dhe përcakton cilësi.
Tash që u bë e qartë se është çështje ditësh krijimi i qeverisë së re, realiteti paralel përsëri sajon një tregim tjetër për zgjedhje e fitore të reja me Kurtin kryeministër. Me gjasë Kurtin e nxen brenda vetes vetëm një realitet i maniplueshëm, i krijuar enkas për të: e vërteta e Kurtit rrenë.
Por mohimi dhe manipulimi i realitetit nuk e ndërron atë. Përmes mohimit të realitetit nuk krijohet dot një i ri, por krijohet nje realitet paralel – jashtë kohës, sic kemi rastin në fjalë. Sot mund të themi lirisht që Kurti është jashtë kohës. Si i tillë i kaloi koha.