Nga e enjtja, 12 nëntor, Ahmet Krasniqi nuk figuron më zyrtarisht në listën e dëshmorëve të Kosovës. Qeveria ia ka hequr statusin ish-ministrit të parë të Mbrojtjes në qeverinë në ekzil, i cili ishte dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës”. Por Krasniqi nuk është i vetmi personalitet që është larguar nga lista.
Në të njëjtën listë janë hequr edhe emra të tjerë të njohur të historisë kombëtare.Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit e Veteranit është mbledhur të enjten.
Ky komision, i cili vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka marrë një vendim skandaloz: ua ka hequr statusin e dëshmorit, invalidit, veteranit e pjesëmarrësit të luftës, mbi tre mijë vetave.
Por, ajo që është më skandaloze është një listë prej 11 dëshmorëve, të cilëve u është hequr ky status. Në krye të saj është Ahmet Krasniqi, ish-ministri i parë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në qeverinë në ekzil të Bujar Bukoshit.
Paparaci ka siguruar dosjen e plotë të të larguarve nga lista.
Në mesin e personave të cilëve u është hequr statusi i dëshmorit është ish-avokati Bajram Kelmendi, njeriu i cili e dorëzoi i pari kallëzimin penal kundër Sllobodan Millosheviqit në Hagë.
Në listë janë edhe dy djemtë e tij: Kastriot dhe Kushtrim Kelmendi, të cilët u vranë në Prishtinë në mëngjesin e 25 marsit, 1999, bashkë me babain e tyre.
I hequr nga lista figuron edhe Fehmi Agani, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Agani ishte vrarë nga forcat serbe më 6 maj të vitit 1999.
Statusi i dëshmorit i është hequr edhe Enver Malokut, një tjetër personaliteti të shquar të rezistencës paqësore të viteve ’90. Maloku, ish-drejtor i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), ishte vrarë më 11 janar, 1999, në Prishtinë.

Një tjetër dëshmor i fshirë nga lista është Mark Marlota, veprimtar i çështjes kombëtare, i rënë dëshmor më 26 mars të vitit 1999 në Gjakovë.
Lista prej 12 personaliteteve të cilëve u është hequr statusi i dëshmorit vijon me: Gjergj Sokolin, Muharrem Tafajn, Qazim Jakupin dhe Rashit Mustafën, raporton Paparaci.
Vendimi i Komisionit i ka shkuar të enjten Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare.
Sipas vendimit, mbi tre mijë persona nga kategoritë e dala nga lufta – veteranë, invalidë, dëshmorë, pjesëmarrës dhe pjesëtarë të UÇK-së – të cilëve u ishte njohur ky status gjatë procesit të verifikimit, nga viti 2011 deri më 2017, nuk e gëzojnë më të drejtën e pensionit.
Paparaci ka parë një korrospodencë mes zyrtarëve të Komisionit Qeveritar dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, e cila tregon listën e emrave të cilët “nuk gëzojnë të drejtën në pension”.
Sipas këtij komunikimi, arsyetimi për fshirjen e mbi tre mijë vetave nga listat veteranëve, invalidëve dëshmorëve e të tjerëve është marrë Ligji Nr. 05/L-141 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së. Konkretisht, paragrafi 2 i Nenit 15 të këtij Ligji.
“Veterani Luftëtar i UÇK-së i cili gjatë luftës nuk ka vepruar në Kosovë, nuk gëzon të drejtën në pension”, thuhet në Ligj.
Paparaci kontaktoi të premten Sanije Rexhën, udhëheqësen e Divizionit për Administrimin e Skemave për Kategoritë e Dala nga Lufta në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, për ta pyetur lidhur me këtë çështje, por ajo refuzoi të komentonte vendimin.
Në vitin 2017, dhjetë ish-anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së u akuzuan nga Prokuroria Speciale për “fryrjen” e listave të veteranëve.
Sipas Prokurorisë Speciale, numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga statusi i veteranëve mund të ketë qenë deri në 19 mijë njerëz.
Lista e të akuzuarve përfshinte ish-kryeministrin e vendit, Agim Çeku, ish-ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe ish-deputetin Shkumbin Demaliaj. Të akuzuarit e tjerë ishin: Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Më 9 shtator të këtij viti, Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe i liroi dhjetë të akuzuarit për rastin “Veteranët”.
Shkalla e parë, në një aktgjykim të shpallur më 14 korrik të vitit 2025, i kishte dënuar me nga një vit burgim secilin prej të akuzuarve.
Të gjithë akuzoheshin se kishin tejkaluar kompetencat duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së.
Aktakuzën kundër tyre e kishte përgatitur ish-prokurori special Elez Blakaj, i cili në vitin 2017 ishte larguar në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kishte deklaruar se ndihej i kërcënuar për shkak të punës së tij në këtë lëndë. /Paparaci.com
Dokumentacioni i plotë, që përmban mbi tre mijë emra, do të publikohet në ditët në vijim.

