Shërbimi meteorologjik botëror, AccuWeather ka publikuar parashikimin sezonal për verën e këtij viti në Evropë.
Vera meteorologjike fillon më 1 qershor, por solstici veror, i cili do të shënojë fillimin e verës astronomike, ndodh më 20 qershor.
Ekipi i meteorologëve të AccuWeather paralajmëron se nxehtësia që do të përhapet në Evropë gjatë verës dhe mungesa e episodeve më të gjata me shi në pjesë të kontinentit mund të krijojnë probleme serioze për fermerët. Edhe disa të korra verore, të cilat zakonisht janë rezistente ndaj thatësirës, mund të përballen me probleme duke pasur parasysh që moti i dimrit i këtij viti mbi pjesë të kontinentit ka mbetur më gjatë se zakonisht.
Në Evropën Qendrore dhe Gadishullin Ballkanin, gjegjësisht edhe Kosovën, temperaturat mesatare prej 19 deri në 21 gradë Celsius priten gjatë qershorit dhe 21 deri në 25 gradë Celsius në muajin korrik. Në gusht, temperaturat mesatare pritet të fillojnë të bien përsëri drejt 19 deri në 21 gradë Celsius.
Reshjet në Evropën Qendrore dhe Ballkan pritet të jenë më të ulëta se mesatarja këtë verë, veçanërisht në Francë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Në zonën e Evropës Qendrore dhe Ballkanit, nxehtësia dhe moti i thatë më i lartë pritet në mes dhe në fund të verës. Sipas meteorologëve, kjo nuk përjashton episode të caktuara të stuhive në zonë. Por ato nuk duhet të jenë të gjata.
Nxehtësia gjithashtu do të përhapet nga Spanja dhe Italia deri në jug të Mbretërisë së Bashkuar, Francës Veriore, Belgjikës, Gjermanisë, Polonisë Jugore dhe Ukrainës. /Telegrafi/