Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit shënoi rezultatin më të dobët në historinë e saj.
E kjo e shtyri kreun e saj, Isa Mustafa, që pas 11 vitesh të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit. Kurse me 14 mars, do të mblidhet kuvendi zgjedhor për ta zgjedhur liderin e ri të LDK-së.
Por çfarë ndikoi në rënien e madhe të LDK-së dhe si mund të rikthehet përsëri ajo? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi. Ai thotë se LDK rrezikon shuarjen e plotë të saj.
“Të jem i sinqertë dhe për këtë më vjen vërtet keq, Lidhja Demokratike e Kosovës rrezikon shuarjen e saj. Nuk them se kjo gjë do të ndodhë. Do të ishte një dramë e madhe për të gjithë ata që e kanë dashur dhe e duan ende atë. Edhe për ata që shpresojnë se ajo do të ringjallet dhe rikthejë fuqinë e dikurshme. Të jetojë, të rikthehet e më pas të forcohet, ose të rrënohet e të shuhet, kjo varet vetëm nga forumet dhe anëtarësia e saj”, thotë Bytyçi, i cili shkaktar kryesor për këtë e sheh Isa Mustafën.
“Tashmë kam krijuar bindje të pa diskutueshme se Isa Mustafa është shkaktari i situatës së krijuar. D.m.th flirtet e tij me klasën politike të korruptuar e të inkriminuar të përfaqësuar nga Hashim Thaçi. Kjo bëri që ai të mos mbantë premtimet ndaj elektoratit. Thoshte të tjera gjëra dhe bënte veprime të kundërta me ato që premtonte. Qytetarët e Kosovës nuk të falin kur dikush luan me fjalën. Atje nuk është si këtu në Shqipëri, ku ka jo pak njerëz që ende joshen nga mashtrimi dhe gënjeshtra. Lidhjen Demokratike të Kosovës e qoi në dështim kaq dramatik drejtuesit kryesorë të saj, vetë kryetari i saj, sepse në parti u vendosën rregulla anti-demokratike. Nuk pati zgjedhje të lira. Nuk u toleruan mendimet ndryshe. Ndonjë figurë e kësaj partie u nxor jashtë me dhunë. Partia dha sinjale për qytetarët se nuk është ajo e dikurshme, tolerante, e matur, e urtë dhe me vizion”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.
Ai shton se lufta për pushtet në parti e shndërroi atë në një parti të kritikueshme.
“Disa kulme të gabimeve dhe fajeve të saj ishin zgjedhja për president e Hashim Thaçin. Aq e ngushtë u bë lidhja midis Isës dhe Hashimit, sa qytetarët i asocuan të lidhur ngushtë midis tyre. Prandaj Isa do ta kishte fatin politik të Hashimit. Ju them me bindje se ndëshkimi nuk është për Lidhjen Demokratike, aq më pak për pjesën historike të saj. Ishte për Isa Mustafën. Imagjinoni, Lumir Abdixhiku doli i treti më i votuari në këtë parti, edhe pse Isa e vendosi në listë diku nga fundi. Kjo do të thotë se ata që nuk kanë mundur të shkëputen nga LDK, kanë reaguar njëkohësisht kundër Isa Mustafës”, shprehet Bytyçi.
Lidhja Demokratike më në fund gaboi kur u bë pjesë e komplotit ndaj një qeverie legjitime të krijuar me Vetëvendosjen, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Rrëzimi i qeverisë Kurti, siç e përcaktoi edhe Gjykata Kushtetuese dhe një dokument i BE-së, ishte kurth dhe komplot. Dhe të gjithë përgjegjësinë për këtë komplot drejtuesit e vërtetë të tij ia shitën në publik Lidhjes Demokratike. Hashimi dhe Grenell ishin regjisorët. Por qytetarët fajësuan LDK-në, sepse ajo vetë e mori rolin e varrmihësit të qeverisë së saj në koalicion me VV”.
Më tej, profesor Bytyçi thotë së përjashtimi i Vjosa Osmanit nga LDK, ishte skenar i Hashim Thaçit.
“Pas kësaj Lidhja Demokratike në linjën e Lidhjes Komuniste kreu dhe një akt tjetër dëshpërues për publikun. Ia tregoi derën e daljes Vjosa Osmanit, politikanes më të votuar në Kosovë në zgjedhjet e fundit të tetorit 2019. Dhuna verbale ndaj saj, vendimi për ta përjashtuar atë, sulmet në parlament ndaj saj ishin akte rrënuese për reputacionin e Lidhjes Demokratike. Qytetarët regjistruan në memorie për një kohë pak të gjatë këto veprime dhe e ndëshkuan atë më 14 shkurt. E gjitha ishte skenar. Skenar i Hashim Thaçit, I cili kishte rekrutuar si varrmihës të LDK-së disa kryetarë komunash, të cilët I kishte joshur kur Thaci ishte kryeministër. Më së shumti vetë Isa Mustafën. Por edhe Agim Veliun, Lutfi Hazirin dhe kryetarin e Istogut. Jo rastësisht të tre këta ishin edhe nënkryetarë të LDK-së, pra zëvendësit e Isës”, nënvizon Bytyçi.
Por çfarë duhet bërë për të dalë nga kjo situatë në të cilën gjendet LDK-ja?
“Mendoj se ka mundësi të riparohet humbja e madhe e dramatike. Mirëpo nuk shoh vullnet. Nëse do të kishte vullnet, ditën që Isa Mustafa dha dorëheqjen duhej krijuar një komision për riorganizimin e partisë, duke bërë zgjedhje të reja në të gjitha strukturat deri te kryesia dhe kryetari i ri. Por pa angazhimin dhe ndikimin e kryetarit dhe kryesisë së vjetër. Sa kohë shohim që përgjegjësit e kësaj situate kritike të LDK-së kërkojnë rehabilitim, nuk mbajnë përgjegjësi të plotë dhe madje ndonjë kërkon të bëhet kryetar apo president, aq kohë do të ketë rrezik serioz për ta shkatërruar plotësisht atë dhe për ta nxjerrë në zgjedhjet e ardhshme jashtë parlamentit”, deklaron Bytyçi.
Për fund, Bytyçi thotë se kryetar i LDK-së duhet të zgjidhet një nga kritikët e Isa Mustafës.
“Në kryesi duhet të vijnë kritikët e politikave të mëparshme të Isa Mustafës e ndoshta edhe të Abdullah Hotit! Nëse ndodh kjo, atëherë ka shpresë. Nëse kryetari dhe kryesia do të garantojnë politikat e Isa Mustafës dhe të Hashim Thaçit, atëherë qytetarët nuk do të votojnë më LDK-në, por votojnë origjinalin, partinë që ka krijuar Thaçi, shkurt PDK-në. Dhe nëse nuk ndodh kështu, këtë formulë duhet ta imponojë anëtarësia e Lidhjes Demokratike, deri me protestë atë zyrat e saj për ta detyruar kreun e dorëhequr të mbyllet në shtëpinë e në punët e veta e të mos merret më me atë që ka mbetur për faj të tij në LDK”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.