Posta e Kosovës, gjatë ditës së sotme ka dhënë sqarime në lidhje me arrestimin e ish-postierit të kësaj ndërmarrje pasi që i njëjti dyshohet se nuk kishte dërguar mbi 2 mijë dërgesa postare, përfshirë dërgesa të përmbaruesit, shkresa të gjykatave, thirrje të bankave.
Posta ka thënë se informatat e para i ka pasur kjo ndërmarrje më pas është thirrur inspektorati postar për inspektim.
“Me të marr informatat e para nga Drejtoria Operative e Postës së Kosovës, se ish postieri në fjalë nuk po e kryen si duhet detyrat dhe përgjegjësitë e tij edhe pas marrjes së masave disiplinore paraprake, menjëherë për këtë rast është angazhuar Inspektorati i ndërmarrjes”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Pas inspektimi postieri ishte larguar nga puna.
“Pasi inspektorati zbulon dhe konstaton keqpërdorimet e ish postierit M. B., ndaj tij janë marr masat ligjore sipas ligjeve në fuqi me largim nga puna, ndërsa departamenti ligjor i ndërmarrjes e ka iniciuar rastin në Polici dhe në Prokurori”, thuhet tutje në njoftim.
KALLXO.com raportoi mbrëm se një punëtor i Postës së Kosovës është arrestuar nën dyshimin se nuk ka dorëzuar 2 mijë e 26 dërgesa postare, të cilat duhej t’i dorëzonte gjatë kohës sa ishte punëtor i Postës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se arrestimi i M. B. është bërë gjatë ditës së djeshme.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore ka arrestuar personin e dyshuar me iniciale (M.B.)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje të njëjtit kanë thënë se është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi (dërgesat postare) të pa dorëzuara nga i dyshuari i cili ka qenë përgjegjës për dorëzimin e tyre tek palët e adresuara gjate kohës sa ka qenë punëtorë i Postës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.
Sipas këtyre të fundit, punëtori i Postës së Kosovës nuk ka dorëzuar tek palët 682 shkresa të gjykatës, 512 fatura të tatimit në pronë, 337 fatura të operatorit Vala, 57 dërgesa ndërkombëtare, 200 shkresa të Trustit Pensional, 197 fatura të bankave, shtatë shkresa të Ministrisë së Bujqësisë, 18 dërgesa nga Komuna e Lipjanit, një dërgesë nga AKP, 14 dërgesa nga përmbaruesit privatë, një dërgesë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
2 mijë e 26 dërgesa të ndryshme sipas Policisë, i dyshuari M.B. kishte për obligim t’i dorëzonte tek palët e adresuara në bazë të detyrës së tij zyrtare.
I njëjti po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe është ndaluar për 48 orë.