Kompania Contour Global ka planifikuar të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Siç raporton Reuters, sipas një njoftimi të Contour Global, arsye për këtë është situata politike në Kosovë që nga muaji korrik dhe formimi i Qeverisë Kurti, e cila e ka kundërshtuar publikisht ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.
Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re është kundërshtuar në vazhdimësi nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsiderojnë si projekt të dëmshëm për mjedisin dhe thonë se do të çonte në rritje të çmimit të rrymës për qytetarët.
Termocentrali Kosova e Re ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023.
Një hulumtim i medias muajin e kaluar, dëshmon se si termocentrali “Kosova e Re”, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë është interes politik i parandalimit të ndikimit rus në Ballkan.
Kosova konsiderohet si vija ndarëse ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekziston rreziku i shtrirjes së ndikimit rus në Kosovë përmes investimeve në energji.
Kjo temë është ngritur edhe në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në tetorin e vitit të kaluar.