Profesori universitar, filozofi Blerim Latifi përmes një postimi në Facebook, ka treguar se si ka ardhë deri në ndarjen e Mitrovicës me lumin Ibër.
Latifi duke e komentuar debatin e fundit që po zhvillohet për ndarjen e veriut të Kosovës, i quan pallavra partiake sepse as nuk e ndau Hashim Thaçi në vitin 1999 e as Albin Kurti në vitin 2020 Mitrovicën.
Sipas tij, kjo ndarje ka ndodhur në vitin 1999 në kohën kur ushtria serbe po largohej nga Kosova.
E pas kësaj, sipas tij, NATO përballej me kritika të ashpra se nuk kishte ndalur zbrazjen e Kosovës nga civilët serbë, të cilët nga frika e hakmarrjes shqiptare po iknin bashkë me ushtrinë e tyre.
Pas kësaj, sipas profesor Latifit, u krijua zona e mbrojtur e veriut që fillonte në urën mbi lumin Ibër, e pastaj këtë zonë, ai thotë se e shfrytëzuan Serbia për të vendosur strukturat e tyre paralele.
Shkrimi i plotë:
Derisa ushtria serbe po bëhej gati të largohej nga Kosova në qershorin e vitit 1999, NATO po përballej me kritika të ashpra, në të cilat akuzohej se derisa e kishte ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve, nuk po bënte asgjë për të ndaluar zbrazjen e Kosovës nga civilët serbë, të cilët, nga frika e hakmarrjes shqiptare, po iknin bashkë me ushtrinë e tyre.
Si pasojë e kësaj situate u krijua zona e mbrojtur e veriut që fillonte në urën mbi Ibër në Mitrovicë. Këtë zonë pastaj e shfrytëzoi Beogradi për të vendosur aty strukturat e tij paralele, të cilat kishin një mision të vetëm : kontestimin e autoritetit të Prishtinës me të gjitha mjetet.
Kjo është e gjithë e vërteta, ndërsa tregimet se Hashimi e ndau veriun në vitin 1999 dhe Albini në vitin 2020, nuk janë asgjë më shumë se pallavra partiake, që bëhen thjesht për llogari elektorale.