3.5 C
New York
November 22, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

Gazeta gjermane, BILD: Serbia e kërcënon Kosovën me luftë

Mosmarrëveshja mbi targat midis Serbisë dhe Kosovës mund të shndërrohet në një konflikt të ri të armatosur midis aleatëve të Rusisë në Beograd dhe qeverisë së mbrojtur nga NATO në Prishtinë brenda pak orësh. Kështu e nis shkrimin për situatën në veri të Kosovës, gazeta e famshme gjermane, BILD, duke pyetur “A po shfaqet një luftë e re në Ballkan?“, transmeton Gazeta Express.

Të dielën në mbrëmje, Serbia e vuri në gatishmëri pjesë të ushtrisë së saj.

Arsyeja e tensionit: Që nga mesi i shtatorit, vizitorëve serbë në kufi me Kosovën iu është dashur t’i ndërrojnë targat e tyre me targa të përkohshme kosovare në mënyrë që të shkojnë në Kosovë.

Qeveria në Prishtinë vendosi rregulloren për faktin se Serbia nga ana e saj nuk i njeh targat nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

serbët refuzojnë t’i ndërrojnë targat e tyre. Si rezultat, qeveria e Kosovës dërgoi një njësi speciale të policisë në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak një javë më parë për ta zbatuar rregulloren e targave.

Por serbët e Kosovës po bllokojnë dy rrugët më të rëndësishme për në Mitrovicë, qytetin më të madh ku gjendet pakica serbe në Kosovë.

Asgjë për t’u shqetësuar, dikush mund të mendojë. Por në Beograd, i cili është armatosur shumë nga Moska, gjërat shihen ndryshe.

Ushtria serbe ka ditë që po lëviz tanket në kufi me Kosovën, duke folur për një “provokim” nga Kosova, ndaj të cilit ata thonë se do të reagojnë.

Në mbrëmje, presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se vendi i tij do të “luftojë për popullin e vet”. “Nëse nuk luftojmë, nuk mund të arrijmë asgjë”, tha Vuçiq.

Kjo është arsyeja pse ai e thirri Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg personalisht dhe i dha aleancës ushtarake një ultimatum të dielën në mbrëmje për t’i dhënë fund “pogromit” kundër bashkatdhetarëve të tij në Kosovë.

Vuçiqi kërcënoi: “Ne do t’ju presim 24 orë për të parë se si reagon NATO nëse ka një pogrom kundër serbëve. Nëse pogromi vazhdon kundër popullit tonë, Serbia do të reagojë dhe nuk do ta lejojë atë.”

Ekspertët gjithashtu shohin një rol aktiv të Rusisë në konflikt. Kremlini nuk e njeh Kosovën si shtet dhe vazhdon ta shohë atë si pjesë të Serbisë. Eksperti rus Jakub Janda nga “Qendra Evropiane e Vlerave për Politikat e Sigurisë” në Pragë tha për BILD se nuk duhet harruar se “Serbia është një aleate e ngushtë e Rusisë. Jo vetëm ushtarakisht, por edhe ekonomikisht dhe nga identiteti i përbashkët i ndërtuar”.

Janda paralajmëron: “Ajo që ne po shohim aktualisht është një përshkallëzim kundër Kosovës, në të cilën Serbia dhe presidenti Vuçiq po rrisin aksionet e tyre politike. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mburojën diplomatike dhe ushtarake të Rusisë. Rusia dëshiron që Ballkani Perëndimor të destabilizohet, dhe unë shoh që Kremlini ndan përgjegjësinë për tensionet aktuale në Kosovë”.

NATO po i shton patrullat

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR iu përgjigj kërcënimeve nga Serbia të hënën. “Numri dhe kohëzgjatja e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë Kosovën veriore, është rritur”, tha një zëdhënës i Aleancës për BILD.

KFOR-i po monitoron “situatën në të gjithë Kosovën nga afër dhe vazhdon të fokusohet në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Të dielën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka folur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “nevojën e de-përshkallëzimit në Kosovën veriore”.

Serbia zvendosi më shumë njësi ushtarake në kufirin me Kosovën të hënën. Automjetet rezistente ndaj minave dhe transportuesit e blinduar të personelit u pozicionuan vetëm tri kilometra larg vendkalimit kufitar të Jarinjës, siç ishte në gjendje të konfirmonte BILD.

Related posts

Gjykata Kushtetuese vendos që përfaqësuesit e popullit në Kuvend vendosin për qeverinë e ardhshme

dardanianews

Saranda Bogujevci i reagon ashpër Baton Haxhiut: Nuk ke të drejtë të flasësh për familjen time të vrarë

dardanianews

Krejt çfarë dimë për fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol dhe situatën atje

dardanianews