Televizioni Publik i Kosovës, i akuzuar në vazhdimësi se ka qenë i kapur nga pushteti i Hashim Thaçit, ka derdhur 1 milion e 630, 487 mijë euro në llogarinë bankare të organizatës BIRN, të drejtuar nga Jeta Xharra. Këto pagesa të majme për dy emisione të prodhuara nga BIRN dhe të transmetuara në RTK, ka kohë që janë ndërprerë. Në RTK, kanë thënë publikisht se Xharra po u bën presion për vazhdimin kontratës. Xharra nga ana tjetër ka refuzuar të flasë
Në një dëshmi publike para anëtarëve të një komisioni parlamentar, më 28 prill të këtij viti, Sali Bashota e ka akuzuar Jeta Xharrën, drejtoreshën e Rrjetit të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), për presion dhe shantazh që lidhet me vazhdimin e një kontrate të majme në favor të organizatës së saj.
Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, drejtori i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës është deklaruar për një formë të shantazhit që, sipas tij, Jeta Xharra ka ushtruar gjatë këtij viti ndaj bordit dhe menaxhmentit të Transmetuesit Publik.
Sipas Bashotës, presioni i Xharrës ndaj RTK-së ndërlidhet me ndërprerjen e kontratave të BIRN-it me RTK-në për dy emisioneve televizive, nga të cilat organizata e udhëhequr prej Xharrës kishte përfituar mbi dy milionë euro të taksapaguesve kosovarë.
“Ata [BIRN-i, v.j] kanë bërë presion ndaj meje vazhdimisht. Dhe, po të ishte vazhduar kontrata e tyre, nuk do të ishte marrë me dhëndrin tim e as me RTK-në, pra me miliona euro ka marrë për katër vite”, ka thënë shkurtimisht Bashota.
Për raportimin e Insajderit, Gazeta Express ka provuar të marrë një qëndrim të gazetares Jeta Xharra, por e njëjta s’ka qenë e qasshme.
Më 30 mars të këtij viti, portali Kallxo.com, raportoi për punësimin e dhëndrit të Bashotës, Liridon Konushefci, si mirëmbajtës – shtëpiak në RTK, me kontratë mbi vepër.
Bashota e kishte mohuar një gjë të tillë.
“Nuk punon në RTK dhëndri, edhe prej që kam ardh kryetar bordi nuk ka punu, 3-4 muaj. Ka punu po nuk punon, dhe është ndërpre, si jam bërë kryetar bordi kam kërkuar që të mos punojë aty. Asnjë familjar i imi nuk punon në RTK”, kishte thënë Bashota.
Por, historia në të cilën Bashota e përfshin Xharrën është më e gjatë. Ka nisur në muajin maj të vitit 2020.
Një dosje të cilën e ka siguruar gazeta, shfaq dyshime se Xharra ka përdorur një projekt të financuar nga Bashkimi Evropian (BE) për t’i ushtruar trysni televizionit publik që të vazhdojë kontratat e ndërprera më parë për dy emisionet e BIRN-it të transmetuara në Transmetuesin Publik për 16 vjet: “Drejtësia në Kosovë” dhe “Jeta në Kosovë”.
Projekti është një marrëveshje memorandumi ndërmjet BIRN-it dhe Transmetuesit Publik, shkruan Gazeta Insajderi.
Bazuar në marrëveshje, BIRN-i dhe RTK-ja do të prodhonin dhjetëra reportazhe televizive në emër të “konsolidimit të aftësive të gazetarëve aktualë dhe të ardhshëm të Kosovës”. Konsorciumi përbëhej edhe nga organizata të tjera, krahas BIRN-it dhe RTK-së. BIRN-i kryesonte projektin.
Megjithatë, marrëveshja nuk është përmbyllur. Atë ka refuzuar ta zbatojë Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN).
Drejtoresha e kësaj organizate, Jeta Xharra ka tentuar që projektin e Bashkimit Evropian ta shfrytëzojë për rikthimin në ekranin e RTK-së të dy emisioneve të tjera të saj, edhe pse kontratat për dy programet televizive ishin ndërprerë në një proces të veçantë.
BIRN-i ka kushtëzuar drejtuesit e RTK-së me largimin e Transmetuesit Publik nga projekti, në qoftë se nuk do të pranonin blerjen e dy emisioneve televizive të prodhuara nga BIRN, për të cilat RTK-ja do duhej të paguante rreth 200 mijë euro.
Në një komunikim të realizuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar ndërmjet Xharrës dhe drejtuesve të RTK-së, ajo ndërlidh çështjen e materialeve të parapara sipas projektit të BE-së, me dy emisionet e BIRN-it, të transmetuara më parë në RTK.
Xharra insiston se aplikimi i përbashkët i RTK-së dhe BIRN-it në projektin e BE-së, përkthehet në zotimin e RTK-së për vazhdimin e kontratave për transmetimin e dy emisioneve.
“Për më tepër, pikërisht menaxhmenti i tanishëm, pra ju z. Arifaj dhe z. Ngadhnjim Kastrati, keni qenë menaxhment i RTK-së kur kemi aplikuar së bashku në prill 2019 te BE-ja dhe nëse keni dashur të na hiqni krejt prej RTK-së pse u përkushtuat të aplikoni bashkë me ne për një projekt që zgjat deri në fund të 2021?”, i drejtohet Xharra, drejtuesve të RTK-së.
“Fakti që jeni përkushtuar atëherë të aplikojmë bashkë, e sot tërhiqeni prej transmetimit, po i ban dam RTK-së sepse si RTK, me aplikimin që e keni nënshkruar me dorën tuaj (dhe jo të ndonjë drejtori tjetër paraprak) jeni përkushtu me i transmetu të gjitha programet që prodhohen nga gjithë partnerët në këtë projekt”, vazhdon drejtoresha e BIRN-it.
Por procesi i ndërprerjes dhe vazhdimit të kontratave të RTK-së me BIRN-in për dy emisionet, “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, është i ndarë nga projekti i BE-së, ia bëjnë të qartë drejtuesit e RTK-së, Xharrës.
“Ne projekt nuk jemi vetëm ne por janë disa partnerë andaj fakti që ju po e potenconi transmetimin e emisioneve nuk qëndron sepse rrjedhimisht duhet të vlejë për të gjithë [partnerët e tjerë në projektin me BE, v.j] e jo vetëm për RTK-në”, thuhet në përgjigjen e zëvendësdrejtorit të RTK-së, Lorik Arifajt, drejtuar Xharrës.
Se procesi i vazhdimit të kontratave për dy emisionet e tjera të BIRN-it me RTK-në është proces i ndarë nga projekti i dy organizatave me BE-së, e dëshmon aplikimi i Jeta Xharrës në Komisionin Audio-Vizual të RTK-së për rikthimin e emisioneve në televizionin publik.
Procesi i bashkëprodhimit të emisioneve mes RTK-së dhe subjekteve të jashtme, parashihet me rregullore të transmetuesit publik. Ato kalojnë përmes Komisionit Audio-Vizual, para se të miratohen nga drejtuesit e RTK-së.
Në një e-mail dërguar këtij komisioni më 26 tetor, Xharra lavdëron punën e BIRN-it me dy emisionet. Kërkon vazhdimin e bashkëpunimit.
Gazeta Insajderi, gjithashtu ka siguruar edhe Marrëveshjen e plotë të Memorandumit mes RTK-së dhe BIRN-it, në të cilën nuk parashihet vazhdimi i transmetimit të emisioneve, për të cilat Xharra i bën trysni drejtuesve të RTK-së.
Në Memorandum Bashkëpunimi për këtë projekt, që është nënshkruar për periudhën nga 1 janari i vitit 2020 deri më 31 dhjetor i vitit 2021, parashihen vetëm reportazhe që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.
“Aktiviteti 3.1 Prodhoni dhe transmetoni 12 reportazhe televizive që promovojnë të drejtat e njeriut, çështjet sociale dhe sundimin e ligjit”, është pika e marrëveshjes në mes këtyre dy marrëveshje nënshkruesish.
“RTK-ja është e obliguar të prodhojë dhe drejtojë gjashtë reportazhe televizive që do të promovojnë të drejtat e njeriut dhe do të diskutojnë çështje të rëndësishme shoqërore dhe sundimin e ligjit”, thuhet në këtë memorandum.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Xharrën lidhur me këtë çështje, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga ana e saj.
Përfitimet milionëshe të BIRN-it për 16 vjet
Për 16 vjet me radhë Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, i drejtuar nga Jeta Xharra, ka përfituar nga taksa paguesit e kosovarë afër 2 milionë euro.
Sipas faturave të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi, fatura e BIRN për dy emisionet e saj “Jeta në Kosovë dhe Drejtësia në Kosovë” që i ka transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), kapin vlerën e 1,914,312.00 euro.
Ndërsa RTK-ja ka kryer detyrimet ndaj BIRN-it për këto vite, në vlerën e 1 milion e 630,487 euro.
Sipas dokumenteve të siguruar nga Insajderi, BIRN për njërin emision është paguar 1 mijë e 350 euro, ndërsa vlera për dy emisionet, është 2 mijë e 700 euro. Numri i të dy emisioneve gjatë kësaj periudhe ka qenë 168. 84 për emisionin “Jeta në Kosovë” dhe 84 për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere më 28 prill të këtij vitit ka miratuar raportin për shpenzimet e Radio Televizionit të Kosovës për periudhën prill-qershor 2021. Miratimi i këtij raporti është bërë me kushtin që RTK të njësojë format e raportimit dhe t’i përshtatë projeksionet.
Po në këtë mbledhje të komisionit, është miratuar edhe raporti i shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për muajt janar-mars 2021, por që edhe ky raport është miratuar me vërejtje.
Drejtori i RTK-së Ngadhënjim Kastrati, kishte deklaruar se aktualisht borxhi i RTK-së është 2 milionë e 750 mijë euro, por tha se synojnë që të njëjtin ta zvogëlojnë për 1 milion euro deri në fund të këtij viti.
“Nëse e shohim në pasqyrat financiare të auditorit të cilat janë publike kemi një borxh në fund të vitit 2018, 5 milionë e 200 mijë euro, sot kur e kemi dhënë raportin e përfunduar të muajit mars që e kemi dërguar në Kuvend është një borxh prej 2 milionë e 750 mijë euro. Është rreth 2 milionë e gjysmë më pak, ne besojmë që deri në fund të këtij viti borxhi i RTK-së ka me ra edhe për një milion euro”, kishte thënë Kastrati. /