I riu i akuzuar për vrasjen e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila ka pranuar në procesin e apelit se ishte ai që e vrau vajzën, duke e hedhur nga ballkoni i banesës në Piacenza më 25 tetor 2024.
17-vjeçari, i cili në kohën e ngjarjes ishte 15 vjeç dhe ishte dënuar me 17 vite burg nga Gjykata për të Miturit, ka ndryshuar qëndrim gjatë seancës së apelit dhe ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e Aurorës.
Përmes një deklarate spontane nga burgu i të miturve në Catanzaro, i riu ka kërkuar falje për veprimin dhe për faktin që kishte vonuar pranimin e përgjegjësisë.
“Me rrëfimin e tij mbyllet një rreth. Shpresojmë që Gjykata të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, që ka përcaktuar një dënim të drejtë”, tha avokati Emilio Malaspina, i cili përfaqëson nënën e viktimës, Morena Corbellini. Seanca e radhës është shtyrë për më 10 shtator, kur pas diskutimeve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe mbrojtjes pritet të merret vendimi përfundimtar.
Gjykata ka kërkuar gjithashtu një raport mbi sjelljen e të riut gjatë vuajtjes së dënimit, pasi ndaj tij janë raportuar edhe denoncime për episode të tjera.

