Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, planifikon t’i shndërrojë në spitale një varg hotelesh të veta, për njerëzit e prekur me koronavirus, dhe për më tepër t’i paguajë mjekët dhe punëtorët.
Kjo sëmundje, e njohur si COVID-19, i ka ndalë të gjitha aktivitetet sportive për shkak se është duke u shpërndarë shumë shpejt nëpër Evropë, transmeton Gazeta Express.
Italia është shteti më i godituri nga koronavirusi në Evropë, pasi mbi 15 mijë persona janë infektuar me sëmundjen.
Sipas gazetës spanjolle MARCA, Ronaldo planifikon t’i shndërrojë në spitale një varg hotelesh të veta në atdheun e vet Portugali, për t’u ndihmuar njerëzve të infektuar me koronaviurs, të cilët do të trajtoheshin falas.
Për më tepër, raportohet se portugezi do t’i paguante edhe mjekët dhe punëtorët e përfshirë në trajtimin e pacientëve të infektuar.
Portugalia nuk është prekur nga koronavirus si vendet e tjera evropiane, pasi deri tani i ka regjistruar vetëm 78 raste me këtë sëmundje. /Gazeta Express/