Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka thënë se të shtënat në veri po vazhdojnë edhe pas vrasjes së një rreshteri të Policisë së Kosovës dhe plagosjes së një tjetri.
Kurti ka thënë se janë së paku 30 persona të armatosur rëndë cilët ndodhen nën rrethimin e forcave policore të Kosovës, teksa u ka bërë thirrje atyre që të dorëzohen para organeve të sigurisë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryeministri ka thënë se ata janë të pajisur rëndë me pajisje ushtarake dhe ndodhen rrotull Manastirit në Banjska. Kurti ka thënë se kriminelët, ekezekutorët dhe urdhërdhënësit e tyre, do të dështojnë, do të kapen dhe do të gjykohen e dënohem.
Sot është ditë e rëndë për vendin tonë, nga sot policisë së Kosovës do ti mungojë një pjesëtar i përkushtuar i saj.
Sulmet e grupeve të armatosura me armë të të gjitha llojeve afër lokacionit ku u vra polici ynë, po vazhdojnë akoma. Ne dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare, logjistike nga Beogradi po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne do të ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët, ekzekutorët dhe urdhërdhënësit e tyre, do të dështojnë, do të kapen dhe do të gjykohen dhe dënohem. Qeveria është e gatshme dhe të bashkërenduara për t;iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Ne jemi në anën e drejtë, po punojmë dhe po angazhohemi për siguri dhe ligj, andaj në këtë rrugëtim jemi të gjithë bashkë. Sulmet mbi Policinë tonë janë duke vazhduar, janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi që kanë vrarë një e kanë plagosur një tjetër. Njerëz të pajisur rëndë me pajisje, ushtarake dhe maska janë rrotull manastirit në Banjska të Zveçanit. Përveç xhipave që i kanë, siç shihet kanë edhe një autoblindë aty. Ata paraqesin një formacion të organizuar që kanë ardhur të luftojnë në Kosovë, por unë u bëj thirrje të të dorëzohen. Kosova është vend demokratik dhe cenimet e tilla të kushtetuetshmërisë janë të patolerueshme”, ka thënë Kurti në një konferencë për media. /Reporteri.net/