Selvije Haliti nuk ka me çka ta gatuajë drekën e Bajramit – një traditë që besimtarët myslimanë do ta shënojnë të mërkurën e 10 prillit.
Thotë se familja e saj 6-anëtarëshe varet nga bamirësit dhe pensioni që merr vjehrra e saj.
“Fëmijët më kanë kërkuar torte e bakllava. Por, nuk kam asnjë cent, as për t’i blerë të gatshme, as për t’i përgatitur vetë”, thotë Selvija për Radion Evropa e Lirë.
Familja e saj jeton në një prej banesave të ndërtuara nga Komuna e Prishtinës, në periferi të qytetit, për familjet me kushte të rënda sociale, ato të viktimave të luftës dhe personat me aftësi të kufizuara.
Ajo tregon se dy fëmijë i ka të rinj për punë, ndërsa njërën vajzë të martuar. Thotë se bashkëshorti është i sëmurë dhe nuk punon, ndërsa vetë kujdeset si për familjarët, ashtu edhe për punët e shtëpisë.
“Vetëm vjehrra 95 vjeçe merr pension 100 euro në muaj. Nganjëherë nga kjo shumë i ndajmë 20 euro për ushqime, por pjesa tjetër i nevojitet vjehrrës për barna”, thotë Selvija.
“Ndonjë familjar apo bamirës na sjell ushqime”, thotë ajo kur pyetet se si ia dalin.
“Jeta jetohet gjithqysh. Deri para dy vjetësh kemi marrë ndihmë sociale prej 150 eurosh, por nuk e di përse na e kanë ndërprerë”, shprehet ajo, derisa qëndron ulur në divan.
Përfituesit e ndihmave sociale
Kosova me mbi 1.7 milion banorë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave (ASK), ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 321 mijë qytetarë.
Përveç qytetarëve me vështirësi ekonomike, nga skemat sociale përfitojnë edhe personat me aftësi të kufizuara, familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës e të tjerë.
Mbi 20 mijë ishte numri i familjeve përfituese të ndihmës sociale – me mbi 78 mijë anëtarë – në muajin shkurt, sipas ASK-së.
Familjet marrin nga 70 deri në 250 euro në muaj, varësisht numrit të anëtarëve.
REL-i pyeti ASK-në se cili është niveli i varfërisë në vend, por nuk mori përgjigje.
Të dhënat e fundit për varfëri të Bankës Botërore dhe të ASK-së janë të vitit 2017.
Sipas tyre, 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, me rreth dy euro në ditë, kurse 5.1 për qind në varfëri të skajshme, apo me më pak se 1.50 euro në ditë.
Se varfëria është ndër problemet më të mëdha që i shqetësojnë qytetarët e Kosovës, e tregojnë edhe gjetjet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, të publikuara në muajin shkurt.
Në anketën e Pulsit Publik, qytetarët u pyetën për problemet më urgjente me të cilat përballet Kosova aktualisht.
Rreth 29 për qind e të anketuarve përmendën si problem kryesor varfërinë, 19 për qind papunësinë dhe 9 për qind çmimet e artikujve të domosdoshëm të konsumit.
Aktualisht, shkalla e papunësisë në Kosovë është 11.5 për qind, sipas ASK-së.
Shkalla e inflacionit, ndërkaq, sillet në rreth 2 për qind, por çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë mbetur të larta prej se inflacioni ka arritur kulmin më 2022.
Atë vit, Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare inflacioni rreth 12 për qind.
Si të zbutet varfëria?