Dy dekada pas përfundimit të luftës është paralajmëruar ngritja e padisë kundër Serbisë për krime e kryera në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se kjo do të jetë pjesë e programit qeveritar.
E kësaj nisme të Qeverisë, i ka dalë në krah Lidhja Demokratike e Kosovës.
Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, në një konferencë për media, ka deklaruar se partia e tij e mbështet fuqishëm ngritjen e padisë kundër Serbisë.
Padinë për gjenocid ndaj Serbisë LDK e mbështet fuqishëm. Në vlerësimin tonë krimet që janë kryer nga pushteti i Serbisë ndaj popullatës civile shqiptare përbëjnë elementin e shfarosjes që nënkupton që përbëjnë elemente të gjenocidit. Mirëpo, ne vlerësojmë në këtë proces të gjitha institucionet e vendit dhe jo vetëm, por edhe shoqëria civile dhe ekspertët më të mirë vendorë dhe ndërkombëtarë duhet që të punojnë së bashku në mënyrë që momenti që të fillon ky proces i ngritjes së padisë të sigurohemi që kemi fakte dhe dëshmi të mjaftueshme për të prezantuar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që në vendin tonë është kryer gjenocid nga pushteti i Serbisë”, ka thënë Manaj, në një konferencë për media.
Ky qëndrim i LDK-së është mirëpritur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe nga ekspertët. Sipas tyre, LDK po tregon se po qëndron e pa lëkundur në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit që e ka krijuar vet.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, në një prononcim për “Bota sot”, ka dhënë disa detaje rreth padisë kundër Serbisë.
“Çështja e padisë duhet të kemi kujdes në përpilim të saj, është e rëndësishme, historike dhe në bashkëpunim edhe me Presidenten Osmani besoj që do adresohet me profesionalizëm dhe përkushtim”, ka thënë deputetja e VV-së për “Bota sot”.
Ndërkaq, ajo e ka mirëpritur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Kontributi i gjithsecilit është i mirëseardhur edhe nga partitë opozitare në këtë rast LDK, tek e fundit, vrasjet, dhunimet, shkatërrimi i pasurisë duhet të adresohen”, është shprehur Tishukaj-Sadiku.
Maraj: LDK do ta votoj pro dënimit të Serbisë
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Milazim Maraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka krahasuar opozitarizmin e LDK-së me atë të VV-së.
“Opozitarizmi duhet të jetë shtytje për zhvillim; jo pengesë në realizimin e projekteve të Qeverisë së Kosovës. LDK deri sot po jep shenja që është parti serioze dhe brenda sajë ka traditë shtet formimi dhe zhvillimi të mbarë kombëtar. VV gjatë kohës sa ishte në opozitë ka qenë pengesë pothuaj se e çdo projekti të LDK-së dhe më vonë e koalicioneve të saj. Por hakmarrja do të ishte ogur i zi për Kosovën”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka theksuar se opozita duhet të përkraha projektet e mira dhe të ndalon projektet e dëmshme.
Opozita duhet të jetë kujdestare e rreptë e punës së pushtetit por jo pengesë për zhvillimin e shtetit. Reagimet duhet të jenë demokratike dhe të argumentuara. Të përkrahen projektet e mira dhe të ndalen projektet e dëmshme. Premtimet e VV deri sa ishte në opozitë kanë qenë lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe ngritja e padisë kundër Serbisë për krime lufte dhe gjenocid”, ka theksuar ai për “Bota sot”.