Pas deklaratës së ashpër të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani kundër vendimit të Qeverisë Hoti për heqjen e reciprocitetit me Serbinë, kanë ardhur edhe reagimet e para nga LDK.
Ish- deputeti i LDK-së Naser Rugova i ka thënë nënkryetares së kësaj partie, se përse nuk po shkon të anëtarësohet në Vetëvendosje, raporton Gazeta Blic.
“Janë dy rrugë: O ktheju partisë dhe respekto vendimet e shumicës, verdiktin e kushtetueses dhe sugjerimet e miqve tanë strategjik o shko në VV sepse po del shumë keq si zëdhënëse e saj nga një subjekt tjeter!”, ka shkruar ai.
Reagimi i plotë:
I rekomandoj Vjosës të anëtarësohet edhe zyrtarisht në VV. Qëndrimi i saj në LDK, thjesht sa për formalitet, është fyerje për një pjesë jo të vogël të anëtarësisë së LDK-së.
Me qeverinë Hoti, si formë konkrete e refuzimit të populizmit si model dhe taktikë politike, LDK ka rrezikuar shumë, por kjo nuk është sakrifica jonë e parë dhe sigurisht që nuk do të jetë e fundit, sepse LDK nuk bën aventura me fatin e Kosovës.
Vjosa Osmani reagoi shumë ashpër ndaj Qeverisë Hoti, pas vendimit për heqjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës.”, ka shkruar ajo.