Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka komentuar protestën e qytetarëve në Tiranë, që sot shënon ditën e 100-të, dhe zhvillimet e fundit politike në vend.Në një intervistë për emisionin “Minuta e parë” me gazetaren Ola Bruko në News24, Mehmeti theksoi se protesta është investimi më i madh që i është bërë vendit që nga koha e komunizmit.
Ai theksoi se në të vërtetë komunizmi nuk ka rënë dhe se vendi po qeveristet prej 36 vitesh me mendësinë e Enver Hoxhës.
“Ajo e ka arritur suksesin e vet, është investimi më i madh që u bë këtij vendi pas rënies së komunizmit. Në të vërtetë komunizmi nuk ka rënë, tani do të bjerë. Kjo protestë e rrëzoi komunizmin jo ajo e dhjetorit. Ajo nga shtrati e Enverit dolën enveristët e rinj, por u shpërndanë në disa parti, por mendësia është e njëjtë.
Në 36 vite, Shqipëria sundohet me mendësinë enveriste. Shteti është partia dhe partia jam unë. Asnjëri nuk e jep partinë. Më së pari japin Shqipërinë sesa partinë. Para kësaj, këtu kishte vetëm protesta partiake. Zëri i popullit është ai që duhet të protestojë.
Partitë mund të bëjnë vetëm mitingje partiake. Doli kjo rini që solli shpresë dhe guxim krejt tjetër dhe nuk mund të mos jem me atë rini. Aty duhet të ketë njerëz që të kenë ambicie personale politike. Nuk është mëkat të kesh ambicie, por mëkat është që shkaku i ambicieve personale të shkatërrosh interesin e përgjithshëm. Për të mirën e Shqipërisë duhet të flijosh diçka tënden.”, tha ai.
Më tej, Mehmeti deklaroi se kryeministri ia ka dorëzuar përfundimisht vendin të ashtuquajturës aleancë e qelbësirave.
Sipas publicistit, vetë kryeministri e ka pranuar dështimin e tij duke e deklaruar publikisht shtetin si të varfër, me qëllim që të arsyetojë shitjen e pasurive kombëtare dhe tjetërsimin e pasurive publike te interesat private që e mbajnë në këmbë këtë sistem.

