Një nënë nga Watford, Hertfordshire, ka rrëfyer momentin e tmerrshëm kur një dhelpër hyri në shtëpinë e saj gjatë natës dhe kafshoi në kokë vajzën e saj tremuajshe.
Carly Clarkson, 37 vjeçe, ishte në gjumë pranë foshnjës Josephine kur u zgjua nga një dhelpër që po i nuhaste fytyrën. Kur pa gjakun pranë saj, kuptoi se vajza kishte marrë katër plagë shpimi në kokë.
Ajo e mori foshnjën në krahë dhe ndoqi dhelprën deri në shkallë, ndërsa më pas kontrolloi edhe vajzën tjetër, njëvjeçare, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.
Josephine u dërgua në spital, ku mjekët konfirmuan se nuk kishte fraktura të kafkës apo dëmtime në tru.

“Të zgjohesh dhe të shohësh gjakun e fëmijës tënd pranë teje ishte absolutisht e tmerrshme”, tha Carly.
Ajo tregoi se kishte lënë derën e pasme hapur dhe tani ndihet e pasigurt në shtëpinë e saj. Sipas saj, dhelprat në zonë mund të jenë mësuar me njerëzit, ndoshta për shkak se janë ushqyer prej tyre.
Familja madje pa një dhelpër pranë derës së përparme teksa po nisej për në spital, ndërsa kamerat e sigurisë kanë filmuar një dhelpër në kopsht pak para sulmit.

