Gazetar: Genc Godanci
Me lot në sy po i jepej përshëndetja e fundit gazetarit dhe shkrimtarit të njohur, Enver Malokut. Anëtari i LDK-së ishte vrarë me 11 janar 1999, pak metra larg banesës së tij në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë.
Vrasjet e zyrtarëve apo personave te afërt me partinë më të vjetër në Kosovë, vazhduan edhe pas luftës.
Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës është ajo e komandant Drinit, Ekrem Rexhës, i cili vlerësohej i afërt me këtë subjekt politik.
Gjithashtu para ndërtesës ku banonte, më 23 nëntor 2001 u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i Presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa.
Po në këtë vit ishte vrarë Ismet Rraci, kryetar i Komunës së Klinës e i Degës së LDK-së në Klinë, derisa po kthehej nga puna.
Në 2001 u vra edhe gazetari Bekim Kastrati dhe truproja e presidentit Rugova, Besim Dajaku.
Vrasjet ndaj tyre s’u ndalen as në 2002 ku para banesës së tij dhe në errësirë të plotë iu morr jeta edhe Smajl Hajdarajt, ish deputet.
Pak muaj më vonë përmes një atentati vritet edhe kryetari i Suharekës nga radhët e LDK-së, Ukë Bytyçi.
Edhe katër vjet pas luftës, vrasjet ndaj figurave të afërta me Lidhjen Demokratike të Kosovës s’po ndaleshin.
Më 4 janar 2003 në Pejë vritet kolonel Tahir Zemaj, ish-komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit së bashku me Hasan e Enis Zemajn.
Atentateve u shpëtuan Ismet Arifi, më 3 nëntor 1999; Nezir Gara, i cili pësoi sulm të rëndë fizik, por i shpëtoi vrasjes më 25 shtator 1999 ndërkaq Gani Geci u plagos më 19 tetor 2001.
Vetëm gjatë vitit 2000, u shpëtuan atentateve tre zyrtarë të LDK-së. Ish-deputeti, Adem Salihaj, i shpëtoi atentatit ndaj tij në qershor të vitit 2000. Dy muaj më vonë u provua të vritej kryetari i tanishëm i Podujevës, Agim Veliu, e më vonë edhe Ejup Visoka
Fat të njëjtë pati edhe udhëheqësi historik i tyre, presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, që u shpëtoi disa atentateve.
Për të gjitha këto vrasje dhe atentate ndaj zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, asnjëherë askush nuk doli para drejtësisë, ndonëse kanë kaluar mbi dy dekada që nga ato ngjarje.